Kushti i mundësisë politike

0
32

a thuhet se njerëzit në Kosovë janë shumë politikë dhe të politizuar, se e gjithë jeta shoqërore është e organizuar rreth debateve dhe diskutimeve për politikën. Por, çka nëse e kundërta është e vërtetë? Çka nëse diskutimet e pasionuara për politikën janë veçse formë e kompensimit për mungesën e jetës politike të vërtetë?

Si duhet kuptuar zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë? Kjo periudhë kohore, normalisht, është kohë për të ngritur disa pyetje dhe dilema për këtë proces, që jo pa të drejtë po konsiderohet si moment dhe mundësi historike për vendin.

Partia Demokratike e Kosovës e qeveris Kosovën që nga viti 2002 (përveç viteve 2004-2008). Nga e gjithë kjo periudhë e stërgjatë e qeverisjes, tri mandate iu mundësuan nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo bashkëqeverisje, e shprehur dhe manifestuar në formën e ndërvarshmërisë reciproke ndërmjet këtyre dy partive politike, nuk është aksidentale, apo e kushtëzuar nga situatat dhe konditat të cilave ato është dashur domosdoshmërisht t’i nënshtrohen. Kjo marrëdhënie ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është e kushtëzuar strukturalisht, dhe nuk është e reduktuar në çështje vullneti liderësh, kandidatësh apo të ngjashme. Në instancë të fundit të analizës, ekzistenca politike e PDK-së është e kushtëzuar nga ajo e LDK-së, dhe anasjelltas.

Politika, përderisa është e tillë, nuk është e reduktueshme në administrim dhe në variacionet e mundshme të administrimit të saktë, duhur, efektiv, ndershëm apo cilido tjetër. Politika mbi të gjitha është betejë. Kjo e bën politikën politikë. Ajo është betejë e pozicioneve, ideve dhe mendimeve. Si e tillë, ajo nuk reduktohet në përkufizimin sofist, të shprehur nëpërmjet shprehjes common sense, si arti i së mundshmes. Sepse sofizmi është common sense. Betejat politike zhvillohen mbi premisën dhe bazën e pozicioneve ideologjike, të cilat pastaj kondensohen dhe reprezantohen në formën-parti apo struktura të tjera politike. Dhe kjo është qenësore, sepse politika është pozicionim dhe betejë e ideve, dhe jo siç pretendonte një tashmë-ish deputet, që politikën e kuptonte si fushë estetike, në kuptimin e de-esecializimit estetik, ku koncepti i militantit damkosej si primitivizëm dhe tepricë ideologjike nga e cila duhet hequr dorë sa më parë. Kësisoj, ai fliste sikur të ishte yll i pop muzikës, i cili u drejtohej fansave, që në imagjinaren e tij ishin të dëshpëruar. Kjo qasje është epitomizim i asaj që politika nuk është. Dhe, realisht, ai (dhe të tjerët të ngjashëm) e dinë këtë, sepse duke qenë se politika është gjithmonë-tashmë praktikë ideologjike, pozicionimet stabile në të janë qenësore. Ajo që ai (dhe të ngjashmit e tjerë) e quante militantizëm, është bazamenti në parime ideologjike, të cilat të tjerëve nuk ua mundësojnë ekskursionet nëpër parti politike në çdo sezon zgjedhor – e ndonjëherë edhe më shpesh.

