Edhe nanë edhe babë

0
554

Vajza, të cilën Leonora* e kishte rritur e vetme në një shtëpi dydhomëshe me qira tashmë ka përfunduar shkollën e mesme dhe po pret regjistrimin në Fakultetin Ekonomik. Lotët e gëzimit, të mbështjellë me pendesën për të gjitha mundësitë që vajza e saj i ka humbur për shkak të kushteve të rënda ekonomike, po e përcjellin Lenorën përderisa po përgatit një çaj. Biseda për fatin e saj, ndonëse kanë kaluar 20 vjet, mbetet ende e freskët. Leonora bën pjesë në grupin e më shumë se 2000 nënave që, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në dhjetë vitet e fundit kanë rritur fëmijët të vetme.

Lufta mes frikës dhe guximit

Ishte viti 2002 kur Leonora, një vajzë e re, kishte nisur një lidhje. Pas disa muajsh që ajo kishte mbetur shtatzënë, ishte braktisur nga partneri. Nën ndrojtjen e stigmës, paragjykimit, madje edhe largimit nga shtëpia, Leonora e mbajti të fshehur shtatzëninë e saj për gjashtë muaj sa jetoi në shtëpi të prindërve.

“Jam vesh gjon’, tepër gjon’, nuk kom hongër mos me shtu’ peshë e mos me u vrejtë që e kom ni fëmi n’bark, po tani hupsha peshë. E kom pas një shtatzani të randë”, tregon Leonora për Grazetën.

Më pastaj, Leonora ishte vendosur në një shtëpi të vjetër, qiranë e së cilës ia pagoi babai i saj. Ky i fundit, nën frikën e margjinalizimit të vajzës së tij dhe të paragjykimit të familjes nga shoqëria, gënjeu që vajzën e martoi në Gjermani dhe se menjëherë e kanë gjetur zgjidhjen që ta dërgojnë jashtë vendit.

“Ka qenë shumë e randë për mu me nejt tonë kohën me kry ulun në sy babës, po shyqyr, t`paktën për qatë kohë, u rahatova”, vazhdon ajo rrëfimin për Grazetën.

Dhimbje e vazhdueshme

Vajza e Leonorës qëndron e ulur në karrigen e tryezës që sot ishte plot, si rrallë herë më parë, përderisa dëgjon nënën e saj duke treguar për vështirësitë e kaluara. Leonora, e kujdesshme, rrëfen duke e shikuar shpesh me bisht të syrit vajzën e saj e cila tash e sa kohë po e bënte krenare.

“Masi kam lind, kanë fillu’ hala ma shumë probleme. Ish i dashuri është paraqit’ goxha do herë, po kurrë s’ka dashtë me e marrë vajzën e me e rrit. As unë s’kom dashtë me u kthy ai, po bile me na pas ndihmu’ kah pak”, thotë Leonora.

Me gisht bëri nga dritarja, nga pjesa tjetër e qytetit, për të shenjuar një shtëpi të vjetër e të vogël. Atje, ato kishin kaluar një periudhë të madhe të jetës së tyre. Po atje, Leonora kishte kaluar javën me një pako makarona, për t`i kursyer paratë që t’i blejë libra dhe ngjyra vajzës që kishte filluar rrugëtimin e dijes.

“Kam fillu’ punën menjëherë, kam punu’ në një furrë, kam marrë pare aq pak sa që as shpenzimet nuk m’i kanë mbulu’”, Leonora rrëfen për Grazetën.

Ballafaqimi me kushtet e rënda ekonomike mbetet problem e sfidë në vete për nënat vetushqyese. Gallup dhe Comparecamp  kanë  raportuar  se personat të cilët luftojnë më së shumti për ushqim dhe kulm mbi kokë janë nënat beqare. Si shembull marrin 148 vende të botës ku rreth 13% e nënave beqare të moshës 18 deri 60 vjeç kanë pasur një fëmijë më të ri se 15 vjeç. Sigurimi i ushqimit për familjen e tyre ka qenë sfida më e madhe.

Leonora nuk mund t’i numërojë netët e kaluara pa gjumë, duke qarë për vajzën e cila shpeshherë kërkonte gjëra që për fëmijët e tjerë ishin të zakonshme. Një çantë me barbi-kukulla, një fletore me vizatime e ndonjëherë edhe takimi me babin e saj ishin kërkesat e vajzës.

Për të siguruar vendbanim më të përshtatshëm, Leonora kishte punuar në dy vende. Rrugën nga furra e bukës për në market e bënte, dhe vazhdon ta bëjë ende, disa herë brenda ditës. Me nguti e djersë shkon nga njëra pjesë tek pjesa tjetër e qytetit për të siguruar paratë, me gjysmën e të cilave e paguan qiranë e banesës. Tash e pesë vite ato jetojnë në një apartament më të përshtatshëm e që i përmbush nevojat bazike të tyre.

