Rrëshqitja drejt rendit skllavopronar!

0
54

Partitë politike të mbështjellura me veprime dhe vendime populliste të liderit, gjithjë e më pak po gjasojnë në parti politike. Vrapimi pas liderit të partisë e jo pas koncepteve dhe programeve politike i ka kthyer elektoratet në skllevër të partive korporata fitimprurëse dhe joshëse për një pjesë të konsiderueshme të bizneseve  dhe shoqërisë civile që vrapojnë pas liderit sikurse skllavët që vrapojnë pas skllavopronarit.

Privatizimi i partive politike

Demokracia nuk është një sistem aq i lehtë sa mendohet nga dikush! Përveqse është një sistem, është edhe një mundësi e njerëzve për të qenë aktiv në vendimarrje, është një mundësi e mirë e njerëzve për të jetuar sipas rregullave e ligjeve shtetërore, të cilat i respektojnë të drejtat e individëve edhe atëherë kur ata i harrojnë mundësitë e tyre ligjore.
Partitë politike janë shndërruar në “byro” të punësimeve, në mekanizma që shpërndajnë tenderë nëpër kompani të afërta me to, që shpërndajnë liçenca për hapje të bizneseve, që akoma po shpërndajnë çertifikata të veteranëve 21 vjet nga përfundimi i luftës me libreza partiake e çka jo tjetër.
Liderët partiak me ndikimin e fuqishëm dhe imponimin e ideve të tyre në elektorat, janë kthyer në pronarë faktik të subjekteve politike. Vasaliteti ndaj liderit partiak i ka kthyer politikanët morbid në vartës ekstrem (robër) apo skllav të pronarëve (liderëve) partiak që anashkalojnë vullnetin e elektoratit për reforma në parti dhe ndryshime pozitive në shoqëri.
Përfaqësuesi i klasës sunduese në sistemin shoqëror (lideri shtetëror) apo skllavopronari në pushtet përfiton nga puna e vartësve (skllevërve) tij. Skllavopronarët partiak (liderët) për të ardhur në pushtet përfitojnë nga vartësit (skllavët) e tyre partiakë duke kontrabanduar vullnetin e elektoratit nga njëri në ekstremin tjetër politik, duke e kthyer kështu sistemin demokratik në një sistem tipik skllavopronar të shfrytëzimit të votës së lirë për realizimin e interesave personale të skllavopronarëve (liderëve partiak).

Mos reagimi, sjellje nënshtruese e elektoratit

Elektoratet e të gjitha partive politike, me heshtjen ndaj kontrabandimit të vullnetit të tyre janë shndërruar në skllevër modern të kohës sonë.
Nuk ka si të quhet ndryshe mos reagimi i elektoratit ndaj shkeljes së parimeve dhe premtimeve elektorale të liderëve, ndaj lidhjes së marrëveshjeve të panatyrshme politike apo ndaj prishjes së marrëveshjeve me kauzën për ndryshim, duke e kthyer shpresën në zhgënjim.
Të gjitha subjektet aktuale politike, në një mënyrë apo tjetër e kanë humbur besimin e qytetarëve shkaku i mos mbajtjes së premtimeve elektorale të liderëve partiak.
Kauzat (premtimet) paraelektorale të liderëve partiak gjithnjë po kthehen në kauza personale për pushtet.

