Një kujtim për prillin e 1999!

0
533

Pasi që dihet se me cilin presion është larguar popullata civile pas fillimit të bambardimeve të Nato-s me caqet serbe, në Vërri mbetën vetëm ushtarët e UÇK-së dhe disa pleq siç ishin katër në Hoçë të Qytetit, dy në Poslisht, një në Kushtrim dhe një në Malësi të Vërrinit. Luftëtarët tanë e vëzhgonin çdo lëvizje të armikut dhe çdo hyrje-dalje në territorin e Vërrinit. Po në këtë kohë radhëve tona gati çdo ditë i vinin përforcime me ushtarë të rinj. Ishte pra kjo koha kur edhe popullata efshatrave të Opojës ishte larguar për në Shqipëri.

Gjatë kësaj kohe edhe forcat armike serbe kërkonin pikastrategjike për t’u pozicionuar në territorin e Vërrinit,sepse ky territor ishte rajon me pozitë shumë të përshtatshme strategjike për luftë në Kosovë dhe ishte afër kufirit me Shqipërin!
Ato ditë ishim mbi dyzet ushtarë të vendosur në
fshatin Kushtrim, kur forca të mëdha të policisë, ushtrisë, paramilitarë dhe forcave tjera mercenare si rusë e ukrainas, u drejtuan për t’u vendosur në rajonin e Vërrinit.

Ishte 6 prilli 1999, kur një kolonë me makineri dhe forca të shumta ushtarake ishin drejtuar për t’u vendosur në fshatin Hoçë të Qytetit dhe gjithë këtë lëvizje ne e përcillnim nga një largësi prej dy kilometrash sa ishte largësia e fshatit Kushtrim dhe fshatit Hoçë tëe Qytetit dhe natyrisht po afrohej edhe momenti i një lufte me armikun.
Të gjitha këto lëvizje unë dhe Hoxha i përcillnim me përpikëri dhe erdhëm në përfundim për taktikën e luftës sesi do t’i sulmojmë ata. Atëherë e bëmë sistemimin e ushtarëve nëpër pika të ndryshme, ndërsa unë dhe Hoxha u vendosëm në hyrje të fshatit Kushtrim me një skuadër të ushtarëve, e cila udhëhiqej nga Flurim Islamaj, ndërsa skuadra tjetër udhëhiqej nga Feridi Berisha, e cila skuadër mbante daljen e fshatit Kushtrim në drejtim të Zhurit, kurse tri skuadra tjera u vendosën në prapavijë mbi fshat, prej nga gjithmonë rrezikohej territori i Vërrinit në drejtim të rajonit të Opojës. Kjo skuadër udhëhiqej nga Mirsad Berisha dhe Refet Krasniqi dhe ishte pika më e ndjeshme në Gur të Kuq, kurse skuadra tjetër që udhëhiqej nga Isa Berisha, që ishte i vendosur në afërsi të fshatit Jeshkovë dhe një numër i vogël i ushtarëve, të cilët e kishin detyrën e vëzhgimit mbi fshatin Hoçë tëe Qytetit, ndërsa në fshat mbetën 23 ushtarë dhe pritnim që forcat serbe të afroheshin drejt nesh.

Më në mengjesin 7 prill 1999, forcat e armikut serb ia mësyn fshatit tonë. Atë ditë u nisën në drejtim të fshatit. Në mes tyre ishte një xhip me katër oficerë serbë i shoqëruar edhe nga një kombibus i mbushur përplot me ushtarë.
Atëherë Flurim Islamaj na njoftoj se forcat armike serbe po vinin në drejtim të fshatit Kushtrim.
Natyrisht, ne sipas planit që e kishim bērë veç më parë u vendosëm nëpër pozicione dhe në hyrje të fshatit, te shkolla hapëm zjarr në drejtim të tyre.

Me zjarrin e parë sulmohet xhipi ku ishin 4 eprorët, të cilët eliminohen përnjëherësh, pastaj një numër i ushtarëve serbë hyjnë brenda në objektin e shkollës dhe fillojnë gjuajtjet e pandërprera, ndërsa përgjigjja nga ana e tyre kishte shumë pak, sepse serbët në ato momente u gjetën në një pozitë të papritur dhe në befasi.
Në ato momente dëgjoheshin vetëm britmat e tyre dhe lutjet për të shpëtuar nga ajo situatë dhe nga ai sulm i furishëm. Armiku pësoi humbje të mëdha.
Ne në këtë sulm e përdorëm gjithë armatimin, të cilin e kishim në dispozicion, duke përfshirë këtu edhe antitankun. Dhe natyrisht i gjithë njësiti i armikut u eliminua, por një ushtar i plagosur serb, i cili kishte mbetur gjallë, arrin të ikte në drejtim të Hoçës së Qytetit, ku e ka alarmuar ushtrinë serbe të vendosur atje, dhe krismat dhe detonimet e asaj lufte dëgjoheshin me kilometra të tërë. Me këtë rast, për shkak të humbjeve të pësuara, serbët bëjnë hakmarrje dhe vrasin 4 civilë shqiptarë të Hoçës së Qytetit.

