Pas Bajramit, do të hapen Portat e Ferrit

0
481

Unë besoj që në parim e keqja nuk njeh fund. Situata është shumë e keqe, por gjithashtu mund të bëhet shumë më keq. Si mund të bëhet më keq sesa tash? Nëse për Festën e Kurban Bajramit, që e kemi para vetes, qytetarët vendosin të qarkullojnë prej një dere në një tjetër pa kurrfarë kontrolli, siç kishte ndodhur për Fitër Bajram. Atëherë gjasat janë që do të hapen Portat e Ferrit.

Të gjitha janë thënë. Është e pamundur që të gjendet edhe ndonjë fjalë më tepër për t’i bindur qytetarët se çfarë duhet të bëjnë, ose çfarë nuk duhet të bëjnë, për t’u mbrojtur nga COVID-19. Pastroni duart sa më shpesh, mbajeni distancën e duhur sociale, mbajini maskat. Kaq. Kushdo që i ndërmerr këto masa kaq të thjeshta, kaq esenciale, i ka siguruar vetes dhe familjes një mbrojtje të duhur. Mirëpo, si duket, nuk po kuptohemi. Teorikisht Qeveria i ka marrë masat e duhura, kurse praktikisht një numër i madh i qytetarëve nuk po i përfill ato. Po vazhdojnë dasmat, po vazhdon komunikimi i afërt dhe si rrjedhojë qendrat spitalore janë buzë kolapsit. Siç edhe e kemi parë tash, pacientët po shtrihen për t’u trajtuar nëpër korridore. Nëse ky trend vazhdon, atëherë do të mbushen edhe korridoret dhe pacientët do të shtrihen nëpër oborre të klinikave. Këtë film e kemi parë në shtete shumë më të fuqishme sesa ky i yni, bie fjala në Itali e Spanjë.

Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj se si kemi vendosur të hapemi, pas një ngujimi disamujor në pranverën e hershme. Të bindur që tashmë më e keqja ka kaluar, e vazhduam jetën sikur në vitin 2019. Pak a shumë njësoj vepruan edhe shtetet tjera në rajonin e Ballkanit. Prej “nuk bën” te “bën” nuk patëm asgjë në mes. Shto këtu edhe zërat prej anash që “virusi nuk ekziston”, të cilët ishin një muzikë e duhur për njerëzit që dëshironin të përfundonte ky ankth. Mirëpo, ky ankth nuk ka përfunduar. Përkundrazi duket që jemi mu në epiqendër. Autoritetet morale botërore nga mjekësia janë të bindur që rikthimi i virusit gjatë këtyre javëve të fundit nuk është madje as vala e dytë e tij. Është thjesht vazhdim i valës së parë. Sipas tyre, gjatë muajve të vjeshtës bota duhet të përgatitet për stuhinë kryesore. Kjo edhe nisur prej asaj se çfarë kishte ndodhur para 100 vjetësh, në atë që njihet si influenza spanjolle, që ua kishte marrë jetën 50 -100 milionë njerëzve. Në atë kohë vjeshta ka qenë shumë më tragjike sesa vetë pranvera. Shkencëtarët besojnë që gjatë vjeshtës, kur edhe rikthehen viruset sezonale, një përzierje e COVID-it me ta do të shkaktojë kaos total.

Ne ende jemi në muajt e verës, kurse gjendjen e kemi pothuajse të papërballueshme. Njerëzve u është sosur durimi dhe nuk duan të dëgjojnë për restriksione. Qeveria me një reputacion më të keq sesa edhe vetë COVID-i po prashit në ujë. Kurse opozita duket e kënaqur që ky koalicion po fundoset. Ky është një teatër absurd që po ndodh para hundëve tona.

