Shoqëria kosovare është një “shoqëri periferike” (peripheral society)

0
526

Shoqëria kosovare e pasluftës, s’ka asnjë dyshim se iu nënshtrua iu ekspozua midis shumë formave të presionit dhe ekzaltimit, edhe një fenomeni të ri që në sociologjinë bashkëkohore njihet si fenomen i “periferizimit”. Kur të analizohet në kontekstin zhvillimeve aktuale mendoj që fenomeni i “periferizimit”, nuk duhet të vihet edhe gjithaq në analogji me termin e përdorur nga Imanuel Wallerstein mbi “qendrën dhe periferinë”. Ngaqë, jam i bindur thellë se procesi i “periferizimit” në rastin e Kosovës, në fakt përveç kriterit të raportit “qendrës” me “periferinë” i ka edhe disa specifika të veta të reja sociale, që kujtojë se kolegët tanë të rinj në të ardhmen do të duhej t’i identifikonin dhe elaboronin në mënyrë më të qartë dhe më të thukët.

Tash për tash, po më duket që ky koncept u adresohet më shumë raportit të ndryshimeve sociale, e sidomos atyre kulturore, se sa atyreve juridike e politike që janë duke ndodhur pa ndalur në të gjitha poret e jetës në Kosovën e pasluftës. Pra, cilësimi social, ekonomik e kulturor si një kualitet i ri sociologjik kujtojë që mund të shfrytëzohet pa mëdyshje si një parametër i denjë për të shpjeguar e ilustruar fenomenin në fjalë. Them kështu edhe për shkak, se Kosova si gjeografi, mentalitet, kulturë e padyshim edhe si etnopsikologji aktualisht është në fazën e një procesi shoqëror të absorbimit e në të njëjtën kohë edhe të identifikimit me vlerat perëndimore që kushtimisht nënkupton respektimin e kriterit që Wallerstein merr për bazë të kualifikimit të raportit në fjalë.

Pra, meqenëse Kosova gjendet në një fazë të atillë emancipimi e padyshim edhe ndikimi nga agjensit e rinj teknologjik e shkencor që përveç ekspansionit të bujshëm premtues ekonomik përmbajnë edhe fenomenin e ikjes apo fluktimit nga ambienti rural në atë urban (shkaku i rrezikut nga skamja, amullia), pra, një procesi tjetër të identifikimit me sistemin e ri vleror perëndimor, atëherë fenomeni i “periferisë” në raport me “qendrën” është e natyrshme të marr dimensione të reja që tani nuk është e thënën të posedojë ekskluzivisht vetëm atributet e raportit global me atë lokal. Raporte, këto që kujtojë se pa hezitim e pasurojnë përveç sfondit edhe vetë procesin e ri që është duke u zhvilluar në kontekst të rrethanave të reja, pra atyre të tranzicionit. Ky”fakt” i ri dirkemian është pikërisht ai elementi apo kriteri i ri që kujtojë se e pasuron konceptin e “periferizmit” dhe përgjithësisht situatat e ngjashme nëpër të cilat jo domosdoshmërish është e thënë kalojnë shoqëritë e tranzicionit, ku Kosova mund të shërbejë si një kampion tipik i ilustrimit dhe do thoshja edhe i përjashtimit.

Shkruan: Fadil MALOKU

Leave a Reply