Ja pse është jetike për Kosovën përmbyllja e dialogut me Serbinë!

0
406

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi i filluar me 8 mars 2011, erdhi si produkt i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i mbështetur në mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi. Në kuadër të këtij dialogu deri më tani janë arritur rreth 35 marrëveshje, duke përfshirë marrëveshjet e ri negociuara dhe planet e zbatimit të tyre.

Me fjalë dhe me këngë nuk e bashkuam dot Mitrovicën

Ashtu siq nuk ishte e rastësishme ndarja e Mitrovicës, edhe veprimet e mëpastajme të pasluftës ishin të planifikuara dhe të koordinuara nga Serbia, Rusia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.
Në bisedimet e Brukselit liderët tonë, nuk e trajtuan asnjërë Kosovën si atdhe të tyre por si “plaçkë” lufte me të cilën dhe për të cilën negociuan pamshirshëm, duke tkurrur territorin dhe sovranitetin e vendit të tyre sikur ky të ishte territor i një vendi tjetër!
Problemi i “Parkut të paqës” mbi Urën e lumit Ibër, përveq se një simbolikë, mbetët edhe pikë reference e ndarjes së sovranitetit mes serbëve dhe shqiptarëve, mes veriut dhe jugut të Mitrovicës dhe pikë reference e ndarjes së interesave të fuqive të mëdha.
Përgjatë këtyre viteve i “provuam të gjitha mundësitë tona” për të bindur (frikësuar) pushtuesin tonë verior të na lë Mitrovicën, por kot!
Atë që nuk mundi ta bëjë shumë vite më parë ylli i muzikës shqiptare, e madhja Shkurte Fejza me këngën; “Jo nuk ndahet Mitrovica”, provuan ta bëjnë edhe liderët tonë përmes fushatave zgjedhore disa herë në vazhdimësi, derisa u konsumua në tërësi kjo çështje në fjalorin e tyre politik.
I kaluam 22 vite duke ëndërruar, duke kënduar e vajtuar, duke gënjyer e zhgënjyer vet-veten se një ditë do të bashkohet qyteti i artë i Kosovës.
Po i kthehem edhe një herë mesazhit të fuqishëm që shpërndau këngëtarja jonë e mirënjohur, në vargun më kulmor në këngën e saj; “pa u farue me djem e qika, jo nuk ndahet Mitrovica”.
Ky varg, për më tepër se mesazh, duhej të ishte si kushtrim mbarëkombëtar, mirëpo në kohën kur u lansua kjo këngë, mesazhi i saj duket të ketë qenë pak sa i vonuar, pasi “bartësit” e luftës ishin akomoduar mirë nëpër institucione shtetërore dhe ishin zhytyur thellë në luksin përrallor që u solli liria!
Një situatë e tillë e krijuar e komandantëve (varfanjak) të shndërruar në milionerë e multimilionerë, u bë shkak për irritim dhe thyerje shpirtërore e shumicës së ish luftëtarëve të lirisë, të cilët 22 vjet nga përfundimi i luftës, me plagë në trup dhe thyerje shpirtërore, të vetmin shpëtim ekzistencial për familjet e tyre e shohin largimin nga vendi, ngase pensionet e veteranëve nuk ju mjaftojnë për barna dhe shërbime mjekësore për vete dhe familjarët e tyre.

Bisedimet politike prodhuan “Zajednicën”

