Komuna që u ç’kap nga PDK-ja e që po kapet nga dostat dhe familjarët e Mytës, Krenares dhe grupit të tyre

0
655

Është heshtur një kohë të gjatë, për më shumë se dy vite. Ndoshta ka pasur edhe nevojë me heshtë, ndoshta edhe kjo heshtje ka qenë e paarsyeshme por është heshtur dhe kjo heshtje është shfrytëzuar në mënyrë perfide nga klani i Mytes dhe shefes së kabinetit të tij për ta kapur pushtetin komunal. Dhe kjo kapje për fat të keq u bë dhe po bëhet në emër të Lëvizjes Vetëvendosje. Që në fillim duke shfrytëzuar konstelacionet e krijuara nga tradhëtia e PSD-istëve dhe ikja e Shpendit dhe Qëndronit, grupi i Mytës e kuptuan se duhet të shpallin veten “flamurtarë” të vetëm të mbetur të Lëvizjes që me emrin e Albinit në gojë të krijojnë privilegje të padrejta për vete dhe për krejt dostat e farefisin e vet. Pa u konsultuar fare me organizatën emëroi drejtorë dhe bashkëpunëtorë krejt shokët e familjarët e vet një pjesë e madhe e të cilëve jo që nuk kishin dhënë asnjë kontribut në fitoren e Lëvizjes por as që e kishin idenë se çfarë në të vërtetë përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje!

Myta me bashkëpunëtorët e vet shkëputën çdo lidhje me bazën duke mos bashkëpunuar fare me aktivistët dhe udhëheqësit e pikave të Lëvizjes në terren. Ata u kujdesën që të mbyllin hermetikisht dyert e komunës për shumicën e aktivistëve të devotshëm të komunës për ti hapur ato dyer për militantët e deridjeshëm të PDK-s me të cilët i lidhi interesi i përbashkët i vazhdimit të zhvatjes dhe përfitimit grupor në dëm të interesit të shoqërisë dhe idealeve të Lëvizjes.

Duke e paraqitur veten si pjesa avangardë e Lëvizjes para opinionit dhe udhëheqjes qendrore të organizatës ata në të njëjtën kohë u kujdesën që ta mbysin kritikën dhe të vërtetën duke i paraqitur bartësit e tyre si dashakeqas e xheloz të “sukseseve” të tyre!

Manipulimi me tenderë e konkurse për punësim nga shefja e kabinetit, nga drejtori i DSHP dhe dostat e tjerë me miratimin dhe përkrahjen e parezervë të Mytës e shëndërroi qeverinë komunale nga shërbyese për popullin në shërbyese për individin dhe grupin. Emërimet dhe punësimet e grupit dhe familjarëve u bënë qëllim e paraja e taksapaguesve përmes donacioneve e përkrahjeve u bë mjet për përfitim.

Përkrahja e 144 OJQ- ve fantome të krijuara brenda natës nga bashkëpunëtorët dhe familjarët e Mytes, Krenares, Leventit….e vërteton edhe njëherë se ky grup nuk po merakoset fare se duke u thirrë në emër të Lëvizjes po e prishë imazhin e saj e po e përbuzë aktivistin dhe përkushtimin e tij për ideale dhe drejtësi.

Me punësimet e fundit të bashkëpunëtorëve gjoja profesional në Legalizime…dhe shërbime të tjera të veqanta si shtim të kapaciteteve qeverisëse në Komunë u bë më se e qartë se Myta, Krenarja, Leventi dhe grupi i tyre nuk e kanë ndërmend të ndalen në kapjen e qeverisë komunale, nuk e kanë ndërmend të ndalen së favorizuari familjarët, shokët, miqtë dhe grupin e tyre në dëm të shumë të rinjëve tjerë ( në mesin e tyre edhe shumë aktivistë të Lëvizjes) të cilët edhe pse i plotësojnë të gjitha kriteret e konkursit si duket nuk i plotësojnë kriteret e Mytes, Krenares, Leventit dhe grupit të tyre.

Ka ardhur dita që organizata të mos heshtë, të mbajë qëndrim dhe të distancohet nga këto veprime tepër të dëmshme që e prishin imazhin e Lëvizjes. Ka ardhur dita që për veprimet e veta ky grup së paku të mos thirret në emër të Lëvizjes sepse thellë në vete jam i bindur që pjesa e madhe e aktivistëve në Prizren nuk është identifikuar kurrë me mënyrën dhe metodat e veprimit të këtij grupi.

E as nuk u pajtuan kurrë, por heshtën. Jo se patën frikë por heshtën sepse nuk dëshiruan të ndikojnë për keq në zhvillimet në nivel qendror.
Tani me krijimin e shumëpritur të Qeverisë së Re është koha që këtij grupi të i ndalohet livadhisja si në livadhin e babës vet.
Së paku të i ndalohet që me veprimet e veta të thirren në emër të Lëvizjes!

Shkruan: Blerim Q. SARAMATI

Leave a Reply