Mësimi në distancë apo online dhe sfidat e përbashkëta të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve gjatë koronavirusit (COVID-19)

0
1556

Më shumë se 1.5 miliardë studentë dhe të rinj në të gjithë planetin janë prekur nga mbyllja e shkollave dhe universiteteve për shkak të shpërthimit të COVID-19.Koalicioni i Edukimit Global i nisur nga UNESCO kërkon të lehtësojë mundësitë gjithëpërfshirëse të mësimit për fëmijë dhe të rinj gjatë kësaj periudhe të një ndërprerje të papritur dhe të paparë arsimore.Investimi në mësimin në distancë duhet të lehtësojë ndërprerjen e menjëhershme të shkaktuar nga COVID-19 dhe të krijojë qasje për të zhvilluar sisteme arsimore më të hapura dhe fleksibël për të ardhmen(UNESCO,2020).

Në fillim të muajit mars gjegjësisht me 11 mars edhe qeveria e Kosovës ka marrë masa të menjëhershme, si mbyllja e shkollave, anulimi i fluturimeve dhe i aktiviteteve të mëdha për të shmangur grumbullimin e njerëzve dhe kontaktet me njëri-tjetrin. Ndërprerja e procesit edukativo-mësimor për të gjitha nivelet, nga institucionet parashkollore e deri te institucionet e arsimit të lartë në sektorin publik dhe atë privat në gjithë territorin e Kosovës,ka krijuar një sfidë në vete për sistemin arsimor në tërësi,dhe në veqanti për nxënësit,mësimdhënësit dhe për prindërit.MASHTI u ka bërë thirrje nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve, që të vazhdojnë ndjekjen dhe zbatimin e mësimit në distancë apo mësimit online.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kanë publikuar Statistikat e Arsimit në Kosovë 2018/2019, ndër tjerash aty thuhet se numri total i nxënësve nga arsimi parashkollor publik deri tek institucionet parauniversitare publike është 466.439,fëmijë, nxënës dhe student, me gjithësej23,262 mësimdhënës për vitin 2018/2019, të cilët janë prekur nga mbyllja apo pezullimi i përkohshëm iinstitucioneve arsimore duke filluar nga kopshtet , shkollat dhe universitetet.

Sa i përket përdorimit të teknoligjisë informative dhe të komunkimit,rezultatet e dala nga publikimi i Agjensisë së Statistikave të Kosovës, rezulton se në vitin 2019 ekonomitë familjare në Kosovë kanë pasur qasje në internet nga shtëpitë, nga çfarëdo pajisje prej 93.2%. Qasja në internet kryesisht ka qenë nga telefoni celular, pasuar nga llaptop/kompjuter portativ, kompjuter desktop, tablet,sidoqoftë përdorimi i internetit është raportuar të bëhet më së shumti për qëllime argëtimi (rrjete sociale).

Kosova si shumë shtete tjera të botës, në kohë pandemie arsimin po e mbështet tek mësimi online edhe pse me shumë sfida, pa udhëzime të nevojshme, dhe e pa pregaditur si shumë vende tjera,që nga 16 marsi edhe në Kosovë ka filluar mësimi online,në arsimin fillor dhe të mesëm ,arsimi online ka filluar me mësimet e regjistruara në televizionin publik të Kosovës, e cila duket se nuk është shumë efektive sepse ka filluar me shumë urgjencë duke supozuar se situata nuk do të zgjasë më shumë se dy tri javë, dhe në një kohë të pazakonshme siç është pandemia ,sipas ekspertëve të arsimit në Kosovë thuhet se ky mësim online nuk është mësim i qasjes moderne ndaj mësimdhënies por është një zgjidhje e zorit si pasojë e situatës së krijuar.

Mësimi online nuk e zëvedëson mësimin klasik që zhvillohet në objektet edukativo-arsimore dhe ka disa sfida:

