Rimbursimi pa kriter i 10% të parave të tërhequra nga Fondi Pensional është diskriminues

0
459

Këto ditë është arritur një marrëveshje parimore që të votohet Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi që koalicioni qeverisës është pajtuar që në ligj të amandamentohen disa kërkesa që i ka parashtruar Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Duke mos dashur me hy në analizën më të thellë të këtyre amendamenteve të propozuara dhe të dakorduara, do të ndalëm në vetëm njërin prej tyre, e që ka të bëjë me kërkesën për rimbursim të fondeve eventualisht të tërhequra nga Fendi Pensional, në të gjitha rastet për të gjitha kursimtarët që në trust kanë më pak se 10,000€ të kursyera.  Duke konsideruar se ky amandament është shumë diskriminues,në vazhdim do të paraqes disa vështrime të mia.

E para,diskriminimi në mesa atyre që punojnë dhe atyre që nuk punojnë ose kanë punuar në të zezë!

Ata që kanë pas fatinë që të punësohen kanë arritur të paktën të kursejnë diçka, dhe tani kanë mundësi që të tërheqin 10% të shumës së kursimeve nga Fondi Pensionale cila më pastaj në pesë vitet e ardhshme do të rimbursohet nga taksat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Çka do të ndodh me ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar dhe që nuk kanë çka të tërheqin nga Fondi Pensional. Ose të gjithë ata që kanë punua në të zezë dhe fondet e tyre janë “keqpërdorë nga punëdhënësit”.

Amandamenti nuk e parasheh ndonjë dispozitë lidhur me këtë shtresë të qytetarëve, të cilët nuk janë të pakt. Shtrohet pyetja, a do të ju shpërndahet tani pa kthim, një shumë e fondeve nga buxheti i Kosovës edhe kësaj shtrese të popullsisë, apo të njëjtëve a do të ju falet një shumë proporcionale e cila do të ju depozitohet në llogari të kursimit pensional për aq kohë sa do të zgjas rimbursimi. Sa kam informacione, në amandament nuk parashihet një gjë e tillë, por diçka e ngjashme duhet të ishte paraparë, se edhe ata “janë Kosovë”.

E dyta, diskriminimi në rimbursim!

Është e qartë se jo të gjithë qytetarët kanë të kursyera fonde të barabarta. Ky diskriminim shprehet në dy kahe. Pabarazi në shumën e tërheqjes së parave dhe pabarazi në rimbursim(faljen) të këtyre fondeve të tërhequra. Le të marrim një shembull të thjeshtë. Nëse një qytetar ka të grumbulluara 1,000€ në Fondin Pensional, ai do të mund ti tërhiqi 100€ në emër të 10% të lejuar, dhe në vitet në vijim qeveria do ti rimbursoj(falë) po aq para, pra 100€. Po çka ndodh me qytetarin që ka të kursyera 9,800€. Ai do të tërheq 980€, dhe qeveria do ti rimbursoj (falë) 980€ në vitet në vijim. Tri herë i favorizuar, e para se ka pas fatinë që ka pas një punë më të mirë, e dyta se qeveria po i mundëso që të tërheq më shumë para, dhe e treta, se për pleqëri qeveria po kujdeset që ti rimbursoj(falë) më shumë para.

Prej nga kjo e drejtë që dikujt ti ipet një përkrahje prej 980€ falas, kurse atij që ka pagë të ultë le të supozojmë një përkrahje vetëm prej 100€? Një diferencë e qartë prej 880€. Dhe që është edhe më keq, qytetarëve që nuk punojnë, ose nuk kanë punuar të mos iipet asgjë tani,ose të paktën të mos i kursehet (falet) një shumë e supozuar e barasvlershme, për të ardhmen. Pra një diskriminim flagrant.

E treta, diskriminim për shkak të rrethanave të rastit!

Dikush që është në moshë të re, vërtet mund të ndodh që akoma nuk i ka të kursyera 10,000€ në Fondin Pensional. Sipas këtij amandamenti, ai ka të drejtë që të tërheq para në proporcion më shumën e kursyer, dhe të njëjtat do ti rimbursohen për periudhën e paraparë, edh pse deri në moshën e pleqërisë mund të ketë të grumbulluara në llogari të Fondit Pensioni le të supozojmë 35,000€. Ky është supozim hipotetik, por mund të jetë i vërtetë. Po kështu ka raste kur dikush ka në fond të kursyera diçka mbi kriterin e përcaktuar, le të supozojmë një shumë prej vetëm 10,001€.

Ai do të ketë të drejtë që ti tërheq në emër të 10% shumën prej 1,000€, por të njëjtit nuk do të rimbursohen(falën) paratë, madje mund të ndodhë që brenda vitit, ose në periudhën afatshkurtër i njëjti mund të dal edhe në pension. Pra, për diferencën në shumë prej vetëm prej 1€ ai mbetet pa rimbursim. Kësi shembujsh ka shumë, dhe ky diskriminim nëse aprovohet në Kuvend, gjithsesi duhet të korrigjohet, tani apo dikur.

Për mos me e zgjatë, ky amandament në këtë formë, është tejet diskriminues. I njëjti duhet të riformulohet dhe të plotësohet me dispozita shtesë që marrinë parasysh ata që nuk kanë punuar, ata që nuk punojnë, ata që kanë pak para të kursyera, ata që janë afër pensionit, etj. Në kushtet e njëjta, parat e buxhetit të Kosovës ose duhet të ju falën të gjithëve ose askujt. Pra, nuk duhet të ketë rimbursim(falje) pa kriter dhe se vetëm përcaktimi i “vrazhdët” i një niveli “tavan” të kursimeve, nuk është kriter. Në këtë mënyrë, në emër të përkrahjes për të tejkaluar problemet ekonomike që i ka shkaktuar pandemia Covid 19, po ndëshkohet pikërisht shtresa më e varfër e shoqërisë. Konsideroj se caktimi i limiteve për falje të parave pa kriter në të njëjtën kohë është baras me diskriminim “me kriter”.

Shkruan: Sejdi REXHEPI – (Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”)

Leave a Reply