Para një qeverisje normale, apo para një mashtrimi të madh!

0
388

Fillimisht vlen të përmendet konstatimi i autorëve: Acemoglu, Egorov dhe Sonin, të cilët me të drejtë shprehen në hulumtimin e tyre me titull ‘një teori politke e populizmit, se “kohët e fundit ka pasur një ringjallje të politikanëve ‘populistë’ në shumë vende në zhvillim, veçanërisht në Amerikën Latine. Hugo Chavez në Venezuelë, Kirchners në Argjentinë, Evo Morales në Bolivi, Alan Garcia në Peru dhe Rafael Correa në Ekuador, janë disa nga shembujt (Acemoglu, Daron,Egorov, Georgy dhe Sonin, 2010).

Por, kjo tashmë është prezente edhe në disa prej vendeve në zhvillim në kontinentin e Evropës, siç janë vendet e Ballaknit, ku bënë pjesë edhe Republika e Kosovës, e pa përjashtime, populizmi po gjenë vend edhe në shtetet e zhvilluara brenda Bashkimit Evropian.

Është për tu përmendur se gjatë dekadës së fundit disa palë zgjedhje kanë kthyer vëmendjen në populizëm në Evropë. Zgjedhjet lokale franceze të marsit 2011 e kthyen Frontin Kombëtar në nivelin e tij të mbështetjes 10 deri në 15 vjet më parë (rreth 15%). Zgjedhjet parlamentare të Finlandës të Prillit 2011 bënë partinë e tretë të “Finlandezëve të Vërtetë” të Finlandës me 19%. Më parë, hyrja e partisë së Geert Wilders në koalicionin qeverisës Hollandez (Partia e tij e Lirisë tani është partia e tretë e vendit me 24 vende) dhe përparimi i Demokratëve të Suedisë në zgjedhjet parlamentare (5.7% dhe 20 vende) tashmë kishin ringjallur debatin e nxehtë mbi ngritja e populizmit dhe e vendosi atë në një kontekst me të vërtetë evropian (Yves Surel, 2011).

Në një raport të dalë nga Univeristeti i Vashingtonit, të titulluar impaktet globale të populizmit në demokraci, theksohet se, “populizmi është një ‘komb’ i unifikuar mistikisht kundër ‘elitave’ të korruptuara dhe armiqve të jashtëm, dhe pretendon për një udhëheqës karizmatik me fuqinë për të shprehur vullnetin e kombit. Prandaj, është në thelb joliberalë, duke refuzuar diversitetin e identitetit dhe të mendimit brenda shoqërisë, dhe duke hedhur poshtë parimet themelore të të menduarit modern kushtetues: që demokracia kërkon kufizime në vullnetin e shumicës dhe kontrollon vendimet e ekzekutivit”. Lëvizjet politike ekstreme, të cilat janë prezente në vendet e Ballkanit, që në ‘shpirtë’ bartin urrejtjen, dhe secili që nuk është përkrahës i tyre është armik dhe i dëmshëm për vendin, si dhe, duke u dhënë kundërshtarëve politikë stigma nga më të rëndat, si: Hajdutë, kriminel, etj, paraqesin lëvizje tipike populiste, e që fatkeqësisht gjejnë terrene të plleshme më shumë në vendet e varfëra, ku vetëdija politike e popullatës së atyre vendeve është për të dëshiruar.
Funksionimi ideologjik i partive politike në Kosovë, ashtu si edhe në shumë vende tjera është me shumë paqartësi. “Kjo pasi vijat dhe pozicionet e qarta ideologjike, më shpesh se sa rrallë, e kanë humbur peshën e madhe që e kishin dikur. Pavarësisht kësaj, premisat ideologjike vazhdojnë të mbeten me rëndësi, për të kuptuar më mirë funksionimin dhe rreshtimin e partive politike brenda sistemit politik”( Hofmeister & Grabow, 2020).

Historia e zhvillimit politikë në Kosovë, rrjedhat e ngjarjeve politike gjatë dy dekadave, nga përfundimi i luftës më 1999, e deri në vitin 2020, tregojnë për krijimin e një kulture politike jo demokratike, për gjuhë të ashpër politike dhe jo të argumentuar, dhe për populizëm politikë të tepruar për ardhje në pushtet, si mungesë e ideve konkrete zhvillimore.
Populizmat janë të shprehur edhe në dokumetet e shkruara që proklamojnë partitë politike. Nga partitë që është zhvilluar dhe ngritur saktësisht mbi ide populiste është Lëvizja Vetëvendosje. Nga krijimi i saj e deri më tani, gjuha e ashpër duke stigmatizuar të gjithë partitë tjera politike, dhe secilin politikanë që ka mbajtur pozit në pushtet, ka qenë ‘kultura’ e saj e sjelljes politike. Për më tepër, Vetëvendosje akuzonte dhe i shihte si armiq edhe administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Në dokumentin që Vetëvendosje e quan si “Manifesti i Vetëvendosjes!-s, veq tjerash theksohet se, “Administrimi i UNMIK-ut në Kosovë është regjim antidemokratik” . Më tutje në këtë dokument të Vetëvendosjes theksohet: “Si mund të ndodh ndryshe me një sistem, thelbi i veprimeve të të cilit është negacioni i vullnetit të popullit? Përkohshmëria e papërcaktuar e UNMIK-ut është bërë e padurueshme. Pushteti i tij këtu është antiteza e vetëvendosjes. Prandaj lirinë s’e kemi as sot”. Duke njohur fuqinë tonë për t’u çliruar nga pushtuesi Serbë, duke njohur mundësitë tona shtetndërtuese, dhe për më tepër, edhe mundësitë tona për të ndërtuar demokracinë në vend, rrugëtimi pa Bashkësinë Ndërkombëtare, saktësisht aleatët që investuan në çlirimin e Kosovës, një qasje e tillë e shpërfaqur nga Lëvizja Vetëvendosje, është absurditeti më i madh politikë.