Nga fillimi i bisedimeve ka ndryshuar trajta e dialogut, nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik, gjegjësisht në bisedime të nivelit politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili zyrtarisht kishte filluar më 19 tetor të vitit 2012.
Bisedimet e ashtuquajtura teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të filluara më 8 mars 2011, për qëllim kishin diskutimin e çështjeve teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.
Marrëveshja e parë e dialogut teknik ishte arritur më 2011 ishte për regjistrat civil, pastaj marrëveshja për lirinë e lëvizjes, vulat doganore, pranimin e diplomave, për menaxhimin e integruar të kufirit, për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, për telekomin dhe për vizitat zyrtare e nënshkruar kryediplomatja e atëhershme Edita Tahiri.
Pas kalimit të bisedime në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u arritën një mori marrëveshjesh politike.
Megjithatë marrëveshja që u arrit ndërmjet dy ish kryeministrave të atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq më 19 prill të vitit 2013 për Asociacionin e Komunave Serbe (ASK) nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, konsiderohet marrëveshja më e dëmshme për Kosovën!
Mbi të njëjtën marrëveshje firmën e tij e hodhën edhe ish kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq dy vite më vonë më 25 gusht të vitit 2015 në të njëjtin vend, në Bruksel me ndërmjetësimin e të ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, për Asociacionin e Komunave Serbe (ASK) me kompetenca ekzekutive.
Siq dihet ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ish ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi thonin se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive” dhe se “marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”!
Mirëpo, ish kryeministri serb, tani president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e thoshte të kundërtën, se Asociacioni do të ketë kryetarin e vet, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin, duke shtuar se Serbia do ta ketë të drejtën ta financojë këtë asociacion!
Ishte Gjykata Kushtetuese e Kosovës ajo që e nxori në shesh të vërtetën e hidhur që e thoshte kryeministri serb, duke e identifikuar shkeljen e 23 neneve të Kushtetutës në marrëveshjen e 25 gushtit, me ç’rast kishte marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është parashikuar në marrëveshjen e parë të Brukselit, e nënshkruar më 19 prill të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Baticat dhe zbaticat e dialogut Kosovë-Serbi

Pas shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe njohjes nga 116 shtete të kësaj pavarësie, kërkesat për korrigjim dhe shkëmbin territoresh me Serbinë, e kanë vënë në lajthitje edhe faktorin ndërkombëtar, përkatesisht 116 vëndet që kishin njohur Kosovën si shtet i pavarur e jo si rezolut 1244, e cila rezultoi me tërheqjen e 18 njohjeve!
Si rezultat i kësaj situate, përveq ç’njohjeve, kemi bllokim të njohjeve të mëtutjeshme si dhe rishqyrtim të njohjeve nga ato shtete që e kanë bërë njohjen vite më parë!
Derisa dialogu i pabarabartë i Brukselit vazhdonte tutje, Serbia përveqse nuk zbatonte marrëveshjet e arritura, ajo vazhdoi ta udhëheqë një fushatë të egër për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe parandalimin e anëtarësimit të vendit tonë në organizatat ndërkombëtare.
Si pasojë e kësaj, ndodhën 18 tërheqje të njohjeve nga vende të ndryshme të botës dhe mospranimi i Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL.
Pas kësaj, për shkak të mospranimit të Kosovës në UNESCO, në nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vendosi taksën prej 100 përqind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina, duke e kushtëzuar tërheqjen e këtij vendimi me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit serb.
Vendim ky që shkaktoi një ngërç të gjatë në procesin e negociatave, sepse Beogradi zyrtar nuk pranoi të kthehej në Bruksel derisa të shfuqizohet vendimi për tarifat.
Pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, i cili drejtoi Qeverinë e Kosovës përafërsisht një muaj e gjysmë, e shfuqizoi vendimin për taksat dhe e zëvendësoi atë me masa të reciprocitetit.
Mirëpo, ky vendim nuk gjeti mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, e cila u kërkoi palëve të angazhohen për të krijuar një klimë më të favorshme për rifillimin e dialogut.
Qeveria e re e Kosovës, e formuar në qershorin e vitit 2020 e udhëhequr nga Avdullah Hoti, e shfuqizoi vendimin për reciprocitetin në ditët e para të punës së saj, duke u arsyetuar, se në këtë mënyrë u larguan pengesat në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë!
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënjeve ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 4 shtator 2020, edhe pse nuk e solli njohjen reciproke siq e premtonte kryeministri, konsiderohet historike, e cila përveq ndaljes së trendit të ç’njohjeve, e hapi rrugën e njohjeve për Kosovën, me ç’rast ndodhi njohja e madhe dhe historike nga Izraeli.
Dialogu i pabarabartë dhe pa kushtin e njohjes nga Serbia, pa ndriçimin e fatit të të pagjeturve, pa kërkimfalje dhe pakompensim të dëmëve të luftës nga Serbia e ka kthyer Kosovën në pozitë inferiore karrshi kësaj të fundit.