Kështu, beteja ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, në instancë të fundit, nuk është betejë politike, por administrative (e cila, e përfshin edhe dimensionin ekonomik, të akumulimit privat, por kjo është temë tjetër). Dhe si e tillë, është politikisht shterpe dhe joproduktive. Tek e fundit, diskutimet për çështjet administrative nuk janë as në nivel të diskutimit parlamentar. Të dy këto parti janë në pozicione të njëjta ideologjike. Thonë se janë orientuar si parti të qendrës së djathtë. Politika, nëse është, është praktika kolektive e pamundësisë. Veprimi në domenin e mundësisë është veprim në hapësirën administrative, tashmë të organizuar nga një instancë e parapërcaktuar ideologjike. Kur një orientim ideologjik është politik, ai synim e ka pamundësinë e së tashmes, atë që nga perspektiva e aktualitetit duket e pamundur, por që ndryshimi i po këtij statusi të pamundësisë është fillimi i një cikli të ri politik. Ndryshimi i statusit të pamundësisë nuk është aktivitet në fushën e imagjinatës e të fantazisë (p.sh. të natyrës biblike shndërrimi i ujit në verë), por i pikave më të ndjeshme në ngrehinën ideologjikë të shoqërisë përkatëse. Në kohën e presidentit Obama, debati për Obamacare preku në pikat më të ndjeshme të iluzionit amerikan për “lirinë e zgjedhjes”, apo plani i ish-ministrit grek të Financave për riprogramimin e borxhit të jashtëm grek vuri në pikëpyetje tërë bindjen (natyrisht të gabuar) të BE-së për shtrëngesat financiare si rruga e vetme për konsolidim buxhetor dhe rimëkëmbje ekonomike. E kështu me radhë.

Shpresa dhe ringjallja e saj

Na thuhet se njerëzit në Kosovë janë shumë politikë dhe të politizuar, se e gjithë jeta shoqërore është e organizuar rreth debateve dhe diskutimeve për politikën. Por, çka nëse e kundërta është e vërtetë? Çka nëse diskutimet e pasionuara për politikën janë veçse formë e kompensimit për mungesën e jetës politike të vërtetë? Debatet dhe diskutimet e tilla janë veçse teknike, sepse ekzistojnë në fushën e politikës administrative, të reduktueshme në kalkulime statistikore të përqindjeve zgjedhore, kombinimeve aritmetike të koalicioneve të mundshme, etj. Filozofi iluminist Immanuel Kant e bënte dallimin ndërmjet përdorimit privat dhe publik të arsyes. Sipas tij, e para është e reduktuar në pandehjet dogmatike të kontingjencës, në të cilën ne veprojmë si individ, dhe kësisoj nuk jemi pjesë e universalitetit të arsyes. Për Kantin, secili post publik (në qeverisje, në administratë) është aplikim i arsyes private. Me fjalë të tjera, politika administrative është pengimi i progresit të iluminizmit.

Sfidat politike, ekonomike dhe shoqërore të Kosovës janë të pareduktueshme në këtë hapësirë. Për t’u përballur me to, duhet futur në fushën e përdorimit publik të arsyes, dhe kjo nënkupton shkëputje të tërësishme me politikën administrative. Çka do të thotë kjo?

Gara për zgjedhjet e 6 tetorit është e përqendruar në emrat dhe figurat e kandidatëve për kryeministër. Kjo në vetvete nuk është gjë e keqe, sepse tek e fundit, kryeministri është motori udhëheqës i zbatimit të planit dhe programit qeverisës. Por, emri i veçantë ka kuptim vetëm për aq kohë sa ai e ka një program prapa vetes se saj/tij. Dhe këtu qëndron problemi: përveç Lëvizjes Vetëvendosje, që ka edhe programin edhe liderin, partitë e tjera janë të reduktueshme në të dytën, e disa sosh kanë vetëm kandidate për kryeministër, që nuk është lidere, dhe nuk ka program qeverisës politik. Kandidatja për kryeministre e LDK-së duket të jetë shprehja më konsistente e logjikës administrative të qeverisjes, simptomë e përdorimit privat të arsyes, të shprehur në diskutimet aritmetike. Deri më tani, ajo që dimë për kandidaten e LDK-së, për vizionin e saj për politikën, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, energjetikën, kulturën, etj. shprehet në kundërshtimin e saj (parimor) ndaj presidentit Thaçi. Dhe, me kaq përfundon vizioni i saj – së paku, siç është parë në publik, gjatë tubimeve publike që ajo po i realizon.

