Pse nuk ka dorëheqje?

0
531

Sikur të ishte akuzuar Hashim Thaqi në cilësinë e luftarit të UÇK-ës për vrasjet në betejat e ndryshme gjatë luftës në Kosovë, sikurse ajo e Koshares apo Loxhes dhe të tjera, atëherë do të ishte një situatë krejtërsisht ndryshe, dhe jo vetëm që nuk do të duhej të jepte dorëheqje, por populli do t’a përkrahte masivisht dhe do t’a inkurajonte të qëndrojë në postin e presidentit, sepse  ishte një luftë e drejtë dhe e pastër çlirimtare.

Nuk ka asnjë prokuror apo gjykatë vendore apo ndërkombëtare  speciale që mund t’a vejë në dyshim Luftën Çlirimtare të Kosovës, luftën e shenjtë për liri dhe pavarsi, në të cilën morrën pjesë UÇK-je me FARK-un dhe NATO-n sepse UÇK-ë është populli, dëshmorët dhe luftarët që luftuan nën betim për çlirim.

Meqenëse Hashim Thaqi akuzohet për vepra të supozuara penale të kryera përmes veprimeve individuale në periudhën e pasluftës, atëherë nuk është korrekte  që aktet individuale të barazohen me UÇK-ën dhe të thot se historia nuk mund të rishkruhet, sepse nuk po akuzohet UÇK-ja, por individët.

Për mos t’a mbajtur peng postin e presidentit të vendit, që nga publikimi i aktakuzës së pakonfirmuar dhe pas marrjes në pyetje për katër ditë rradhazi  nga Prokurori Special, Hashim Thaqi është dashur, që të nesërmen, të jep dorëheje. Sepse në Hagë, si masa preventive  në interes të procedurës, Hashim Thaqit iu kanë kufizuar qenësisht kompetencat në ushtrimin e funksionit të presidentit.

Si rrjedhojë e kësaj, Hashim Thaqi nuk ka më komunikim normal e as minimal me institucionet shtetërore të Kosovës, nuk ka kontakte me Ambasadat e akredituara në Kosovë, me të cilat më parë kishte komunikime dhe takime intenzive, pothuajse të përditshme, nuk është prezent në takimet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare që janë esenciale për një president. Izolimi i tij dhe kufizimet maksimale, si në vend ashtu edhe jasht vendi, jo vetëm që e vejnë në dyshim dhe pikpyetje qëndrimin e tij në postin e presidentit, por kjo bëhet nënçmuese dhe ofenduese.

Një president shteti me të cilin partnerët  kryesor dhe strategjik refuzojnë të komunikojnë, qenësisht e dobësojnë imazhin, autoritetin dhe subjektivitetin e shtetësisë së Kosovës, prandaj dorëheqja, edhe pse me vonësë, është e pashmangshme dhe e domosdoshme.

Nëse Hashim Thaqi vazhdon t’a ruaj karrikën, edhe përkundër aktakuzës së pakonfirmuar, tregon se interesi i tij personal është mbi ate shtretëror. Ai, tani më, është dashur të kuptojë, se i izoluar në kontaktet e tij, posti i presidentit është zhveshur nga autoriteti në ushtrimin e përgjegjësive dhe kompetencave dhe qëndrimi i tij në këtë post është kompromituar dhe ka humbur kuptimin.

Kujt i shërben qëndrimi i tij në këtë funksion, të cilin në realitet as që e ushtron ? Mosdorheqja e Hashim Thaqit, në këto momente kritike për të ardhmen e Kosovës, në një situatë shumë serioze ku bëhet fjalë për një proçes vital për shtetësinë e Kosovës, është e pakuptimt, e dëmshme dhe e rrezikshme. Por si po duket Hashim Thaqi ende po merret me manovra, kalkulime dhe  manipulime politike deri sa t’a përgatitë terrenin për zgjedhjen e një presidenti përmes pazareve dhe intrigave politike, ashtu siç u zgjodh edhe vet ai.

Klasa aktuale politike nuk është aspak e vetdijshme se në çfar udhëkryqi të rrezikshëm dhe vendimtar ndodhet Kosova, në vend të bashkohen për intersin nacional dhe të ardhmen e Kosovës, ata bëjnë kalkulime dhe pazare politike të pandershme për zgjedhjen e një presidenti që do t’u shërbente interesave të caktuara partiake.

Prandaj sa më shpejt jep dorëheqje Hashim Thaqi, aq më shpejt Kosova do t’a ketë presidentin e ri i cili në plotëni do t’a ushtrojë funksionin duke revitalizuar dhe riparuar dëmet e gjertanishme që iu shkaktuan këtij posti. Kjo është mase e domosdoshme, sidomos në momentin e tanishëm, kur zhvillohen bisedimet Kosovë – Serbi, sepse një president konsesual do të jipte kontribut të madh në unifikimin e spektrit politik dhe do të ndikonte në arritjen e një Marrëveshje të ekuilibruar në interes të Kosovës.

Dorheqja e Hashim Thaqit nuk është më vetëm akt moral apo etik, por është interes jetik për Kosovën.

Shkruan: Skender MUSLIU

Leave a Reply