Guximi i tepruar i Albin Kurtit

Kuvendi i Republikës së Kosovës si organi më i lartë mbikëqyrës i dialogut Kosovë-Serbi, deri më tani ka miratuar pesë Rezoluta për procesin e dialogut: më 10 mars të vitit 2011, më 18 tetor 2012, më 21 prill 2013, më 15 dhjetor 2018 dhe më 15 mars 2020. Përmes këtyre Rezolutave, përveç mandatimit të Qeverisë për të negociuar në Bruksel me shtetin serb, Kuvendi po ashtu obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për të raportuar në mënyrë të rregullt para Kuvendit për mbarëvajtjen e procesit të dialogut.
Deklarimet e kryeministrit, Albin Kurtit për dialogun si prioritet të katërt në qeverisjen e tij, përveqse nuk janë në përputhje me interesin e shtetit, si të tilla nuk janë mirëpritur në kancelaritë e Brukselit, sikurse nuk janë mirëpritur as në SHBA deklaratat e tij për rishqyrtim të vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Deklaratat e pamatura të kryeministrit Albin Kurtit rreth dialogut me Serbinë mund t’i kushtojnë me rënje të sërishme të qeverisë, por dëmi që mund t’i shkaktojë popullit të Kosovës mund të jetë shumëfish më i madh se kaq!
Mund t’na i dëmtojë marrëdhënjet e shkëlqyera me sponsorizuesin e shtetit të Kosovës dhe të kësaj njohje në veçanti-SHBA-në, pa të cilën as që paramendohet rrugëtimi ynë si shtet i pavarur dhe sovran.
Ideja e Kurtit, “unë jam kryeministër dhe bëjë çfarë të dua” i takon një mentaliteti të kaluar. Atë çfarë e thotë Albin Kurti, nuk e ka guximin ta thotë asnjë kryeministër i shteteve të rajonit, madje as i vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian.
Rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, gjegjësisht legjitimiteti që ka marrë nga qytetarët e vendit, e ngarkon Albin Kurtin me përgjegjësi të lartë shtetërore për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zgjidhjen e problemeve shekullore me ketë shtet.
Megjithatë, pavarësisht rezultatit zgjedhor, përveq pozitës, në procesin e dialogut me Serbinë duhet të përfshihet edhe opozita parlamentare bashkë me subjektet tjera jashtë skenës parlamentare, përfshirë paikcat etnike në Kosovë dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Të mos përseriten gabimet e së kaluarës

Gabimet që i ka bërë Albin Kurti në të kaluarën si opozitar me mosbashkangjitje në procesin e dialogut me Serbinë, nuk guxon t’i perserisë nga pozita e kryeministrit duke e injoruar opozitën shqiptare.
Bashkërendimi i veprimeve politike pozitë-opozitë përveqse do ta inkurajonte Albin Kurtin, do ta forconte pozicionin e Kosovës në dialog me Serbinë.
Në anën tjetër, as opozita nuk guxon ta lë vetëm, por duhet t’i bashkangjitet Albin Kurtit në përmbylljen e dialogut me Serbinë.
Për shkak të seriozitetit dhe ndjeshmërisë së dialogut, më shumë se asnjëherë më parë është i nevojshëm konsensuesi mes forcave politike shqiptare.
Nëse bëhemi të gjithë bashkë nuk kemi arsye t’i frikohemi dialogut me Serbinë, pasi fati i veriut të vendit dhe integritetit të shtetit mbetet përseri në dorën tonë, gjegjësisht në dorën e deputetëve shqiptar, ku pa 2/3 (dy të tretat) e votave të deputetëve nuk mund të votohet asnjë marrëveshje cila do qoftë ajo për vendin tonë.
Ashtu siq e kam cekur edhe me parë, janë të gjithë deputetët shqiptar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa dallime partiake, pozitë dhe opozitë, që duhet të unifikojnë veprimet për mbrojtjen e interesave të shtetit.
Shteti i Kosovës duhet të mbetët kështu si është, Republika e Kosovës pa fusnota dhe pa asociacione etnike, ngase ndryshe nuk mund të ekzistoj si i tillë, sikurse pavarësia që duhet të jetë e plotë ose ndryshe nuk mund të quhet ashtu, nuk ka gjysëm pavarësi, as gjysëm liri.