Mirëpo, nëse shikohen përkrahjet publike që ajo u bën liderëve botërorë, pasqyra nuk del fort më e bardhë. Kur Boris Johnson i fitoi zgjedhjet në partinë Konservatore të Britanisë, dhe kështu u bë kryeministër i vendit, legjitimiteti i tij politik e demokratik ishte inekzistent. Ai e fitoi garën brenda partisë (më rreth 160.000 votues) në një shtet me mbi 66 milionë banorë, dhe e “trashëgoi” mandatin e kryeministrit nga ish-kryeministrja. Pra, nuk fitoi në zgjedhje. Johnson qëndron politikisht për atë që është sot niveli më i ulët etik, i manireve, dhe orientimit ideologjik në përgjithësi. Ai ishte njëri ndër më aktivët në fushatën për Brexit, fill pasi e mori postin e mbylli Parlamentin britanik, për ta pamundësuar debatin për Brexit-in pa marrëveshje dhe eventualisht votën e mosbesimit; ai qëndron për privatizim të secilit aset publik e shtetëror, duke përfshirë sistemin shëndetësor, policinë, e kështu më radhë. Znj. Osmani e përkrahi publikisht emërimin e tij si kryeministër dhe kjo ngre shqetësime të jashtëzakonshme për të ardhmen politike të vendit. Është shumë e rëndësishme të dihet nëse ajo qëndron prapa vizionit politik të Johnsonit, në raport me BE-në, privatizimet, etj. Kakofonia dhe diskrepanca politike në çështjet jetike të vendit janë garanci për qeverisje administrative kaotike.

Argumenti që përdoret shpesh në favor të kandidimit të saj (dhe me dije qoftë, kandidatët e dy koalicioneve të tjera për kryeministër nuk janë të denjë as për t’u diskutuar) është biologjik: ajo është grua, dhe si e tillë ajo meriton përkrahjen tonë, dhe sidomos të grave. Por, a nuk është esencializimi gjinor, logjika binare, pozicion thellësisht patriarkal? Gjinia nuk është parakusht i feminizmit, sepse të qenit feminist, mbi të gjitha dhe para së gjithash nënkupton pozicion politik në ekonomi. Modeli i saj sociopolitik, duket të jetë ai i Margaret Thatcher, e cila deklarativisht ishte feministe. Por, pasojat e politikave neoliberale të saj ishin shkatërruese, sidomos për gratë, p.sh. në çështjet e banimit, diskriminimit në punësim, të ardhurave të pabarabarta. Për më tepër, edhe Sarah Palin deklarohet si feministe. Aq për feminizmin e bazuar në biologji, në këtë aksident kontingjental të lindjes.

Psikoanalisti francez Jacques Lacan thotë se gruaja nuk ekziston (la femme n’existe pas), duke dhënë kështu përkufizimin përfundimtar të feminizmit. Pikërisht duke e kritikuar qasjen tradicionale të logjikës binare, ai pohon se gruaja nuk ka shënjues, dhe si e tillë, e shndërron atë në subjekt jo-identitar, të pareduktueshëm në identitetet partikulare (sepse, identitetet janë vetëm partikulare). Si e tillë, gruaja është në hapësirën e universalitetit.

Së këndejmi, këto zgjedhjet parlamentare janë të rëndësisë qenësore për vendin. Në këto zgjedhje nuk do të vendoset vetëm për një rotacion “normal” demokratik të pushteteve, por para së gjithash dhe mbi të gjitha do të vendoset për llojin e pushtetit dhe të qeverisjes. A do jetë vazhdimësi e logjikës së tanishme administrative, apo do të jetë fillim i një transformimi (të gjatë, por të domosdoshëm) socioekonomik e politik? Shkëputja me rrjedhën e ngjarjeve dhe situatës aktuale nuk bëhet duke vazhduar logjikën e qeverisjes administrative (ndoshta me fytyrë tjetër, por sa e ndryshme është, në instancë të fundit, fytyra “tjetër”?). Shkëputja bëhet vetëm politikisht, me një program e vizion politik. Shkëputja nga projekti neoliberal i ekonomisë, politikës dhe shoqërisë në përgjithësi bëhet me një projekt gjithëpërfshirës socialdemokrat.

(Autori është doktor në filozofi)

Shkruan: Agon HAMZA

Leave a Reply