Gjallëria e munguar në Prizren

0
591

Pandemia ka ndryshuar gjërat kësaj vere edhe në qytetin e bukur të Prizrenit, që për dallim nga herët tjera, sidomos në korrik e gusht gumëzhinte ditën e natën, pothuajse pandërprerë.

Prizreni është qyteti i dytë për nga madhësia, pas Prishtinës si kryeqendër, por tashmë është edhe “Kryeqyteti historik” i Kosovës.  Jo vetëm nga vendorët,  por edhe nga të huajt, ky qytet vlerësohet si më i bukuri ndër viset shqiptare.

Për dallim nga dekadat tjera, tashmë dita nis zbehtë, duke vazhduar me shtim gradual të ritmit gjatë ditës, aspak sikur herët tjera me gjallërinë për lakmi.

Ndonëse, qendra jugore e vendit vazhdon të frymojë në ritmin e vet, të përzier me valët e lumit, që ndan qytetin, të cilin e bashkojnë shumë ura, ndër to edhe ajo e “Kaltra”, që njihet si “Ura e Dashurisë”,  ku shumë çifte të reja “lidhin” në  dry dashurinë e tyre, Prizrenit sivjet po i mungon shumëçka.

Në Prizrenin ku kryqëzohen kulturat, e që ka lezetin e tij, në stilin “alla turka” e “alla franga” dita kalon pa zhurmën e kolonave dhe sirenave të automjeteve përmes qytetit,  shpesh të “teleisura” për dasma e ceremoni familjare,  të cilat këtu ishin madhështore. Gjithnjë e më të paktë janë edhe vizitorët shqiptarë,  të cilët nëpër internet postonin foto  me mbishkrimin “Në Prizren ma t’ bukurin vend”.

Nëpër rrugë e dyqane  mungojnë mërgimtarët,  të cilët e bënin edhe më energjik Prizrenin,  që vinin për të blerë stoli ari e veshje nusesh,  duke e lënë qytetin pa “infuzionin” e zakonshëm ekonomik.

Kësaj herë po mungojnë edhe veturat  e tipave më të ri, që sillnin ata krahas modës perëndimore.

Prizreni, që në stilin e tij përsëri përpiqet ta mbajë në modë “Shatërvanin” e bukur,  sivjet do ta ketë ndryshe edhe festivalin ndërkombëtar të filmit “DokuFest”,  që tashmë ka krijuar identitetin e tij, sikurse edhe organizimet tjera verore, si Panairin e librit, “Ngom fest-in”, “Sofrën e mërgimtarëve”, etj, që edhe në ditë vere, ndikonin shumë  edhe në turizmin kulturor.

Për shkak të rrethanave, duket se edhe dita përfundon më herët,  për ta lënë në heshtjen e natës kalldrëmin, që rrallë ka përjetuar ndonjë verë të tillë.

Mbrëmjet tash janë më të veçanta, pa të rinjtë e përqendruar në zonën qendrore, e pa “shatërvanin” e mbushur me tavolina, aq sa në disa raste mbetej vetëm një “shteg” i ngushtë për të kaluar.

Mungojnë edhe “ndejat” që në disa pjesë bëheshin në këmbë, me pijet e akulloren e shijshme tradicionale prizrenase. Nata pushon çdo gjë, pasi nga ora 21:00 deri në 05:00 për shkak të virusit Covid 19, tashmë aplikohet ora policore.

Megjithatë, shumë të rinj, që në humor thonë se nisur nga legjenda “nëse pi ujë në Shatërvan, do të martohesh këtu” , të rinjtë e sidomos vajzat do ta rikthejnë atmosferën e munguar, duke ardhur në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare,  dhe për ta pirë me shkas ujin e  sheshit të Prizrenit. 

Shkruan: Qazim MORINA

Leave a Reply