E fortë për të bijën

“Kurrë s’kisha mujt me bo çka je tu bo ti!” Këto ishin fjalët që Leonora i dëgjonte prej dy kolegeve të saj të punës.

Një nënë beqare, sipas Leonorës, nuk bën gjë më shumë se sa një nënë e martuar. Ajo thjesht e rrit fëmijën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, por e vetme. Kjo është përgjigja e saj për dy koleget e punës dhe për çdo njeri që ndan të njëjtin mendim.

Ndër shumë paragjykime, atë e këshillonin ta gjejë sa më parë një burrë dhe të shpëtojë nga ky makth.

Derisa punonte në furrë e kthehej, ndonjëherë vonë, duke kaluar nëpër lagjen ku gjendej streha e tyre e vjetruar, Leonora përballej me paragjykime nga më të ndryshmet.

“Rrallë m`kanë folë mirë. M’kanë bo me vaj mu dhe çikën. Asaj tu i thanë kush rrin me ty, ti pa babë, e mu fjalë hala ma të randë m’kanë thanë. Zaten, kur jeton në qytete të vogla, qito sene i ki”, thotë Leonora.

“Çika jem e ka nji babë, ani pse nuk jemi t’martum e nuk e ka pranu’. As nuk m’vyn nji burrë, as nji dashnor me m’pshtu. Nuk e shoh jetën me fëmijën që kom vendos me lind si një makth, bile-bile m’ka ba edhe ma t’fortë. Mundem me kan’ edhe nanë edhe babë për ta, deri sa t’vendos me e taku’ e me u përballë me ta ajo vetë”, Leonora thotë për Grazetën.

Ani pse Leonora kishte gjetur ngushëllim dhe mbështetje tek familja, të njëjtin fat nuk e pati në shoqëri. Në një kohë të ndjeshme, kur kishte nevojë për dashurinë, ngrohtësinë dhe mirëkuptimin e dy shoqeve të saj të ngushta, ato po ia bënin të pamundur ngritjen në këmbë:

“Eh moj çikë, tash ishe kan’ n’punë e ku me dit’ çfarë djali kishe gjet’. S’të la veç me gishta në gojë, po edhe me bark të frymë. Tash krejt andrrat harrojë se reni që i realizon nuk o’. Ani tash që po bohesh nanë kaq e re…”

Megjithatë, Leonora zgjodhi të vendoste vetë për jetën e saj. Të ardhurat mund të mos i ketë sa për jetë luksoze, por të paktën i fiton vetë. Si një nënë e re dhe beqare, ajo kishte fituar që moti pavarësinë e saj. Historia e saj do të bëhet histori motivuese për të bijën, të cilën ajo shpreson ta rrit në frymën e ëndrrave të saj dhe të mburret me të një ditë.

Shëndeti mendor te nënat vetushqyese

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), gjinia është përcaktuese kritike e shëndetit mendor dhe çrregullimeve mendore. Rastet më të shpeshta tek gratë janë depresioni gjatë shtatzënisë ose pas lindjes së fëmijës. Deri sa, sipas të njëjtit raport të OBSh-së, në nivel botëror përqindja e këtyre grave është nga 10% deri ne 13%, në vendet në zhvillim kjo përqindje është më e lartë – 15.9% gjatë shtatzënisë dhe 19.8% pas lindjes. Në raste të vuajtjeve të rënda, ekziston rreziku që nënat ta shqyrtojnë edhe vetëvrasjen.

Përveç kësaj, kriza ekonomike, stresi i përditshëm, konfliket e përditshme, dhuna psikologjike, fizike dhe seksuale ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor te gratë.

Psikologia Albulena Selmanaj-Tolaj tregon se në nivel global, e veçanërisht në kulturën tonë, gratë vetushqyese përballen me sfida të shumta, sidomos në aspektin psikologjik. Disa nga problemet  që psikologia i thekson janë depresioni, çrregullimet e ankthit dhe stresi post-traumatik.

“Si nëna që janë të detyruara të kujdesen të vetme për fëmijët dhe mirëmbajtjen e shtëpisë, ato privohen edhe nga sasia e mjaftueshme e pushimit apo gjumit, gjë që i çon në një lodhje kronike dhe pamundësi që t’i kushtojnë kohë minimale vetvetes”, thotë Selmanaj-Tolaj për Grazetën. Përveç tjerash, gratë vetushqyese përballen edhe me stigmatizimin apo paragjykimet, duke nisur nga familjarët, shoqëria apo edhe vetë ish-partneri, shton ajo.

Por, mbi të gjitha, nënat vetushqyese janë heroina. Ato rrisin e eduktojnë fëmijët e tyre të vetme, ani pse në komunitet, për çdo ditë ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet dhe shpeshherë janë pjesë e harruar e shoqërisë. 

*Emri është ndryshuar për ta mbrojtur privatësinë e të intervistuarës.

Shkruajnë:

Erëmirë Zogu
Erëza Rashica
Veronë Selimi

Leave a Reply