Bartja e fatit të vendit nga politikani tek sovrani

Bashkrendimi i veprimeve të elektoratit të zhgënjyer kosovarë për krijimin e një force të re politike do ta forconte shtetin dhe mbronte interesin qytetarëve.
Këmbëngulësia e popullatës karrshi proceseve politike dhe veprimeve antikombëtare të liderëve shtetëror do të parandalonte me kohë shumë procese të dëmshme për vendin.
Se vërtetë ka qenë e mundur t’i parandalojmë shumë nga të këqijat e pasluftës në Kosovë, e dëshmon rasti rivarrimit të heroit kombëtar Isa Boletini. Po të mos ishte këmbëngulësia e familjarëve të tij, sot ai do të ishte i varrosur në Vlorë e jo në Boletin, ashtu siq patën planifikuar vasalët e Serbisë.
Prandaj, qytetarët e vendit, si një familje e përbashkët e këtij shteti mund dhe duhet të bëjnë më shumë në të ardhmën për parandalimin e veprimeve destruktive të politikanëve të papërgjegjshëm.
Lirimi nga psikologjia e skllavit (robit), shoqërinë kosovare dhe elektoratet e partive politike në veçanti do t’i kthente në shqoëri aktive që përcakton të ardhmen e vet në shtetin e lirë dhe sovran.
Vetëm një nismë e re progresive e qytetarëve është shpëtim për vendin. Qytetarët aktiv në jetën shoqërore janë burim shprese dhe ardhmërie për vendin, ndërsa pasiviteti qytetar e shndërron shtetin në një moçal, ku as bretkosat nuk mbijetojnë.

Barazia para ligjit përcakton nivelin demokratik të shtetit

Demokracia duhet të bazohet në vlera dhe parime të panegociueshme siq janë; barazia e njerëzve para ligjit, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Edhe pse i kaluam dy dekada në liri, tek një pjesë e popullatës ende ekziston psikologjia e skllavit (robit) dhe nënshtrimit. Të gjithë ata, që në një mënyrë apo tjetër e ndajnë mendjen e të qëndruarit besnik ndaj pushteteve antipopullore, s’janë gjë tjetër veçse skllevër (robër) dhe të nënshtruarit e të gjitha pushteteve të pas luftës në Kosovë.
Pavarësisht se cili subjekt politik po vjen në pushtet, asnjëri nga politikanët nuk po i mbrojnë interesat e qytetarëve. Secili në mënyrën dhe stilin e vet mundohet të shkëpusë diçka nga pasuria publike dhe tenderomania e bizneseve të pista për t’u pasuruar në mënyrë të jashtëligjshme brenda një mandati politik ose më pak se kaq!
Për elitën e lartë politike në vend pak ka rëndësi kush del fitues e kusht tjetër humbës në zgjedhje, e rëndësishme është të mbetën në skenën teatrore (politike) aktorët e vjetër,…në mënyrë që publiku të kënaqet sa më gjatë më “operat” e tyre, duke rezervuar si gjithnjë rolet “epizodike” për të rinjët (adoleshentët politik)!
Ëndërra për të pasur një qeveri më duar të pastra, është e mundur të realizohet vetëm më një klasë politike të ndershme, e cila në momentin që i hynë politikës, largohet nga biznesi.
Që kjo të arrihet më shpejtë, duhet t’u ndalohet më ligj marrja me biznes e politikanëve për shkak se paraqet konflikt interesi.
Përcaktimi më ligj i vetëm një mandati qeverisës për t’i lëshuar radhën tjetrit.
Kështu do të vie më lehtë dhe më shpejtë deri të demonopolizimi i jetës politike,…për çka, më nuk do të bëheh garë e tmerrshme politike për t’u rizgjedhur në të njëjtin post.
Respektimi i Kushtetutës së vendit dhe ligjeve që burojnë prej saj duhet të fillojë nga liderët shtetëror dhe partiak, ministrat, kryetarët e komunave dhe deputetët.
Kur ja prezentova këtë ide një miku, më tha; ” kjo është një ide briliante, po sikur të rregullohej me ligj kjo që thoni, më askush më në Kosovë nuk do të dëshironte të kandidohej e as të mirrej më me politikë”.
Përfundimisht ka ardhur koha, që edhe bashkësia ndërkombëtare e instaluar në Kosovë të dëshmojë veten se është e përkushtuar për sundim të ligjit dhe për çasje të barabartë të qytetarëve para drejtësisë, për zhvillim ekonomik dhe mirëqënje të popullatës në përgjithësi, në të kundërtën, në një të ardhme të afërt në Kosovë më shumë do të kemi pushtetarë se sa qytetarë, ku ndoshta edhe UFFO-t do të zbresin për ta bërë Kosovën një vend 100 % jashtëligjorë!
Rendi skllavopronar vjen si produkt i një shoqërie të nënshtruar!

Shkruan: Florim ZEQA

Leave a Reply