Mirëpo, nëse dikush po mendon që tashmë e kemi arritur pikun dhe se po e shohim më të keqen, e ka gabim. Raportimet se shumica e kanë kaluar virusin dhe se tash jemi afër një lloj imuniteti kolektiv janë të paqëndrueshme. Janë thjesht hamendësime joshkencore. Disa teste serologjike të kryera nga komuna e Prishtinës tregojnë që shumë pak prej nesh kemi krijuar imunitet, çfarë do të thotë se nuk jemi afër për ta parë syrin e ciklonit të uraganit. Mirëpo, kështu si janë gjërat, po shkojmë drejt tij sikur cjapi te kasapi. Në pranverën e hershme e patëm arritur një marrëveshje shoqërore të pashkruar që këtij syrit të ciklonit t’i shmangeshim sa më shumë që të ishte e mundur. Pra të kalonim nëpër uragan, sepse do të ishte e pamundur që të mos kalonim, por t’i binim më në periferi të tij. Tash ajo marrëveshje është shkelur prej të gjitha palëve. Është një kakofoni totale. Pra, perspektiva është mjaft e zymtë, që të mos themi e pashpresë. Virusi është lënë në gjendje të lirë për ta bërë punën e tij, çfarë është edhe dëshira e tij. Nëse vazhdohet kështu, pra nëse nuk i vihet një pengesë e fuqishme në rrugë, do ta provojmë edhe praktikisht brutalitetin e tij të plotë. Do të shndërrohemi në nasihat për pjesën tjetër të botës. Bota do ta marrë shembull mënyrën se si Suedia e ka trajtuar virusin, duke llogaritur në ndërgjegjen qytetare, se si pjesa tjetër e BE-së e ka trajtuar atë, ku shteti ka bërë kufizime dhe qytetarët janë bindur dhe se si Kosova e ka bërë një gjë të tillë, Qeveria dhe qytetarët e së cilës nuk kanë arritur as të komunikojnë me njëri-tjetrin e gjithashtu ndërgjegje nuk ka pasur asnjëra palë. Prej rastit tonë ka mundësi që do të mësojë shumëkush, kurse ne do të pësojmë.

Nisur prej kësaj që u tha më lart, a i bie që tash çdo gjë ka marrë fund?
Unë besoj që në parim e keqja nuk njeh fund. Situata është shumë e keqe, por gjithashtu mund të bëhet shumë më keq. Si mund të bëhet më keq sesa tash? Nëse për Festën e Kurban Bajramit, që e kemi para vetes, qytetarët vendosin të qarkullojnë prej një dere në një tjetër pa kurrfarë kontrolli, siç kishte ndodhur për Fitër Bajram. Atëherë gjasat janë që do të hapen Portat e Ferrit. Prandaj, për ta parandaluar një skenar të tillë ekstrem, Qeveria duhet urgjentisht që për disa ditë me radhë ta bllokojë jetën në vendin tonë. Duhet të ndalohet liria e qarkullimit, duhet të vendoset ora policore. Dhe një gjë e tillë nuk duhet të bëhet vetëm në rrafshin teorik. Policia duhet të shkojë në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo rrugë dhe rrugicë për t’i implementuar masat. Tjetër shpresë nuk ka. Ose do ta ndjekim logjikën e Labit, ose të shkencës. Kjo e fundit kërkon impenjim, rigorozitet dhe forcë të ligjit. Në anën tjetër, logjika e të parit është logjikë tradicionale, që përfundon me një ofshamë dëshpëruese “në dorë të Zotit”. Gjasat janë që as Zotin nuk do ta kemi me vete, nëse sillemi kështu.

Thuhet që gjatë një përmbytjeje të madhe, një qytetar që besonte në Zot kishte mbetur në maje të kulmit të shtëpisë, kur uji e kishte gllabëruar çdo gjë rreth tij. Një fqinj i tij, që e kishte pasur një varkë të vogël, i kishte shkuar në ndihmë, duke i thënë atij që të zbriste sepse do ta ndihmonte. “Jo, jo, vazhdo ti, sepse unë po i lutem Zotit, ai do të më ndihmojë”.

Nuk kishte vonuar shumë dhe atij i kishte shkuar në ndihmë një qytetar tjetër që e kishte pasur një anije me motor. “Kërce prej kulmit, të shpëtoj unë”, i kishte thënë ai. Edhe këtij ia kishte dhënë përgjigjen e njëjtë. I kishte thënë të largohej, sepse ai po i lutej Zotit dhe Ai do ta ndihmonte.

Pak më vonë kishte arritur edhe një ndihmë me helikopter. Përgjigja kishte qenë e njëjtë. Nuk kishte vonuar dhe niveli i ujit kishte mbërritur mbi kulm dhe ai qytetar u mbyt.

Në botën tjetër ai u takua me Zotin dhe e kishte mundësinë që ta diskutonte me të situatën tragjike. “Zot, unë kisha besim në ty, por ti nuk më shpëtove. Nuk po e kuptoj pse?”

“Unë ta dërgova ty një varkë, ta dërgova një anije më motor dhe ta dërgova edhe një helikopter. Çka prite tjetër gjë”, iu përgjigj Zoti.

Ne deri më tash i kemi refuzuar shumë mundësi. Ndoshta na ka mbetur vetëm edhe helikopteri.

Shkruan: Berat BUZHALA

Leave a Reply