Më 1 shtator 1998 nuk filloi viti i ri shkollor, por filloi beteja e UÇK-së për liri a vdekje në Vërri të Prizrenit

0
721

PARA 22 VITEVE, ME 01 SHTATOR 1998 NUK FILLOJ VITI I RI SHKOLLOR, POR FILLOJ BETEJA E UÇK PËR LIRI A VDEKJE KUNDËR SERBIS NË VËRRI TË PRIZRENIT!

Një natë para ofensivës së shtatorit, kishim informacione për lëvizje të mëdha të trupave serbe rreth territoreve ku ne i kishim pozicionet tona.
Megjithatë ushtarët tanë ishin vënë të gjithë në gjendje gatishmërie, pra të gjithë nëpër pozicionet e veta.

Natyrisht edhe komanda e brigadës ishte e vënë në veprim sipas detyrave të përcaktuara më 28 gusht 1998. Në zonën e përgjegjësisë së Batalionit të Parë, pasi që veç ishin vërejtur lëvizje të mëdha të forcave armike, sidomos drejt majës së Cyilenit, nga ana jonë kishte shkuar në atë pjesë për ndihmë edhe komandanti i policisë ushtarake Salajdin Berisha me një pjesë të policisë, atje kishte shkuar edhe komandanti I ZKZ-së Xhevat Berisha, ndërsa gjatë ditës kishte qenë në lëvizje edhe vetë komandanti i Brigadës Ekrem Rexha Drini.

Këto lëvizje, që bëheshin rreth territorit ku kontrollohej nga UÇK-ja, ne i patëm vërejtur, por në një mënyrë ishte edhe një rezervë, sepse disa ditë më parë përmes mjeteve të informimit okupatori serb kishte lajmëruar manovra ushtarake, gjë që për ne ishte lojë propagandistike ose luftë speciale që bëhej kundër popullatës dhe luftëtarëve të UÇK-së.

Me një fjalë komanda e Brigadës 125 dhe ushtarët e saj ishin në gjendje gatishmërie për sulme eventuale, gjë që edhe ndodhi ashtu. Ofensiva e madhe e ndërmarrë nga forcat serbe kundër pozicioneve të Brigadës 125 që vepronte në kuadër të zonës së lirë në Vërri dhe kundër fshatrave të Vërrinit, në përgjithësi, ishte njëra nga ofensivat më të ashpra që përjetuam ne ushtarët e UÇK-së, por në anën tjetër ne ishin të vendosur që të përballemi me forcat okupuese.

Në rrethin e Prizrenit, armiku serb kishte aktivizuar rreth 4000 forca ushtarake policore serbe, në mesin e të cilëve kishte edhe paramilitarë, mercenarë rusë e të viseve tjera, që e përkrahnin luftën okupuese serbe dhe këtë herë për ta mposhtur Vërrinin si një rajon me pozitë gjeografike, që nuk i konvenonte okupatorit serb të jetënën kontrollin e UÇK-së.
Rajoni i Vërrinit në kuadër të operacioneve që bënte UÇK-ja, në gjithë Kosovën ishte një territor me strategji të veçantë dhe pikërisht për këtë pushtuesi serb aktivizoi shumë forca dhe më 1 shtator 1998 rreth orës 7 të mëngjesit filloi sulmi i forcave armike serbe mbi pozicionet e UÇK-së. Fillimisht sulmi filloi në fshatin Lez, ku zhvillohet një luftë shumë e ashpër dhe këtu bëhet një rezistencë titanike e ushtarëve të UÇK-së nëpër të gjitha pozicionet.

Në Lez, u zhvillua njëra nga betejat më të mëdha deri atëherë, që ishin zhvilluar në Kosovë e sidomos në rrethin e Prizrenit. Luftimet pastaj u përhapën nëpër gjithë territorin e Vërrinit, por është me rëndësi se në këtë luftë forcat serbe sipas planeve të tyre gjatë gjithë kohës i granatonin pozicionet e Batalionit të Dytë nga largësia, ndërsa në ato të Batalionit të Parë, tentohej të futej këmbësoria, dhe kështu, në ditën e parë rreth orës 17 pas thyerjes së një pike të kompanisë në Lez, forcat serbe depërtojnë deri në fshat.

Në këtë luftë të ashpër dhe të përgjakshme, që zhvillohet në mes të forcave të UÇK-së dhe forcave armike, heroikisht në vijën e parë të frontit bien si, Xhevat Berisha, Salajdin Berisha, Shefqet Berisha, Hasim Berisha, Nehat Berisha, Alajdin Berisha, Bekim Berisha, Shahadin Berisha, Naip Berisha, Samidin Emini dhe Ibrahim Osmani, të cilët u dëshmuan me heroizmin e vet edhe më herët, e më vonë bien edhe dy pleqtë, Asllan Berisha dhe Izair Berisha. Gjatë po asaj nate, derisa po e vëzhgonin terrenin në mes të fshatit Kushnin dhe Arbëri, bien në pritë edhe ushtarët Tamil Shala, Refki Shala dhe Milaim Thaçi nga Kushnini. Dhe kështu filloi depërtimi I armikut në drejtim të territorit, që deri atëherë ishte I kontrolluar nga ushtarët e UÇK-së.