Forcat serbe të vendosura te shkolla e Vlashnjes drejtohen me tanke drejt fshatit ku ishim të vendosur ne dhe në drejtim të Opojës prej nga na kishin sulmuar vazhdimisht edhe në ofensivat e më parme. Gjatë tërheqjes sonë në drejtim të fshatit kanë arritur edhe autoblindat serbe dhe tanket, të cilat filluan të granatojnë nëpër fshat, pa e ditur fare se ku jemi. Pra ishte kjo edhe një shenjë se serbët ishin në panik edhe në kohën e tërheqjes së kufomave të ushtarakëve dhe ushtarëve të tyre.

Në dalje të fshatit në drejtim të bjeshkës kishin depërtuar forcat serbe dhe diku rreth orës dhjetë, ne u gjendëm në një rrethim të hekurt, ndërsa njësitet tona në prapavijë kishin mbetur jashtë rrethit ku ishim ne, kështu që në një farë forme ne e humbëm kontaktin me njësitet tona, që i kishim në prapavijë, sepse ne e kishim pritur të rrezikoheshim më tepër nga territori i Opojës, ndërsa ata na ishin futur nën gërshërë dhe kështu ky njësit në prapavijë kishte ngelur jashtë rrjetit të radiolidhjeve, për shkak edhe të pozitës gjeografike dhe kështu ne mbetëm të rrethuar deri në mbrëmje.
Pak para se të bjerë muzgu, unë arrita të bie në kontakt me Isa Berishën dhe në momentin kur isha duke komunikuar përmes radiolidhjes, njërës nga radiolidhjet i shpenzohet bateria dhe kështu mbetem përsëri pa u marrë vesh sesi të veprohet më tej. Ishte ky momenti, që edhe gjatë kohës sa ishim në rrethim kemi rënë në lidhje edhe me shtabin e Brigadës 125 dhe e kemi njoftuar për luftimet dhe pozitën në të cilën gjendeshim atë ditë. Në mbrëmje vendosëm të dalim nga rrethimi, pra të gjithë ata 23 ushtarë sa ishim të rrethuar, duke lëvizur me Hoxhë në drejtim të vendit të quajtur”përpanik”, me vete e kishim edhe Agjiun, i cili e njihte mirë atë terren dhe pa të gjithë ushtarë të tjer.

Gjatë shpërthimit të rrethimit, në një moment duke u drejtuar në një drejtim nga i kisha caktuar dy njësitet në prapavijë që udhëhiqeshin nga Isa Berisha dhe Mirsad Berisha, Hoxha e bëri një lëvizje duke dyshuar se aty afër janë të vendosur serbët, sepse në ato momente frynte edhe një erë e fortë dhe Hoxha gjuan, duke qëlluar në bunkerin e serbëve me ç’rast mbesin të vrarë një numër i paramilitarëve serbë të cilët kishin qenë aty. Pas këtij aksioni të suksesshëm të Hoxhës, natyrisht fillojnë gjuajtjet e ashpra të policisë dhe ushtrisë serbe nga të katër anët, kështu që për momentin unë dyshoja se Hoxha ka rënë në pritë, por pasi që unë, Ylli dhe Agjia mbetëm të shtrirë në një largësi prej 50 metrash, pa kurrfarë mbrojtje karshi gjuajtjeve serbe, atëherë unë përmes radio-lidhjes duke tentuar të bie në kontakt me Feridi Berishën, në lidhje na hyn Hoxha dhe më tregoi për pozicionin se ku ishte, sepse ishte natë dhe ishte rrezik të vriteshim mes veti, kur e kuptova se ku ishin, e dërgova njërin nga ushtarët që ishin pranë meje, konkretisht Yllin, që t’i tërhiqte dhe i kemi tërhequr në heshtje ku edhe kemi dalë jashtë rrethimit dhe pasi kemi dalë nga ky rrethim, ne e kemi bërë edhe një provokim në drejtim të forcave armike serbe, të cilët në panik frikoheshin të na tregonin me anë të të shtënave se ku ishin.

Ndërsa, ne u drejtuam në drejtim të vendit ku ishte i pozicionuar njësiti i Mirsad Berishës, e që afër tij ishte edhe Refet Krasniqi dhe aty biem në kontakt, e kuptojmë se ka qenë një lëvizje e pakontrolluar e ushtarëve në ato momente dhe nga këto lëvizje nga ne shkëputet dhe e humbim lidhjen edhe me Isa Berishën, i cili ishte i shoqëruar nga Fazli Shala nga Malësia e Vërrinit. Isa nuk e njihte mirë atë terren dhe kështu e kishte humbur edhe kontrollin nga ushtarët që i kishte pasur në përgjegjësi, sepse edhe nata e kishte bërë të vetën, kështu që vetëm pas tri jave arritëm të takoheshim me të në Malësi të Vërrinit.

