Intelegjenca Emocionale dhe rëndësia e saj në jetën tonë

0
846

Do ta filloj këtë artikull me diçka që më pëlqen ta referoj te Sfida e Aristotelit i cili thotë kështu: “Të gjithë mund të zemrohemi, kjo nuk është e vështirë, e vështirë është të zemrohesh me njeriun e duhur, në masën e duhur, në kohën e duhur, për qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur, kjo nuk është në fuqinë e të gjithëve dhe nuk është e lehtë.”Sfida të cilën e paraqita përmes fjalëve të Aristotelit është një kontroll. Si mundemi jo vetëm të mos zemërohemipor si mund të mësojmë ta menaxhojmë dhe drejtojmë si duhet zemërimin tonë pa e lënë të na kapërcejë?

Ajo për të cilën po flet Aristoteli është diçka që ne aktualisht i referohemi si Inteligjenca Emocionale (EQ).  Prandaj duke parë rëndësinë që kanë emocionet tona në shumë aspekte të ndryshme të jetës tonë të përditshme më poshtë do të flasim për intelegjencën emocionale.Ne nuk mund ta menaxhojmë zemërimin tonë, nëse nuk e dimë që jemi të zemëruar.Ne nuk mund të lëvizim nga trishtimi në gëzim, nëse nuk e kemi identifikuar faktin që jemi të trishtuar.Prandaj,Inteligjenca emocionale kontribuon duke rritur mirëqenien tonë fizike dhe mendore, marrëdhëniet tona, zgjidhjen e konflikteve, suksesin dhe aftësitë tona drejtuese,sa më e zhvilluar të jetë intelegjenca jonë emocionale, aq më shumë kontroll kemi mbi jetën tonë.

Çka është inteligjenca emocionale (EQ)?

Inteligjenca emocionale (EQ) është aftësia për të identifikuar, përdorur, kuptuar dhe menaxhuar emocionet në mënyra pozitive për të lehtësuar stresin, për të komunikuar në mënyrë efektive me të tjerët, për të kapërcyer sfidat dhe për të zbutur konfliktin. Inteligjenca emocionale ndikon në shumë aspekte të ndryshme të jetës tuaj të përditshme, të tilla si mënyra e sjelljes dhe mënyra e bashkëveprimit me të tjerët.

Sipas Daniel Goleman” Kapaciteti për të njohur ndjenjat tona dhe të të tjerëve, për të motivuar veten tonë dhe për të menaxhuar mirë emocionet tona dhe marrëdhëniet tona. Nëse aftësitë tuaja emocionale nuk janë në dorën tuaj, nëse nuk jeni të vetëdijshëm, nëse nuk jeni në gjendje të menaxhoni emocionet tuaja shqetësuese, nëse nuk mund të keni ndjeshmëri dhe të keni marrëdhënie efektive, atëherë pa marrë parasysh sa i zgjuar të jeni, ju nuk do të arrini shumë larg”.

Nga cilët komponentë përbëhet inteligjenca emocionale?

Inteligjenca emocionale përbëhet nga disa komponentë. Këtë e thekson edhe psikologu i njohur Daniel Goleman. Ai nënvizon komponentet si në vijim:

1. Vetëdija.Kjo ka të bëjë me atë kur një person ka aftësi të pranojë dhe kuptojë emocionet që përjeton dhe se si ndikojnë ato tek të tjerët. Po ashtu, kur personi është në dijeni të shkathtësive dhe mangësive që posedon. Prandaj, në mënyrë që inteligjenca emocionale të jetë më efektive, duhet të filloni nga vetja juaj, pasi që nuk mund të përmirësoni mirëqenien e të tjerëve pa kuptuar mirë emocionet personale.

2. Vetë-kontrolli.Një person me inteligjencë emocionale të zhvilluar ka aftësinë të shfaqë emocionet e veta me pjekuri dhe të vetëpërmbahet kur është nevoja. Me vetë-kontrollë ju jeni më të përmbajtur kur jeni në bashkëbisedim, pasi shfaqja e emocioneve dhe fjalëve pa menduar mirë mund edhe ta lëndoj bashkëbiseduesin. 

3. Motivimi i brendshëm. Personat që janë emocionalisht inteligjentë vetë motivohen. Ata nuk motivohen nga paratë që marrin apo nga ndonjë çmim. Zakonisht janë optimistë dhe nuk dorëzohen lehtë kur ballafaqohen me sfida të ndryshme si në punë ashtu edhe në jetën private.

4. Empatia.Me empati nënkuptojmë një person që ka aftësi për të njohur dhe kuptuar motivet e tjetrit, e që është thelbësore për zhvillimin dhe ngritjen e suksesshme të raportit ndërmjet kolegëve në punë.

5. Aftësitë sociale. Aftësia për të mbajtur dhe krijuar marrëdhënie shoqërore të reja. Personat me aftësi të tilla janë në gjendje të krijojnë raporte dhe besueshmëri në kohë të shpejtë me kolegët në punë.

Sa jemi vetë-reflektues?

Nëse nuk e dimë se çfarë po ndiejmë, siç duhet ne nuk mund të marrim nën kontroll ato ndjenja. Dikush që është jashtëzakonisht i vetëdijshëm për veten do të jetë në gjendje ta vërej veten gjatë një bisede dhe të kuptojë gjëra të tilla si: Unë jam duke u mbrojtur tani. Po ndjej ankth. Unë nuk jam duke shijuar këtë ndërveprim etj.

Pra, le të hedhim një vështrim më të thellë në cilat emocione ne prekim më shumë.

Ekzistojnë shtatë emocione themelore në të cilat ne kemi akses rregullisht: zemërimi, ankthi, frika, gëzimi, dashuria, trishtimi dhe turpi.

