Gjasa të mëdha për Kosovën në “Euro 2020”, por jo për në BE

0
31

Falë talentit, punës profesionale dhe përkushtimit të lojtarëve dhe ekipit që qëndron pas tyre, Kosova në futboll po shënon përparim të madh dhe ka gjasa të kualifikohet direkt për “Euro 2020”. Politikanët që dështuan ta lëvizin Kosovën përpara po mundohen të përfitojnë nga sukseset në sport, thuajse ata kanë ndonjë meritë për to. Futbolli kosovar duhet të ketë kujdes, sepse me sukses vijnë edhe përfitimet financiare, edhe popullariteti, e kur janë ato aty është edhe potenciali për ndërhyrje politike dhe kriminale

Kush do të thoshte se më 10 shtator Kosova do të përballej me gjysmëfinalistin e botërorit, Anglinë, në një ndeshje ku do të vendoset se kush do ta ketë kreun e tabelës në grupin A për kualifikimet “Euro 2020”. Realisht këtë do ta thoshin të gjithë ata që e kanë përcjellë me vëmendje evoluimin e skuadrës kombëtare të Kosovës në futboll.

Që prej humbjes nga Kroacia me 6:0 në Shkodër e deri tek ndeshja e djeshme, Kosova bëhej më e pjekur dhe më e fortë. Së pari humbjet ishin me rezultat më të ngushtë, ndërsa tash erdhi në vargun prej gati 2 vjetësh pa asnjë disfatë, duke u bërë fenomen i njohur edhe nga FIFA dhe UEFA.

E siç thonë ekspertët e futbollit, forca e një skuadre është aq sa e ka të fortë bankinën me lojtarë rezervë. E Kosova ka grumbulluar tashmë një fond aq të madh dhe të mirë lojtarësh saqë mund të luajnë mirë dhe të fitojnë edhe pa lojtarët që përbëjnë boshtin e tërë ekipit.

Fitorja ndaj Republikës Çeke pa Rashicën, Veselin, Kolollin e Kryeziun pikërisht për këtë ishte edhe më e rëndësishme, sepse dëshmoi se Kosova nuk dorëzohet as kur ka aq shumë mungesa. I tillë është futbolli, pa ata që mungojnë duhet shkuar tutje. Dhe, bazuar në tërë atë që është treguar në grup, është krejt reale që të martën në Southampton takohen dy skuadrat më të mira në grup. Kosova, bazuar në lojën e treguar, deri tash ka humbur 4 pikë. Sepse lojën kundër Bullgarisë në Prishtinë dhe kundër Malit të Zi në Podgoricë është dashur ta kishte fituar.

Se Kosova po befason në futboll mund ta thonë vetëm ata që e shohin si emër e nuk kanë njohuri të duhur për futbollin. Pjekuria është ajo që i ishte dashur Kosovës me lojtarë të rinj dhe me plot vullnet. E atë pjekuri tash e kanë, prandaj po vijnë edhe sukseset. Natyrisht, ka hapësirë për t’u pjekur edhe më. Ndeshja me Anglinë do të jetë një test krejt tjetër. Sepse është një skuadër, e cila lë hapësirë për lojë, që nuk mbyllet, por e cila dënon pa mëshirë secilin gabim.

Fitoret e thella të Anglisë kundër Republikës Çeke dhe Bullgarisë nuk duhet ta frikësojnë Kosovën, sepse shumica e golave u shënuan pas gabimeve fatale të kundërshtarëve, e jo se Anglia dominoi aq shumë. Mbrojtja e Anglisë lë mjaft hapësirë për kundërshtarët që kanë lojtarë të shpejtë në mesfushë dhe sulm. Por, t’ia lëmë këto punë selektorit Chalandes, sepse, siç thotë shpesh legjenda e futbollit nga Kroacia dhe ish trajneri i famshëm i Prishtinës, Miroslav Qira Blazheviq, një shtet sa ka banorë aq ka edhe selektorë.

Ajo që na gëzon është se pa patetikë mund të thuhet se këta lojtarë po e bëjnë tërë Kosovën krenare. Ndeshjen kundër Çekisë e përcolla në kanalin televiziv amerikan ESPN. “Pa dyshim komb i vogël, por me zemër shumë, shumë të madhe!” – thoshte komentatori i ndeshjes, i entuziazmuar edhe me tifozët në stadiumin “Fadil Vokrri”, por edhe me energjinë e lojtarëve të treguar në fushë.

