Paragjykimi, është një vrasës!

0
283

Kur isha fëmijë jetën e kam kuptuar ndryshe, e kam dashur në mënyrën siç e do peshku ujin e toka diellin.
Kam pasur ëndrra, dëshira dhe dashni të pastër për secilin që m’ka rrethu.
E duke u rritur, në përballje me vështirësit që jeta m’i ka dhuru, nisa me kuptu se, jeta është një andërr e keqe, për ata që nuk kanë guximin me jetu.

Pavarësisht, guximit që e kisha, këtë njeri që sot e keni përball, shpesh ia kanë vra shpirtin e’ kanë dashtë me ia ndalë andrrat, tu e: Paragjyku, bullizu, injoru, refuzu, neglizhu, ofendu, përbuzë, e fjalë që veç fuqia e Zotit m’ka ba me i duru.

Krejt kjo; “Veç pse kam ecë ndryshe”.

Ky ka qenë thelbi i injorancës, në një shoqëri me mentalitet primitiv, në një shoqëri që m’kanë kqyrë me sy ndryshe, m’kanë ba me u ndih ndryshe, se m’kanë trajtu ndryshe.

Edhe pse kam punu me ditë, javë, muaj e vite për me arritë diçka, prapë ka dalë dikush e ka thanë, “këtij ia kanë falë që asht qashtu”. Ani pse me krejt mundin tem, tu nejt shumë netë pa gjumë e tu e nda veten prej momenteve ma t’mira të jetës, kam vazhdu me punu për suksesin, se dëshira jem gjithmonë u kanë me dalë i pari.

Ka pasur momente, kur jam ndalë dhe e kam ndjerë fundin, ka pasur momente edhe kur e kam lut Zotin që me ma ndalë frymën, por Zoti m’ka lanë me jetu, ndoshta ka një arsye të fortë që sot unë jam këtu. Ndoshta, nuk e di.

Të trajtohesh ndryshe, për diçka që ka qenë në vullnetin e krijuesit, është absurde.
Të gjykohesh për diçka që nuk ka qenë në dorën tënde, është jashtë çdo ndjenje njerëzore.

Paragjykimi është një vrasës, shumkush m’ka vra në mënyra që s’mundem me i kujtu.
Tu m’paragjyku m’kanë nda prej njerëzve që me ta e kam mendu jetën, m’kanë nda prej njerëzve që m’kanë ba me e dashtë jetën, se për mu ata kanë qenë vetë jeta, gjithçka.

Sot, ka ardhur koha që tu kërkojë falje të gjithë atyre që më “deshtën ndryshe”, sepse nuk isha ashtu siç ata deshtën.
Ka ardhur koha, që t’i falenderohem Zotit çdo ditë për këtë që jam.

Në jetën time kam humbur vetëm njëherë, vërtet, kam humbur atë që i frikësohesha më së shumti se do ta humbja, atë e kam humbur por s’kam diçka tjetër më për të humbur, dhe humbje tjera nuk njohë.
Prej asaj humbjeje, gjithçka që bëjë është veç FITORE.

Edhe kur zemra ime të pushojë së rrahuri, unë kam fituar mbi jetën.

Shkruan: Leonor BERISHA

Leave a Reply