Mënyra më e mirë për të marrë kontrollin dhe për të zhvilluar vetë-reflektimin tonë është të fillojmë të identifikojmë dhe emërtojmë emocionet tona mbi një bazë të qëndrueshme.

Sa më shumë që të jemi në gjendje të përdorim ndjenjat tona: aq më shumë kontroll kemi,aq më pak reaktiv jemi,aq më mirë mund të lidhemi me ata që na rrethojnë.

Një ushtrim të ciline sygjeroj ekspertët për klientët e tyre (dhe për veten e tyre) është të ndaloj disa herë në ditë dhe të bëj pyetjen:Çfarë po ndiej? Mund të tingëllojë qesharake, por nëse e mendoni, ne zakonisht i kalojmë ditët tona mjaft të shkëputura, duke mos e pyetur kurrë veten se çfarë po ndodh brenda.Sa më pak të jemi në një mendje me ndjenjat tona, aq më pak jemi në gjendje të ushtrojmë kontroll mbi to.

Pse është kaq e rëndësishme inteligjenca emocionale (EQ)?

Siç e dimë, nuk janë njerëzit më të zgjuar ata që janë më të suksesshmit ose më të përmbushurit në jetë. Ju ndoshta keni njohur shumë njerëz që janë akademikisht të shkëlqyeshëm dhe megjithatë janë shoqërisht të paaftë dhe të pasuksesshëm në punë ose në marrëdhëniet e tyre personale. Inteligjenca intelektuale (IQ) nuk mjafton i vetëm për të qenë i suksesshëm në jetë.Të marrim një shembull kur IQ-ja juaj mund t’ju ndihmojë të futeni në kolegj, por është intelegjenca emocionale (EQ) e juaj që do t’ju ndihmojë të menaxhoni stresin dhe emocionet kur përballeni me provimet tuaja përfundimtare.

Inteligjenca emocionale ndikon:

Performancën tuaj në punë. Inteligjenca emocionale mund t’ju ndihmojë në ndërlikimet shoqërore të vendit të punës, të udhëheqni dhe motivoni të tjerët dhe të shkëlqeni në karrierën tuaj. Në fakt, kur bëhet fjalë për vlerësimin e kandidatëve për punë, shumë kompani tani e shohin inteligjencën emocionale si aq të rëndësishme sa aftësia teknike dhe kërkojnë testimin e EQ para se të punësojnë.

Shëndetin tuaj fizik. Nëse nuk jeni në gjendje të menaxhoni nivelet e stresit tuaj, kjo mund të çojë në probleme serioze shëndetësore. Stresi i pakontrolluar mund të rrisë presionin e gjakut, të shtypë sistemin imunitar, të rrisë rrezikun e sulmit në zemër dhe goditje në tru, të kontribuojë në infertilitet dhe të përshpejtojë procesin e plakjes. Hapi i parë për të përmirësuar inteligjencën emocionale është të mësoni se si të lehtësoni stresin.

Shëndetin tuaj mendor. Stresi i pakontrolluar gjithashtu mund të ndikojë në shëndetin tuaj mendor, duke ju bërë të prekshëm nga ankthi dhe depresioni. Nëse nuk jeni në gjendje të kuptoni dhe menaxhoni emocionet tuaja, do të jeni gjithashtu të hapur ndaj ndryshimeve të humorit, ndërsa një paaftësi për të krijuar marrëdhënie të forta mund t’ju lërë të ndjeheni të vetmuar dhe të izoluar.

Marrëdhëniet tuaja. Duke kuptuar emocionet tuaja dhe si t’i kontrolloni ato, jeni më mirë të aftë të shprehni se si ndiheni dhe të kuptoni se si ndihen të tjerët. Kjo ju lejon të komunikoni në mënyrë më efektive dhe të krijoni marrëdhënie më të forta, si në punë ashtu edhe në jetën tuaj personale.

Punonjësit me inteligjencë emocionale të zhvilluar kanë karrierë më të suksesshme

Shumë punëdhënës, përdorin EQ (Inteligjencën emocionale) si formë për të vlerësuar se cili nga punonjësit ka potencial udhëheqës, prandaj është shumë e rëndësishme që punonjësit t’i kushtojnë më shumë rëndësi inteligjencës emocionale dhe ndikimin që kanë te kolegët e punës.

Çdo ditë ne marrim vendime që bazohen në emocionet tona. Ka momente kur jemi skeptikë se me cilin plan të vazhdojmë dhe cili do të ishte më frytdhënës. Kur e kuptojmë origjinën dhe burimin e emocioneve tona, veçanërisht kur punojmë në grup, arrijmë te harmonizimi dhe mirëkuptimi me grupin më lehtë.

Paralelisht me socializimin e njerëzve, është rritur edhe rëndësia e inteligjencës emocionale si në vend pune ashtu edhe në jetën e përditshme. Para së gjithash, inteligjenca emocionale në vend pune vjen si shenjë e mirëkuptimit, shprehjes së lirë, menaxhimit të marrëdhënieve mes kolegëve dhe zgjidhjes së problemeve që mund të paraqiten gjatë procesit të punës.

Do ta përfundoj këtë shkrim me një thënie nga Maya Angelou e cila ishte poete amerikane dhe aktiviste e të drejtave civile e cila thotë”Unë kam mësuar që njerëzit do të harrojnë atë që ke thënë, njerëzit do të harrojnë atë që ke bërë, por njerëzit kurrë nuk do të harrojnë se si i ke bërë të ndihen”.

Shkruan: Erolina MORINA – Psikologe Klinike

Leave a Reply