Përdoruesit e substancave narkotike dhe virusi Covid-19

0
975

Personat që përdorin substanca narkotike përballen me të njëjtat rreziqe me ato të popullatës së përgjithshme dhe për këtë arsye profesjonistët duhet të ofrojnë këshillat e duhura për të zvogëluar rrezikun e tyre nga infeksioni i virusit Covid-19.

Këta persona mund të ekspozohen ndaj rreziqeve shtesë që lidhen me sjellje të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me sigurimin dhe përdorimin e drogës. Studime të shumta tregojnë se këto rreziqe rriten në komunitetet e margjinalizuara e sidomos tek grupet e përdoruesve të drogave. Kështu, për njerëzit që mbështeten në shërbime të lidhura me varësinë – qoftë në programet e shkëmbimit të shiringave, trajtimit të ndihmuar nga mjekimi ose këshillimi – shtrirja në rritje e Covid-19 sjell sfida dhe rreziqe të veçanta.

Covid-19 është një virus i ri, dhe ne vazhdojmë të mësojmë rreth ndikimit që mund të ketë te njerëzit që përdorin drogë, por një gjë është e sigurtë se edhe përdoruesit e drogave janë potencial për tu prekur nga ky virus, dhe studimet e fundit tregojnë se përdoruesit e këtyre substancave janë në rrezik të rritur nga mbidoza nëse infektohen me Covid-19. Studimet poashtu theksojnë se përdorimi i substancave të ndryshme narkotike si heroina, kokaina dhe metafetamina etj – prishin thellësisht funksionin e mushkërive dhe zemrës në atë masë sa nëse infektohen me një virus që në të vërtetë prodhon një përgjigje masive inflamatore në mushkëritë e tyre të cilat tashmë janë të dëmtuara nga ekspozimi ndaj drogave, ata do të kenë shumë më pak të ngjarë të kompensohen, dhe për këtë arsye kanë një rrezik më të madh për një rezultat të pafavorshëm madje edhe për një përfundim fatal.

Ndërkohë që sistemi i kujdesit shëndetësor anë e mbanë botës është përmbytur me raste të koronavirusëve që kërkojnë vëmendje të menjëhershme, për dikë me çrregullim të përdorimit të substancave kërkesa ose qasja në shërbimin urgjent mund të jet akoma më e vështirë dhe kjo për shumë arsye të ndryshme siq është stigmatizimi, diskriminimi, dhe frika për të kërkuar ndihmë.

Andaj, nga këto të dhëna që janë realizuar nga studjues të ndryshëm dhe si profesioniste, kërkoj që abuzimin me substanca narkotike ta konceptoni si ‘sëmundje’ dhe jo vetëm dëshirë të individit për të perdorë substanca narkotike. Vetëm kështu mund t’i kemi nën kontroll këta individ, t’i kontrollojmë sjelljet e tyre, t’i këshillojmë, e vetëdijesojmë që mos ta përhapin në mesin e tyre edhe një virus të ri, e që pastaj mund të përhapet me shpejtësi edhe në popullatën e gjerë.

Shkruan: Kaltrina SKORO – MURTEZAJ
Psikologe

Leave a Reply