Ngritja politike e Vetëvendosjes nën parullat patriotike kundër Serbisë, nën akuzat për tradhëti të pushtetarëve, dhe me etiketime të ndryshme si të korruptuar, kriminel, hajdutë, etj, paraqet egzaktësisht populizëm, që i është përgjigjur gjendjes dhe rrethanave ekonomiko-sociale në Kosovë, e që saktësisht i përgjigjet konstatimi i autorëve të lartëcekur, Acemoglu, Egorov dhe Sonin, të cilët theksojnë se “etiketimi populist shpesh përdoret për të theksuar se këta politikanë përdorin retorikën e mbrojtjes agresive të interesave të njerëzve të zakonshëm kundër elitës së privilegjuar”.

Gjithashtu, vlersoj se me të drejtë thekson edhe Bonikowski se “shumica e strategjive politike, thirrjet populiste jo vetëm që diagnostifikojnë një problem politik – në këtë rast, elitat ‘braktisin të mirën e përbashkët në favor të vetëinteresimit të tyre – por gjithashtu ofrojnë një zgjidhje, domethënë blerjen e pushtetit politik nga politikani populist ose parti në emër të popullit. Sidoqoftë, ajo që e ndërlikon këtë llogari të thjeshtë politike është delegjitimimi i vazhdueshëm nga populistët i institucioneve demokratike. Dyshimi moral i hedhur në elitat gjoja të korruptuara, shpesh shtrihet në institucionet nga të cilat përfitojnë ato elita, siç dëshmohet nga referencat e shpeshta në diskursin populist për zgjedhjet e manipuluara dhe fuqia e interesave të veçanta” (Bart Bonikowski, 2016).

Në fund të fundit, vlen të përmendet përfundimi të ciln e nxjerr Akkerman, i cili thekson se “për aq sa populizmi radikal aspiron të rivendosë sovranitetin e plotë të njerëzve, unë do të argumentoja që kërcënimi që populizmi paraqet në dimensionin kushtetues të demokracisë nuk duhet të nënvlerësohet. Pa kufizime kushtetuese, vetë demokracia po bëhet më e dobët, jo më e fortë” (Tjitske Akkerman, 2003).
Nuk ka dyshim se qasjet populiste sjellin pasoja, si në kontekstin e zhvillimit ekonomik, po ashtu edhe në kontekst të zhvillimeve politike. Siç konstatohet edhe nga Instituti Gjerman për Zhvillim se, trendet në rritje populiste paraqesin kërcënime të mundshme për zhvillimin e qëndrueshëm global. Ato mund të çojnë në disa aspekte në pengesa të konsiderueshme kur bëhet fjalë për adresimin e çështjeve të zhvillimit të qëndrueshëm global dhe të rrezikojnë multilateralizmin në tërësi. E para, lidhet me braktisjen e përpjekjeve për të promovuar integrimin. Pengesa e dytë, shihet në nivelin e institucioneve shumëpalëshe dhe tregtisë ndërkombëtare: tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare, dhe dobësimi i një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Nga kjo qasje, e sjellë nga politikat e Lëvizjes Vetëvendosje, Kosova ka pësuar si në aspektin e brendhsëm ashtu edhe në aspektin e jashtëm, duke krijuar destabilitet politik dhe ngadalësim të procesit të shtetndërtimit dhe fuqizimit të demokracisë. Në fakt, pasojat e sjelljeve jo politike, protestave të dhunshme, dhunës në Kuvendin e Kosovës, etj, kanë shkaktuar ngadalësimin e rrëgës drejtë integrimeve në Bashkimin Evropian, duke e paraqitur Kosovën si një vend me destabilitet politikë.
Duhet vlersuar se, ardhja në pushtet e Donald Tramp-it në Shtetet e Bashkuara, si dhe fitorja e kampit “Largohu” në Mbretërinë e Bashkuar , kanë qenë të pa pritura nga shumë studiues dhe analist, të cilët kanë vlerësuar kryesisht qasjen populiste të tyre, në mënyrë të ngjashme, nuk është prit as fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje, por që, zgjedhjet e fundit të vitit 2019, e vendosin si partinë e parë në Kosovë.
Për fund, vlen të theksohet se, populizmi mund të jetë ‘provë’ në vendet e zhvilluara dhe demokracitë e konsoliduara, por, për shumë arsye, kjo nuk mund të vlejë për vendet që janë në tranzicion dhe që kanë demokraci të brishta, siç është rasti me Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Shkruan: Fatmir HALILI

Leave a Reply