Falë talentit, punës profesionale dhe përkushtimit të lojtarëve dhe ekipit që qëndron pas tyre, Kosova në futboll po shënon përparim të madh dhe ka gjasa të kualifikohet direkt për “Euro 2020”. Politikanët që dështuan ta lëvizin Kosovën përpara po mundohen të përfitojnë nga sukseset në sport, thuajse ata kanë ndonjë meritë për to.

Futbolli kosovar duhet të ketë kujdes, sepse me sukses vijnë edhe përfitimet financiare, edhe popullariteti, e ku janë ato aty është edhe potenciali për ndërhyrje politike dhe kriminale. Ka shumë shembuj se si skuadrat me shumë lojtarë të mirë kanë dështuar për shkak të lidhjeve të federatave të futbollit me strukturat, të cilat nuk e kanë vendin të përzihen aty.

Natyrisht se nuk mund t’ua ndalosh politikanëve të jenë tifozë. Natyrisht se ata mund të vijnë në stadium edhe në cilësinë zyrtare. Por nuk duhet ata të jenë në fokus. E mediat duhet të mësohen se sa e rëndësishme është analiza e lojës, e lojtarëve e sa pak e rëndësishme, e shpesh edhe bezdisëse, është mendimi i ndonjë politikani për lojën apo ku e shikuan ndeshjen dhe si u gëzuan ata.

Nëse veç duhet të nxjerrin mësime nga futbollistët, por edhe nga sportistët e tjerë të suksesshëm, politikanët e Kosovës duhet të kuptojnë se vetëm me punë arrihet suksesi. Pasi ata nuk punuan si duhet, pasi nuk u intereson shumë fati i tërë Kosovës, ata e lanë Kosovën të jetë në fund të tabelave për papunësi, për varfëri, për korrupsion dhe krim të organizuar, për sundim të ligjit. E në futboll të jetë e barabartë me të tjerët dhe të mos ketë as frikë nga askush e as ndjenjë inferioriteti ndaj askujt. Prandaj edhe është reale që Kosova në futboll të kualifikohet për ”Euro 2020” e për integrim në BE nuk ka gjasa në një të ardhme të parashikueshme. Sepse në proceset politike rregullat e lojës nuk janë aq të qarta, mashtrimet mund të kalojnë më lehtë, ndërsa edhe referi ka kritere të ndryshme.

Edhe një mësim morën në futboll. Nga jashtë na erdhi një ndihmë e sinqertë dhe profesionale. Sidomos nga Zvicra, nga vjen selektori i kombëtares së Kosovës, por edhe ku janë krijuar dhe forcuar shumë lojtarë që luajnë në Kosovë. Për dallim nga EULEX-at e UNMIK-at, që nuk ia sollën Kosovës qoftë edhe një standard profesional, në futboll nga jashtë erdhi një ndihmë që u përdor si duhet. Prandaj edhe punët po shkojnë më mirë në futboll sesa në politikë, gjyqësor, ekonomi, edukim e shëndetësi.

Shembulli i Kroacisë dëshmon se futbolli dhe suksesi në këtë sport mund të nxisin një komb të tërë drejt optimizmit. Kroacia pas vendit të dytë në botëror pati një rritje më të madhe të turizmit, ekonomisë dhe u bë edhe më e njohur në botë. Falë futbollit shumë njerëz gjithnjë e më shumë po dëgjojnë edhe për Kosovën.

Por, sikur në Kosovë ashtu edhe në Kroaci, edhe në futboll po krijohet përshtypja se suksesin duhet kërkuar jashtë vendit. Sepse pothuajse të gjithë lojtarët, edhe të Kroacisë edhe të Kosovës, pa marrë parasysh se ku janë të lindur, nivelin e lartë profesional dhe potencialin e plotë po e arrijnë vetëm kur dalin jashtë. E ky nuk është një shembull i mirë. Porosia për shtëpinë e futbollit kosovar është se duhet të forcojë ligën vendore, të vendosë rregulla në garat brenda shtetit dhe të ndihmojë klubet që të punojnë me të rinj. Se Kosova ka talente tashmë e dinë të gjithë. Por, se ka nevojë për më shumë punë në futboll, në Kosovë edhe këtë e dinë ata që janë të përfshirë në këtë fushë këtu. Prandaj sukseset e kombëtares duhet shfrytëzuar për ta avancuar edhe futbollin në Kosovë e jo vetëm për të pritur që të mbledhim lojtarë nëpër vende të ndryshme të Evropës për ta bërë një skuadër që të garojë me të tjerët.

Nëse Kosova do të hyjë pa frikë në ndeshjen kundër Anglisë, dhe me dëshirën që të fitojë e jo të mbrohet, mund të nxjerrë një rezultat të mirë, pse jo edhe historik.

Shkruan: Augustin PALOKAJ

Leave a Reply