Hajdutët e lirë, qytetarët të izoluar!

0
439

Pavarësisht shumës, vjedhja e zyrtarëve shtetërorë është e rëndë dhe e lëndon imazhin e shtetit. Pa asnjë dyshim, prapa vjedhjes së 2 milion eurove nga thesari i shtetit qëndrojnë të fortët e politikës, përkatësisht bosët e partive politike dhe oligarkët ekonomik.

Në këtë vjedhje spektakulare nuk bëhet fjalë për vjedhje individuale dhe as për sulm ‘kibernetik’ siq po e trajtojnë zyrtarët e lartë shtetërorë, por për krim të organizuar brenda institucioneve shtetërore.

Në këtë vjedhje të organizuar dhe kriminale janë të përfshira politika e inkriminuar dhe bizneset kriminale nën bekimin e sistemit (poashtu kriminal) të drejtësisë.

Shkaku i degradimit institucional, korrupsionit, krimit të organizuar dhe thyerjes së shpresave të popullatës, Republika e Kosovës e 17 shkurtit 2008 gjithnjë e më pak është duke mbetur shtet i qytetarëve.

Pushtetarët një nga një, që nga 17 shkurti 2008 e këndej, e vodhën dhe zhvaten shtetin e Kosovës, edhe atë deri në miliarda euro për afro 12 vite në kontinuitet.

S’ka liberalizim të vizave këtë vit dhe ndoshta as në vitin e ardhshëm shkaku i skandaleve të fundit, të vjedhjes së thesarit të shtetit.

Mirëpo, kjo nuk është pengesë edhe për politikanët e korruptuar dhe inkriminuar kosovarë, të cilët përveç pasaportave diplomatike po i marrin edhe pasaportat e Shqipërisë për të lehtësuar lëvizjen e tyre pa viza në vendet e BE-së.

Pushtetarët aktualë nuk mërziten fare pse qytetarët kanë mbetur të izoluar, pa liberalizim vizash, ndërkaq politikanët e të gjitha partive, njëri pas tjetrit, po marrin pasaportat e Shqipërisë, ndërkaq qytetarët kosovarë ngelin të izoluar dhe të pashpresë se do të ketë ndonjë rrugëdalje me këtë klasë kusarësh politikë të inkriminuar në Kosovë.

Kjo klasë kusarësh politikë, ose më qartë, të gjitha partitë politike pa dallim, janë të lidhur me nëntokën kriminale, respektivisht me bizneset e pista dhe korporatat e inkriminuara, përmes së cilave vijnë në pushtet dhe mbajnë atë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve.

Përderisa pushtetarët e të dyja niveleve, si në qeverinë qendrore po ashtu edhe ne atë lokale, marrin pasaportat e Shqipërisë dhe jetojnë në luks përrallor, qytetarët e izoluar vuajnë për gjithçka në shtetin ku nuk sundon ligji, e ku sundojnë padrejtësitë, abuzimet, nënshtrimi, pasiguria, mjerimi social, papunësia rekorde dhe varfëria ekstreme.

Si pasojë e degradimit institucional dhe mjerimit social, i madh e i vogël përpiqet të ikë nga ky vend i pashpresë, i sunduar nga mafio-politika dhe nëntoka kriminale, i zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion të paparë deri më tani në trojet shqiptare.

Vjedhja spektakulare e 2 milionë euro nga arka e shtetit ka shqetësuar qytetarët e vendit, të cilët, shkaku i skandaleve qeveritare rrezikojnë të mbesin edhe për një kohë relativisht të gjatë të getoizuar dhe të pashpresë për jetë në Kosovën e ëndërrave të gjata.

Edhe pse nuk janë pak 2 milion euro, kjo llogaritet njëra ndër shumat më të vogla të vjedhura përgjatë këtyre 12 vjetëve nga pushtetarët e inkriminuar!
Nuk ishte barcoletë, por e vërtetë thënja e një bossi të politikës; “Të gjithë në Kosovë i kemi nga 2 milion euro”!

Pra, të gjithë politikanët hajna të nivelit të lartë i kanë nga 2 milion euro e më shumë, por jo edhe politikanët e ndershëm, që jetojnë vetëm nga të ardhurat e ligjshme.

Sa më të larta shumat e vjedhura të parave nga buxheti i shtetit, aq më të mëdha janë mundësitë e shpëlarjes së “fytyrës” së pushtetarëve dhe shpëtimit të hajdutëve nga ndëshkimi!

Të gjithë hajdutët që i kanë më shumë se nga 2 milion euro ndjehen të sigurtë, ndërsa ata që kanë më pak rrezikojnë të ndëshkohen nga “drejtësia”!

Qytetarët me nga 200 euro pagë, nuk mund të marrin as vizë turistike nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa politikanët milionerë udhëtojnë lirshëm me pasaporta (të hajnisë) diplomatike dhe atyre të Shqipërisë, e ndoshta edhe të Serbisë!

Përderisa hajdutët e politikës lëvizin të lirë, qytetarët do të mbetën të izoluar!

Shkruan: Florim ZEQA

Leave a Reply