Kjo ishte një ofensivë, e cila me vete mori edhe shumë civilë, sepse në të njëjtën kohë pa ndërprerë nga forcat barbare serbe, granatohej fshati Malësi e Vërrinit, Kushnini, Arbëria, Lezi, selia e shtabit të Brigadës 125, në Jeshkovë dhe vetë fshati, Hoça e Qytetit, Kushtrimi-Billush, Poslisht si dhe të gjitha pikat e pozicioneve tona. Granatimet e ushtrisë barbare serbe bëheshin me të gjitha mjetet dhe artilerinë që kishte në dispozicion ushtria dhe policia serbo-jugosllave. Luftimet vazhduan edhe më 2 shtator dhe atë ditë më të ashpra ishin ato në fshatin Jeshkovë, sepse këmbëngulja e forcave serbe ishte që me çdo kusht të depërtonin deri në Shtabin e Brigadës 125.

Gjatë kësaj lufte heroike, diku pasdite bie njëri nga luftëtarët, njëri nga ata ushtarë që vështirë të lindë nëna më trim të atillë në rrethin e Prizrenit, e ky ishte Agim Shala, i cili bie në altarin e lirisë së bashku me babanë e tij Avdi Shalën, djalin e axhës të tyre, Besim Shalën dhe njëri nga policët e policisë ushtarake të UÇK-së, Fatmir Berisha.

Gjatë gjithë kësaj lufte, forcat barbare serbe gjuanin pa ndërprerje në pozicionet e fshatit Kushtrim, dhe tentonin të futeshin në Dushkajë të Poslishtit, pastaj në pikën e Tusuzit, por pasi që veç nga shpina ishin thyer pozicionet e Batalionit të Parë, rrezikohej edhe vija e pare e frontit në Tusuz dhe natyrisht komanda e Batalionit të Parë tërhiqet në fshatin Arbëri, ndërsa ne vazhdojmë të mbesim në pozicionet e Batalionit të Dytë derisa në kuadër të të gjitha këtyre luftimeve dita e tretë e gjeti në një pozitë të palakmueshme popullatën civile, sepse të gjithë ushtarët dhe burrat e Vërrinit të moshës mbi 18 vjeç ishin nëpër vijat e frontit.

Ato ditë, në shtëpinë e tyre në Prizren, vriten edhe dy ushtarë të shkëlqyeshëm të Brigadës 125, Astret Poniku dhe tekniku medicinal në spitalin ushtarak në Malësi të Vërrinit, studenti Arsim Poniku. Po ashtu forcat serbe gjatë tërheqjes nga fshati Malësi e Vërrinit, në fund të këtij fshati vranë Arsim Maliqajn, nga fshati Poslisht ndersa ne Hoq te Qytetit nga grantat ra Xhemil Krasniqi. Rënien e shokëve tanë në betejën e shtatorit i përjetuam shumë rënd dhe për ne ishte një humbje e madhe, sepse dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, ishin djemtë dhe shtyllat kryesore të UÇK-së në rrethin e Prizrenit. Natyrisht, ishte humbje e madhe për ne, rënia e Xhevatit, Salajdinit, Agimit, Bekimit dhe e të gjithë ushtarëve tjerë, që ranë ato ditë, sepse ishte në pyetje edhe humbja e një pjese të Komandës së Brigadës 125.

Megjithatë neve kjo humbje, e them me përgjegjësi të plotë, se nuk na ligështoi, por na shtuan edhe më shumë urrejtjen kundër armikut, në mënyrë që në të ardhmen të organizohemi edhe më mirë dhe ta vazhdojmë luftën deri në fund.. Në kuadër të kësaj lufte, nga granatimet serbe kanë rënë edhe një numër i njerëzve nga radhët e popullatës civile si për shembull më datën 1 shtator në fshatin Malësi të Vërrinit, nga këto granatime ka rënë vogëlushi 5-vjeçar, Arlind A. Kryeziu, ndërsa në fshatin Jeshkovë, plaka Kadishe Berisha. Kurse në fshatin Hoçë të Qytetit kanë rënë edhe Hatë Shala. Duhet shtuar edhe faktin se në momentin kur forcat serbe kanë hyrë nëpër këto fshatra, kanë bërë edhe ekzekutimin e disa pleqve, fëmijëve dhe grave.

Në fshatin Malësi të Vërrinit, më 2 shtator 1998 vriten edhe pleqtë si, Nesim Krasniqi, i cili bie me pushkë në dorë, duke bërë rezistencë kundër paramilitarëve serbë, që kishin zbritur nga kodra e Cyilenit. Po atë ditë vritet edhe Bajram Thaçi, pastaj vriten Mursel Halilaj, Skender Memedaj, Agush Kryeziu dhe Qazim Poniku. Po në këtë fshat zihen edhe shumë robër, të cilët u maltretuan, u torturuan dhe i mbyllën në xhaminë e këtij fshati si rob lufte. Po këtë ditë edhe në fshatin Jeshkovë, nga forcat serbe u vranë edhe Merxhan Shala, Fatime Shala (nëna e dëshmorit Besim Shala) dhe Myrvete Shala.
Lufta për lirin e Kosovës pamvarsishtë humbjeve vazhdoj edhe me shum beteja që u shvilluan në Vërri të Prizrenit për të ardhe deri te 12 qershori 1999 ku ju dha fundë okupimit serbe në Prizrenit dhe Kosovës.
Lavdi u takon gjithë atyre që e flijuan jetën që ne të jetojm të lirë!

Shkruan: Zafir BERISHA

Leave a Reply