Faqja e zezë e Kosovës

0
84
Enver Robelli

Gjykata Speciale do të nxjerrë në sipërfaqe anët e errëta të një krahu të luftës që nuk luftoi kundër pushtetit kriminal serb, por kundër shqiptarëve dhe pjesëtarëve të pakicave. Mes të ftuarve ka edhe persona që dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve serbe.

“Kush nuk e njeh të vërtetën s’është veçse injorant. Por kush e njeh dhe e quan gënjeshtër, ai është kriminel”.

Bertolt Brecht: Jeta e Galileut

Kolapsi kosovar dhe Gjykata Speciale. Kështu mund të quhet kapitulli i zi i librit për Kosovën i shkruar në vitin 2019. Ky kapitull mund të përmbajë këta paragrafë: qe 20 vjet nuk kapet asnjë vrasës i njerëzve të profilit publik (publicistë, politikanë, kryetarë komunash, luftëtarë),qe 20 vjet kërcënohen dëshmitarë, qe 20 vjet nuk ndëshkohet gati askush për krime ndaj pjesëtarëve të pakicave, qe 20 vjet gjykatësit e prokurorët vendorë nuk marrin guxim të veprojnë kundër individëve të dyshuar për krime të luftës.

Kur trupi gjykues merrte vendim për të dënuar ndonjë ish-shef të UÇK-së, gjykatësi vendor tërhiqej nga frika dhe barra u mbetej gjykatësve të huaj. Kur qindra njerëz dalin në rrugë dhe e bëjnë publik emrin e një dëshmitari të mbrojtur, kjo kalon si rrebesh shiu, si diçka e zakonshme. Kur organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut alarmojnë për kërcënimin e dëshmitarëve, kjo injorohet nga institucionet. Kur zyrtarë të shtetit marrin ftesa për t’u intervistuar në Hagë, për shkak se përmes tyre dyshohet të kenë rrjedhur informata sensitive, prapë kjo nuk shkakton shqetësim në opinion dhe në skenën politike. Kur pas luftës përgjakeshin njerëz në qendër të Prishtinës vetëm pse dëgjoheshin duke folur “gjuhën e gabuar”, gazetarët që shkruanin e protestonin nga “patriotët kujdestarë” etiketoheshin si “nostalgjikë të Jugosllavisë”.

Pas të gjitha këtyre, a duhet të befasohet ndokush me themelimin e Gjykatës Speciale dhe të ftesave të saj? Megjithatë, pritje të mëdha nuk duhet pasur as nga Gjykata Speciale, sepse shumë dëshmitarë nuk janë më apo nuk duan të flasin. Kjo domethënë që ekziston rreziku që disa vrasje të mbesin të pazbuluara. Çka domethënë kjo për një shoqëri? Çka domethënë kjo për familjet e viktimave? Çka domethënë kjo për sundimin e ligjit? Çka domethënë, në fund të fundit, për të ardhmen e Kosovës kur dikush është mbi ligjin dhe kjo tolerohet?

Ftesat e Gjykatës Speciale nuk janë pjesë e ndonjë komploti, as nuk janë sinjale që do të “dënohet” lufta për çlirim. Në shënjestër janë individët. Nëse nuk kanë njolla të përgjakshme në biografitë e tyre, atëherë të ftuarit e kanë shansin të dëshmojnë pafajësinë. Kush i ka përgjakur duart, duhet të marrë dënimin e merituar. Të tillët nuk mund ta marrin shtetin peng për gabimet, krimet dhe lëshimet e tyre gjatë dhe pas luftës. Solidaritet me familjet e viktimave dhe drejtësi për viktimat, jo falje të veprave të pafalshme.

Deri më tani: 250 ftesa nga Gjykata Speciale. Kjo domethënë diçka. Kush janë këta njerëz dhe për çka dyshohen dhe pritet të akuzohen? Shumica e të ftuarve janë të dyshuar për krime të rënda. Shumica janë të dyshuar për vrasje të rivalëve politikë. Ata rivalë ishin shqiptarë, patriotë, njerëz që i shërbyen Kosovës duke rrezikuar edhe jetën. Mes të dyshuarve, edhe të tillë që kanë marrë pjesë në kidnapime, organizim të skuadrave për vrasje të pjesëtarëve të pakicave, dhunime e mizori të tjera, si kërcënimi i dëshmitarëve. Mes të ftuarve, siç u nënvizua, edhe vetë ministri i Drejtësisë, për shkak të rrjedhjes së informatave. Mes të ftuarve mund të jetë edhe shefi i dorëhequr i Shërbimit Sekret.

Paramendojeni çfarë domethënie ka për imazhin e Kosovës kur edhe zyrtarët e lartë të shtetit i thërrasin në Hagë nën dyshimin se po e pengojnë drejtësinë! Si e zezuan këtë shtet gjithë këta njerëz, si e dogjën çdo shpresë, si e bënë Kosovën vend për të cilin nuk kanë më respekt as fuqitë që e çliruan, si u bë Kosova shtet që i bie gati çdo javë numri i njohjeve? Kosova u bë kështu edhe për shkak të oportunizmit e servilizmit të jo pak njerëzve.

Tash po afrohet finalja. Dhe në finale ata që i kanë duart e përgjakura, por kravatat e shtrenjta, do të përpiqen që në grahmat e fundit të ndikojnë mbi dëshmitarë, të tentojnë të minojnë proceset hetimore dhe gjyqësore, do të përpiqen t’ia bëjnë gropën tjetrit për të shpëtuar veten, dhe të fusin miliona euro gjithandej për të sabotuar drejtësinë dhe për t’i ikur drejtësisë. Sepse kjo bandë ka mjaft miliona. Miliona për t’i fshehur në Turqi, Zvicër, Gjermani e gjetiu, miliona për të blerë prona jashtë Kosovës, miliona për të paguar lobistë, miliona për të paguar mercenarë me kalem kopjativ. Nëse Kosova tani e tutje qeveriset mirë, ajo prapë nuk e merr dot veten as pas 20 vjetësh. Kaq shumë e kanë vjedhur sundimtarët.

Shkruan: Enver ROBELLI

Leave a Reply