Pse marrëveshja Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë e rrezikshme

0
490

Njoftimi për bisedime në Shtëpinë e Bardhë midis dy palëve për një mosmarrëveshje të gjatë ndërkombëtare do të përbënte rëndom një arsye për festë, sidomos duke e pasur parasysh pritjen se, nëse gjithçka shkon sipas planit, bisedimet e tilla zakonisht pasohen me një ceremoni në Oborrin Rozë për nënshkrimin e një lloj marrëveshjeje mes palëve. Njoftimi i kësaj jave se Shtëpia e Bardhë do të bëhet nikoqire e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, më 27 qershor, sidoqoftë, ka shkaktuar drithërimë mes vëzhguesve të Ballkanit Perëndimor, dhe me të drejtë.

Arsyet për skepticizëm rreth bisedimeve të planifikuara janë të shumta. Bisedimet e uzurpojnë dialogun e kahershëm Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin blloku evropian synon ta rinisë në një të ardhme të afërt nën udhëheqjen e të dërguarit të posaçëm për rajonin, ish-ministrin e Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak. Fakti se Washingtoni dhe Brukseli mund së shpejti të mbajnë negociata paralele e ilustron gjendjen e trishtë të raporteve SHBA-BE dhe mungesën e tërësishme të një koordinimi transatlantik, që ka qenë një përbërës i domosdoshëm për përparim në Ballkanin Perëndimor, që nga vitet 90.

Akoma më keq, duket se ka pak koordinim mes të dërguarit të posaçëm amerikan, Richard Grenell, ish-ambasadorit të SHBA-së në Gjermani, dhe ekspertëve amerikanë për apo në rajon. Kjo ka rritur frikën mes shumëkujt në Washington dhe në rajon se qëllimi primar i administratës së Trumpit është më shumë një spektakël publik në ceremoninë në Oborrin Rozë, sesa arritja e një marrëveshjeje funksionale që e synon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa ndezur tensione kudo në rajon.

Diskutimet e përfolura për shkëmbim territoresh, si pjesë te marrëveshjes (të cilën Grenelli vazhdon ta mohojë), vetëm sa i kontribuon këtyre shqetësimeve. Përderisa administrata Trump dhe Bashkimi Evropian kanë flirtuar bashkërisht me idenë e shkëmbimeve territoriale në tri vjetët e fundit, ekspertët nga të dyja anët e Atlantikut druajnë se një presedan i tillë do të arrihej në një rajon ku nacionalistët vazhdimisht kërkojnë shkëputje ose bashkim në baza etnike. Edhe nëse kutia e Pandorës mund të mbyllet, zbatimi i një marrëveshjeje të tillë pothuajse sigurt do të rezultonte me një de fakto spastrim etnik, ngritje të tensioneve dhe potencialisht dhunë të re. Ka pak dëshmi për ndonjë plan të administratës Trump lidhur me këto çështje të komplikuara – megjithatë kruciale – për t’u zbatuar.

Mbase për t’i ulur pritshmëritë, Grenelli ka premtuar se palët së pari do t’i diskutojnë çështjet ekonomike. Nëse i këtillë është rasti, me pak fat në fund të fundit mund të ketë një rezultat pozitiv nga samitit (takimi) – që është një version ballkanik i premtimeve kineze për të blerë më shumë sojë, një spektakël në Oborrin Rozë që Trumpi dhe Grenelli e kërkojnë aq dëshpërimisht dhe pa një dëm të vazhdueshëm për stabilitetin e rajonit. Gishtërinjtë i kam të kryqëzuar.

Shkruan: Molly MONTGOMERY – Autorja është ish-zyrtare e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit

Leave a Reply