Politika e jashtme dhe çështja kombëtare në mendimin teorik të Ukshin Hotit

0
406

Sabri KIÇMARI

Në ditën e parë të Konferencës Ndërkombëtare Ndërdisplinare të Forumit Sociologjik të Ballkanit dhe Institutit Shqiptar të Sociologjisë, mbajtur në ambientet e Universitetit „Ukshin Hoti“ në Prizren, kam mbajtur kumtesën „Politika e jashtme dhe çështja kombëtare në mendimin teorik të Ukshin Hotit.”

Ndër të tjera kam theksuar:
Përvoja personale e Ukshin Hotit është shumë interesante për të studiuar jetën dhe veprimtarinë e tij. Ai ka lindur në Krushë të Rahovecit, shkollimin e mesëm e kryen në Rahovec, studimet për shkencë politike në Zagreb dhe Beograd, kurse shkon për studime postdiplomike në SHBA: në Universitetet e Çikagos, Harvardit dhe Uashingtonit. Ai ishte Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Kosovës dhe anëtar i forumeve federative, republikane dhe krahinore që merreshin me politikë të jashtme në ish-RSFJ. Nga një nivel i tillë i lartë në ambientet shkencore dhe politike e zbresin në burg për shkak të bindjes së tij dhe mbrojtjes hapur të kërkesës për Republikë. Ai nuk thyhet në burg dhe argumenton edhe para hetuesve drejtësinë e kërkesës për Republikë. Pas daljes nga burgu fillon persekutimi i tij i dytë, tani i natyrës shoqërore: insistohet në “përshtatjen” e tij… Dhe, kur ndeshet me egërsinë e sistemit, vendos të qëndrojë i paepur. Sakrifikon për të drejtën, për të mirën dhe për të vërtetën si Sokrati! Konsekuencat e këtij vendimi do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës së mëpastajme. Madje, më keq se kaq. Fati i tij do të mbetej një mister, i pazbuluar deri më sot. Ai e shoqëron ndërgjegjen e pavrarë të një regjimi pushtues gjakatar, por edhe moralin tonë politik e shoqëror. Dhe, Ukshin Hoti, mbetet i tillë siç ishte: madhështor dhe i paarritshëm.

Në pikëpamjet e Ukshin Hotit për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare ne gjejmë jo vetëm një mendje të mprehtë analitike, por edhe përfaqësuesin tipik të shkollës realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në linjë me dy klasikët e mendimit shkencor të marrëdhënieve ndërkombëtare, Ukshin Hoti politikën e jashtme e definon „si kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit dhe shprehje e shtetësisë së shtetit apo e sovranitetit të kombit“ (Hoti 1995: 20). Ai shkruan se “ideja e interesit është vërtetë në thelb të politikës dhe se nuk dëmtohet nga koha dhe hapësira” (Hoti 1995: 25).

Raportet në mes të shtetit dhe kombit nuk duhet parë me llupë dihotomike. Ukshin Hoti kritikon trendet për t’u kujdesur që të tejtheksohet realizimi i interesave të shtetit përballë atyre të kombit. Vënia në raport dihotomik të interesave të shtetit dhe atyre të kombit ishte veti e teorive që buronin nga vendet e real-socializmit. Kjo ndikohej jo vetëm nga përbërja multinacionale e shtetit jugosllav dhe atij sovjetik, „por edhe nga orientimi ideologjik, sipas të cilit shteti ishte në funksion të klasës e jo të kombit“ (Hoti 1995: 19).

Ukshin Hoti ndërton teza të forta teorike të bashkimit kombëtar të shqiptarëve pak kohë pasi kishte ndodhur Bashkimi i Gjermanisë. Ai herë është kuptuar e më shpesh është keqkuptuar në lidhje me këtë nga elita politike. Por, i sigurt në tezat e tij, ai nuk ka hequr dorë nga ato. Arsyetimi i tezës për bashkim është përmbledhur në idenë e maksimalizimit të fuqisë: „Po qe se sipas teorive në fjalë, lufta e kombeve për pushtet, (fuqi), është imanente në vetë natyrën e kombit, autorët e tyre nuk janë naivë që të mos e dinë se shqiptarët janë komb ashtu si dhe kombet tjera të formuara, dhe se është poashtu në natyrën e këtij kombi, ashtu si dhe te kombet tjera, synimi për t’u shtetëzuar, për të pasur pushtet dhe për ta maksimalizuar fuqinë“ (Hoti 1995: 24).

Leave a Reply