Mos i ndani miqtë e Kosovës, sepse do të na duhen përsëri

0
151

Në kohën e betejave të brendshme politike, brutale, të pandershme, të pamoralshme dhe të rrezikshme, politikanët në Kosovë po shkaktojnë ndasi edhe në mesin e miqve të Kosovës.

Kanë krijuar dilema të papara deri tash: a jemi me Amerikën e me Evropën, a jemi me Grenellin a Eliot Engelin, a jemi me Trupmin dhe djalin e Trumpit, apo me Baidenin dhe djalin e tij, me Merkelin apo me Erdoganin. T’i lëmë rehat miqtë e Kosovës, sepse nuk po mbesin shumë. Dhe në këto momente edhe ata kanë hallet e veta; si të mbijetojnë, si do të përballen me pasojat shkatërruese të ekonomisë. Ata nuk veprojnë sipas ndjenjave momentale, hidhërimeve dhe impulseve, prandaj as kur të kalojë kriza nuk do ta dënojnë Kosovën pse nuk i ka dëgjuar Isa Mustafa apo Albin Kurti, apo Ramush Haradinaj. Po të ishin të vërteta të gjitha ato që fliten në Kosovë, atëherë Kosovën do të duhej ta harronin miqtë tanë “të gënjyer” apo “të tradhtuar”

T’i sqarojmë dy gjëra: E para është se në Kosovë është krijuar një koalicion i ri i partive politike, gjithëpërfshirës, i orientuar kundër Lëvizjes Vetëvendosje, dhe arritën ta votonin rënien e Qeverisë. E dyta është se shumica e madhe e miqve të Kosovës ishin kundër rrëzimit të kësaj qeverie në këtë kohë, edhe pse nuk favorizojnë një parti apo tjetrën, dhe se përsëritën do të punojnë me secilën qeveri të cilën e zgjedh populli i Kosovës.

Të gjitha të tjerat janë gjëra që mund të debatohen, diskutohet dhe analizohen gjerë e gjatë. Cilat ishin qëllimet e vërteta për rrëzimin e Qeverisë? Kush kënd e tradhtoi?

Pos që ishte një akt i mjerueshëm, i panevojshëm në këtë moment dhe i rrezikshëm, rrëzimi i Qeverisë në këtë moment i la të befasuar edhe miqtë e vërtetë të Kosovës. Nga Brukseli, Berlini, Londra e Parisi e deri te Washingtoni.

Ata të cilët e kishin ndarë mendjen më herët për ta rrëzuar Qeverinë, para së gjithash kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, injoruan në mënyrë deri tash të paparë kërkesat, madje edhe në formë lutjeje, të dy shteteve kryesore evropiane, Gjermanisë dhe Francës. Isa Mustafa bëri kështu një eksperiment për të dalë menjëherë pas arritjes së qëllimit me porosinë se Kosova nuk ka kushte për të bërë eksperimente. E ai dhe partnerët e tij të rinj dhe të vjetër, nga PDK e AAK e deri tek Nisma, përmendën Amerikën dhe miqësinë që Qeveria po na e prish.

U bashkuan edhe ata që donin rënien e Qeverisë pse nuk po e heq taksën e edhe ata që e rrezuan pse po e heq taksën. U përmendën edhe sanksione ekonomike amerikane si arsyetim. U harrua se taksa ishte vënë para se të krijohej Qeveria e re, dhe atëherë ka mundur të jetë prishur miqësia. Nuk u përmend se Kosova ishte në listën e Programit të Sfidave të Mileniumit për shkak se është shumë e varfër (e vetmja pos Moldavisë dhe Gjeorgjisë) e jo për shkak të miqësisë me SHBA-në. Madje në një raport të publikuar më 6 shtator (një muaj para zgjedhjeve në Kosovë) në mesin e shteteve që kualifikohen për këto projekte të Sfidave të Mijëveçarit për vitin 2020 nuk figuron Kosova. Pos nëse nuk e kam lexuar mirë këtë raport. Por nuk ka rëndësi, siç nuk kanë rëndësi fare faktet në këtë debat të pakohë në Kosovë.

Kryeministri Kurti u mbrojt. Ndoshta bëri gabim kur tha se “ekziston një marrëveshje sekrete” e sidomos kur nisi të fliste se çfarë i kishin thënë bashkëbiseduesit në takime sy më sy. Kjo mund të jetë transparencë, por nuk është zakon. Traditë është që secili mund të flasë në publik për atë që ka thënë vetë e jo çfarë i ka thënë bashkëbiseduesi. E tek puna e “marrëveshjes sekrete” ai mund të dijë më shumë, por kjo u shfrytëzua për tentime për ta paraqitur si një njeri që nuk e thotë të vërtetën.

E për këtë u përdorën diplomatët amerikanë. Ata dhanë një deklaratë, e cila në Kosovë u lexua sipas qejfit. Tre diplomatë amerikanë thanë se “nuk ekziston një plan sekret”, se ata “nuk e kanë parë”.