Me dialog dhe referndum të pamundësohet ndarja e Kosovës

Nuk duhet harruar se kushtëzimet që vijnë nga ndërkombëtaret mund të jetë një sprovë për t’na matur impulsin sesa jemi në të vendosur në mbrojtjen e shtetit, për arsye se është thënë në çarqe të ndryshme se shqiptarët e Kosovës nuk janë të zotët ta bëjnë dhe as ta mbrojnë shtetin e tyre.
Prandaj për të demantuar tezat e tilla, sa më parë duhet të ndodhë unifikimi i faktorit politik shqiptar.
Para bashkësisë duhet të flasim me një zë, e jo me dy, tre e më shumë, për arsye se mund të bëhemi të pakuptueshëm dhe qesharak në sytë e botës demokratike.
Liderët e tri institucioneve më të larta shtetërore, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca duhet të koordinohen edhe me opozitën për mbrojtjen e territorit në dialog me Serbinë.
Deputetët e kësaj legjislature duhet sa më parë të inciojnë ligjin për referendumin, si e drejtë kushtetuese e përcaktimit të sovranit (popullit) për tema madhore për vendin.
Kthimi i Referendumit popullor para marrëveshjes finale me Serbinë, përveq ndërgjegjësimit të liderëve shtetërorë dhe partiakë, do t’i zvogëlonte mundësitë e pazareve politike dhe pamundësonte ndarjen e Kosovës.

Dialog për mbrojtjen e veriut, jo për nënshtrim para Serbisë

Mbrojtja e veriut, përkatësisht integritetit territorial të vendit nuk është kundër askujt, por është atdhedashuri dhe obligim i së cilit prej nesh, për të cilën gjë na duan dhe respektojnë të gjithë miqtë ndërkombëtar.
Veriu i vendit është interes mbi të gjitha interesat, andaj askush nuk e ka të drejtën e as privilegjin të vendos për fatin e pjesës më vitale të vendit tonë.
Për gjëra kaq madhore mund të vendosin vetëm qytetarët, ata janë sovrani i këtij vendi e jo qeveritarët kushdo qofshin ata; të djathtë apo të majtë, të njërit apo të tjetrit ekstrem politik. Problemet që janë të lidhura më sovranitetin e vendit i takojnë popullit dhe jo vetëm një qeverie.
Arsyeja pse përmbyllja e dialogut me Serbinë është jetik për Kosovën, është edhe për faktin, se përballë Serbisë duhet ta dëshmojmë përkushtimin dhe vendosmërinë, unitetin dhe forcën tonë për mbrojtjen e sovranitetit dhe e integritetit territorial të shtetit tonë.
Me ketë do t’ia bënim me dije Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar përcaktimin tonë paqësor për zgjidhjen e të gjitha problemeve përmes dialogu, në rrugë paqësore dhe demokratike.
Ashtu siq u dëshmuam përgjatë viteve të ’90-ta, me politikën paqësore dhe demokratike dhe e fituam mbështetjen e aleancës më të fuqishme në botë-NATO-s në çlirimin e vendit, edhe tani pas 22 vitesh në liri, duhet ta bëjmë të njëjtën gjë në përmbyllje të dialogut me Serbinë.

Në rast të dështimit të këtij dialogu për shkak të obstruksioneve të Serbisë, ne nuk do të humbim asgjë, përkundrazi, do ta fitojmë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të drejtën për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e vendit, gjegjësisht për shtrirjen e FSK-së edhe në veri të vendit dhe hapjen e Kazermave të Ushtrisë së Kosovës në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok,…e deri në Jarinje!

Shkruan: Florim ZEQA

Leave a Reply