  • Së pari mësimi online është një risi si për mësimdhënësit, njëashtu edhe për nxënësit dhe prindërit e tyre.
  • Një sfidë tjetër është vlerësimi i nxënësve, mësimdhësimdhënësit nuk mund të kenë informacione të besueshëm se sa nxënës po i përcjellin këto mësime,sa prej tyre po i bëjnë detyrat dhe sa prej tyre po lexojnë apo nuk po lexojnë, në thelb mungon një interaksion mes nxënësve dhe mësimdhënësve.
  • Qasja dhe përdorimi i internetit edhe pse në shkallë të lartë, supozohet se një pjesë e fëmijëve që vijnë nga grupet e margjinalizuara e që mund të përbëjnë 10-15 % të numrit të nxënësve mund të mos kenë fare qasje në mësimet online, pastaj zonat rurale, janë në një pozitë më të rënduar sa i përket mësimit online.
  • Zhvillimi i mësimit në këtë formë është vështirë të jetë efektive nëse mungon bashkëpunimi dhe ndërveprimi i mësimdhënësve me nxënës dhe prindër, me ndërtimin e raporteve të mira komunikimi si zgjedhja më e mirë në mes të këtij trekëndëshi prind- nxënës – mësimdhënës atëherë këto sfida do të tejkalohen më lehtë në mënyrë që të arrihen rezultate më të mira të mundshme.
  • Izolimi ndikon në mirëqenien dhe gjendjen psikologjike të secilit prej akterëve pjesëmarrës në arsim duke filluar nga nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.
  • Mungesa e shërbimeve psikologjike sidomos gjatë kësaj situatë kur fëmijët dhe mësimdhënësit më së shumti kanë nevojë për këshilla dhe mbështetje psikologjike te ne mungojnë psikologët në sistemin arsimor dhe kjo është një sfidë në vete prej kohësh.

Megjithatë ka disa përparësi,me ndërprerjen e mësimit dhe me organizimin e mësimit online:

  • Institucionet kanë krijuar një siguri te fëmijët dhe prindërit e tyre,me qëllim të parandalimit të sëmundjes dhe mbrojtjes së shëndetit publik.
  • Ndërkohë duket se me angazhimin e tyre është bërë edhe zhvendosja e vëmendjes së nxënësve nga gjithë kjo situatë e pandemisë.
  • Një përparësi tjetër është se gjatë kësaj kohe ka dal në pah edhe njëherë rëndësia e integrimit të teknologjisë në sistemin arsimor në Kosovë, prandaj edhe institucionet si në nivel qëndror dhe ate lokal duhet të zhvillojnë politika që përforcojnë teknologjinë dhe përdorimin e saj në fushën e edukimit.
  • Prindërit i kushtojnë më shumë kohë fëmijëve të tyre dhe janë më të angazhuar rreth mësimit dhe mbështetjes së fëmijëve.

Ky trekëndësh prind – nxënës – mësimdhënës nuk është se nuk ka pasur sfida edhe para shpalljes së pandemisë dhe ndërpjerjes së mësimit ,madje një gjë të tillë e kanë theksuar edhe vetë institucionet e arsimit, duke pas parasysh që Kosova ka pasur mangësi në sistemin arsimor në tansi edhe gjatë zhvillimit të mësimit klasik,megjithatë ky është një hap i mirë dhe një hap i ri i cili besojë se me kthimin në kushte normale do të hap rrugë drejt një angazhimi më të madh të institucioneve të arsimit në integrimin e teknologjisë dhe digjitalizimin e materialeve shkollore.

Gjithë këto sfida të cilat u përmendën më lartë mund të ndikojnë në mirëqenien e mësimdhënësve,nxënësve dhe prindërve të tyre, atamund të ndjehen të shqetësuar, të mbingarkuar, konfuz dhe të stresuar përgjatë këtij procesi mësimor icili duket që nuk është edhe aq i lehtë për ta.

Për fund dua të përgëzojë dhe të falenderojë për vullnetin, angazhimin dhe punën e të gjithë atyre mësimdhënësve në tërë territorin e Republikës së Kosovës të cilët po japin maksimumin nga vetja edhe në këto kushte dhe rrethana të pandemisë duke rezikuar shëndetin e tyre, ata njejtë kanë vepruar edhe në rrethana të konfliktit dhe luftës dhe përkundër gjithë këtyre sfidave që u përmendën më lartë ata po luftojnë jo vetëm virusin por në të njejtën kohë po luftjnë për ta mbajtur gjallë edhe sistemin arsimor në Kosovë,falenderojë edhe prindërit të cilët këto ditë po angazhohen maksimalisht dhe po i mbështesin fëmijët gjatë procesit të mësimit.

Duke pas parasysh që asgjë nuk zgjatë përgjithmonë edhe kjo situatë do të përfundojë një ditë,por si do të përfundojë kjo mvaret prej nesh, prej secilit, është në duart tona prandaj,të bëjmë durim,të zbatojmë rekomandimet e institucioneve, të qëndrojmë në shtëpi që t’ja mundësojmë kthimin e fëmijëve në banka shkollore sa më parë.

Shkruan: Erolina MORINA – Psikologe Klinike

Referencat:

https://en.unesco.org/covid19/educationresponse/globalcoalition

https://ask.rks-gov.net/media/5055/statistikat-e-arsimit-2018-2019.pdf

https://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/add-news/rezultatet-e-anketes-se-perdorimit-te-teknologjise-informative-dhe-komunikimit-2019

Leave a Reply