Kanë qenë këto momente kur dalim nga rrethimi dhe natyrisht ne edhe më 8 prill 1999 e bëjmë edhe një provokim apo një konfrontim me forcat serbe, të cilat tentonin të vendoseshin në një pozicion në bjeshkët e Kushtrimit dhe të Brutit e që tentonin të na futnin përsëri nën rrethim, por në atë kohë e kishim në dispozicion një pushkë snajper me të cilën lëvizjet e serbëve në drejtimin tonë i ndalnim me shumë sukses, sepse serbët vetëm në momentin kur shihnin shokët e tyre se po rrëzoheshin për dhe të vdekur, filluan të zmbrapseshin dhe kështu përkundër kësaj tendence të çetnikëve serbë për të na ofruar dhe rrethuar, ne i mbrapsnim dhe arritëm ta rrethojmë atë pozicion të tyre, duke u shkaktuar humbje të
mëdha.

Ne kemi informacione nga snaiperisti ynë se ushtari i plagosur ka ikur në drejtim të fshatit Hoçë të Qytetit, ku më vonë do të kuptojmë se ai kishte dhënë urdhër që të ekzekutohen katër pleqtë, të cilët ishin zënë robër në këtë fshat, si Ahmet Krasniqi, Rrahim Shala, Mehmet Shala dhe Tamil Krasniqi, ndërsa pas futjes së forcave serbe edhe në fshatin Kushtrim, edhe aty ka qenë një plak, i cili ka qenë i verbuar, i cili s’kishte pranuar të largohet nga fshati edhe përkundër insistimit tonë, prandaj edhe plaku Ahmet Dervishaj, është vrarë e masakruar nga forcat serbe. Pas këtyre që i thashë, ne e vazhduam rrugën në drejtim të fshatit Jeshkovë.

Mbi fshat, duke kaluar brigjeve të vështira jam lënduar në këmbë, ku do të detyrohem të qëndroj 24 orë në fshatin Malësi të Vërrinit, prej nga pastaj shokët më bartin deri në Lagjen Tusuz, të Prizrenit, ku do të takojmë të gjithë ushtarët, me të cilët i kishim humbur lidhjet gjatë luftimeve të 7 prillit 1999 në fshatin Kushtrim.
Tusuzi edhe në të kaluarën, por edhe gjatë luftës së UÇK-së, ishte strehë e sigurt e ushtarëve dhe liridashësve. Aty kishte mbetur edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve civilë, të cilët na patën përkrahur gjatë gjithë luftës sonë. Në Lagjen Tusuz kishte të moshuar edhe deri në moshën 80 vjeçare, të cilët me kontributin e tyre na sillnin edhe informata se ku gjendeshin policia serbe. Preokupimi kryesor yni gjatë atyre ditëve ishte se ku gjendeshin Isa Berisha dhe Fazli Shala, të cilët na mungonin që nga data e shtatë prillit dhe përkundër këtyre preokupimeve ne vazhdonim aktivitetin tonë, ndërsa gjatë asaj kohe na shtoheshin vazhdimisht radhët tona nga brendia e qytetit.

Në mesin e tyre ishin edhe dy djemtë e Naim Krasniqit, Visari dhe Besniku, pastaj Artani e Fahriu dhe disa djem tjerë nga Prizreni, por ishin edhe disa vajza të cilat iu patën bashkuar radhëve të UÇK-së si, Bahrije Shipkovica të cilën e kam cekur edhe më herët, Valbona Shala me babanë Qazim Shalën, të cilët në atë kohë unë katër herë i kam dërguar në vëzhgim në territorin e Vërrinit, pra gjatë kohës sa unë isha në shërim dhe e gjitha bëhej vetëm për ta kërkuar Isën dhe Fazliun, sepse thënë të drejtën unë dyshoja se në luftimet e shtatë prillit mos kishin rënë në pritë dhe në herën e katërtë kur unë e dërgova Rustemin dhe Mirsadin dhe një grup të ushtarëve, Isën dhe Fazliun i gjejnë në Malësi të Vërrinit, së bashku me një plak, i cili ishte i vendosur që mos ta lëshonte fshatin dhe u kishte ndihmuar mjaft këtyre dy ushtarëve tanë.
Fjala ishte për plakun Bilall Arif Poniku.
Dhe natyrisht me kthimin e tyre në Lagjen Tusuz, njësiti ynë u kompletua ashtu siç ishim edhe në fillim…
Lufta vazhdoj deri me 12 qershor 1999!

Shkruan: Zafir BERISHA

Leave a Reply