Sipas të gjitha gjasave nuk ka marrëveshje të shkruar sekrete për shkëmbim të territorit mes Kosovës dhe Serbisë. Por gjasat janë të mëdha që kjo temë të jetë diskutuar dhe ka shumë burime që thonë se presidentët e Kosovës dhe Serbisë ishin të gatshëm të diskutonin për një gjë të tillë. Po ashtu, ka shumë edhe në BE, edhe në SHBA që ishin të gatshëm ta pranonin një zgjidhje të tillë “nëse kjo do të ishte rezultat i pajtimit të palëve”. Edhe po të kishte në formën e shkruar “marrëveshje sekrete”, nuk do të duhej pritur që dikush ta konfirmonte ekzistimin e saj. Në këtë gazetë, në më shumë se 25 vjet sa punoj, kam botuar edhe tekste nga “marrëveshjet sekrete” apo “letrave sekrete”, apo “raporteve sekrete”. Shpesh ata që m’i kanë dhënë vetë, më kanë thënë se, nëse do të pyeten, do të thonë se “nuk kanë dijeni për ndonjë dokument të tillë”.

Kosovarët do të bënin mirë sikur t’i linin rehat miqtë e Kosovës dhe të mos i përfshinin në betejat e brendshme politike. Ata as nuk duan të përfshihen në këtë. E për Kosovën ndarja e miqve të saj është në dëm të saj. Nuk kanë ardhur ata me qëndrime të ndryshme rreth Kosovës, por kanë qenë politikanët kosovarë ata që kanë ndërmarrë hapa që kanë shkaktuar ndasi tek miqtë tanë. Kush ka faj për çka? Le të kërkojnë përgjegjësi mes vete si për mosliberalizim vizash, si për çështje të tjera.

A e kanë fajin pse s’kemi liberalizim Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Skënder Hyseni pse në Vjenë nënshkruan Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe “u premtuan” apo “i gënjyen” miqtë ndërkombëtarë se i kanë votat për ratifikimin, çka bëri që ky të shndërrohej në kusht shtesë për liberalizim vizash. Apo fajin e ka Ramush Haradinaj që për një kohë nuk lejoi ratifikimin duke u dhënë argumente PDK-së dhe LDK-së se “u humb momentumi”, prandaj mbetëm pa liberalizim vizash. Apo e kanë fajin prokurorët dhe gjykatësit të cilët nuk kanë siguruar dënime të nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe konfiskim të pasurisë. Le të merren me vete dhe ta gjejnë fajtorin, nëse vërtet duan. Vetëm atëherë duhet ta bartin fajin tek “miqtë tanë”.

Në kohën e betejave të brendshme politike, brutale, të pandershme, të pamoralshme dhe të rrezikshme, politikanët në Kosovë po shkaktojnë ndasi edhe në mesin e miqve të Kosovës. Kanë krijuar dilema të papara deri tash: a jemi me Amerikën e me Evropën, a jemi me Grenellin a Eliot Engelin, a jemi me Trupmin dhe djalin e Trupit, apo me Baidenin dhe djalin e tij. Lërini rehat miqtë e Kosovës, sepse nuk po mbesin shumë. Dhe në këto momente edhe ata kanë hallet e veta; si të mbijetojnë, si do të përballen me pasojat shkatërruese të ekonomisë. Ata nuk veprojnë sipas ndjenjave momentale, hidhërimeve dhe impulseve, prandaj as kur të kalojë kriza nuk do ta dënojnë Kosovën pse nuk i ka dëgjuar Isa Mustafa apo Albin Kurti, apo Ramush Haradinaj. Po të ishin të vërteta të gjitha ato që fliten në Kosovë, se sa janë “hidhëruar” dhe sa na i kanë prishur “raportet dhe aleancat e përhershme”, atëherë Kosovën do të duhej ta harronin miqtë tanë “të gënjyer” apo “të tradhtuar”.

Ka dallime mes tyre. Gjermania nuk do ndryshim të kufijve e Franca është më e hapur ndaj kësaj ideje. Në SHBA nuk ka qëndrim të qartë. Së paku tash e dimë se ambasadori Grenell “personalisht” nuk mendon se kjo është “ide e mirë”, që është goditje për ata të cilët donin të fitonin mbështetje për shkëmbim territori duke e paraqitur si “ide amerikane”. Gjermania do liberalizim vizash për Kosovën, e Franca nuk do.

Ka shumë dallime, por rreth parimeve kryesore ende miqtë e Kosovës janë bashkë. Kosova duhet ta ketë një qeveri demokratike, duhet të respektohet Kushtetuta (ani pse në Kosovë e interpretojnë ndryshe), duhet ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe, mbi të gjitha, duhet të përballet me krizën e koronavirusit. Të gjitha dilemat e tjera se a duhet Kosova të zgjedhë mes Evropës e Amerikës, a është Qeveria antiamerikane e a është bërë për herë të parë në histori LDK-ja “antievropiane”, janë dilema artificiale që i kanë krijuar vetë politikanët në Kosovë për hesape të tyre. Le t’i kursejmë miqtë në këto kohë të vështira edhe për ta, sepse do të na duhen edhe në të ardhmen.

Shkruan: Augustin PALOKAJ

Leave a Reply