Dhuna ndaj grave nuk është vetëm fizike! Dhuna emocionale shkakton plagë psikologjike

0
746

Në pëkrahje të fushatës 16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore

Dhuna ndaj grave ndodh në hapësira private dhe publike: në shtëpi, në punë, në shkolla dhe universitete, në rrugë dhe në mjetet e transportit publik.Ajo mund t’i ndodhë çdo gruaje,pa dallim moshe dhe përkatësie etnike, duke e prekur rëndë mirëqenien e saj dhe duke e penguar të marrë pjesë plotësisht në jetën shoqërore.

Dhuna ndaj grave mund të përjetohet jo vetëm fizikisht, por edhe në formën e dhunës ekonomike, seksuale dhe emocionale. Dhuna emocionale ndodh në formën e kritikave të tepruara, kërcënuese, poshtëruese, fyese, neglizhuese emocionale, nënçmimeve, dhe injorimeve.Gjetjet e studimit nga anketa për mirëqenien dhe sigurinë e grave në Kosovë (OSBE Misioni në Kosovë, 2019), tregojnë se mbi gjysma e grave të cilat kanë pasur partner ndonjëherë kanë përjetuar dhunë psikologjike nga partneri i tyre, aktual ose i mëparshëm (53%), shifër kjo më e lartë se mesatarja e raportuar në BE 43%.E cila është kategorizuar me sjellje kontrolluese 42 %, sjellje abuzive 32%, dhuna ekonomike 13 % dhe shantazh me abuzim të fëmijëve 4%.

Sipas Policisë së Kosovës, në gjashtë muajt e parë të vitit 2019, ka pasur gjashtë raste të vrasjes së grave, katër prej të cilave kanë ndodhur kur burri ka vrarë gruan. Në dekadën e fundit, 34 gra janë vrarë nga burrat në Kosovë”,vetëm 2 për qind e grave raportuan në polici rastin më të keq të dhunës së përjetuar nga partnerët aktual dhe se gati gjysma, ose 48  %, besojnë se dhuna në familje është një çështje private që duhet të mbetet në familje.

Si ndikon dhuna në jetën e një gruaje?

Dhuna ndaj grave mund të shkaktojë probleme afatgjata të shëndetit fizik dhe mendor. Dhuna dhe abuzimi prekin jo vetëm gratë e përfshira, por edhe fëmijët e tyre, familjet dhe komunitetet.Ekspertët theksojnë rëndësinë e ndërhyrjes në kohë, duke deklaruar se dhuna psikologjike shkakton probleme të rënda psikologjike të tilla si depresion, ankth, stres dhe trauma psikologjike. Këto efekte përfshijnë dëmtimin e shëndetit të një individi, ndoshta dëmtimin afatgjatë të fëmijëve dhe dëmtimin e komuniteteve. Efektet e tjera mund të përfshijnë mbylljen e njerëzve, mos dëshira për të bërë gjëra që ju kanë pëlqyer dikur, humbja e besim tek të tjerët dhe vetëvlerësim të ulët.

Korniza Ligjore

Në Kosovë Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, viktimave të dhunës në familje u siguron mbrojtje dhe i’u mundëson që të paraqesin kërkesë gjykatës për lëshimin e urdhrit mbrojtës për rastet e dhunës në familje. Dhuna ndodh në të gjitha kategoritë shoqërore pavarësisht moshës arsimit gjendjes ekonomike sociale etj. Dhuna në familje përbën një shkelje të të drejtave të njeriut.

Strategjia Kombëtare e Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Plani i saj i Veprimit 2016–2020, është hartuar dhe bazohet në katër objektiva strategjike: parandalimin dhe vetëdijësimin, mbrojtja dhe koordinimi, legjislacioni hetimi dhe procedimi, rehabilitmi dhe riintegrimi.

Ndërsa, Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, përmes procedurave standarde për mbrojtje nga dhuna në familje përmend mekanizmat institucionalë, duke cekur strehimoret si partnerë mbështetës joqeveritarë, të përfshirë drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Strehimoret për viktimat e dhunës në familje janë shërbime të specializuara mbështetëse që mundësojnë mbrojtjen, rehabilitimin dhe riintegrimin e viktimave dhe janë treguar të jenë efektive në ndihmën që ju ofrojnë grave për t’u larguar nga marrëdhëniet abuzive.Në Kosovë egzistojnë 7 strehimore funksionale për viktimat e dhunës në familje në Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Pejë, Gjilan, Prizren dhe Mitrovicë të Jugut.

Në fund të këtij viti deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan, me shumicë votash, një amandament në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në bazë të të cilit Konventa e Stambollit do të përfshihet në Kushtetutë.Kjo konventë njihet në botë si instrument ligjor për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës familjare, si dhe për mbrojtjen e viktimave.Ndjekja penale e dhunuesve cilësohet si bazament i konventës.

“Është detyrim i shtetit që ta adresojë plotësisht dhunën në të gjitha format e saj dhe të marrë masa për të parandaluar dhunën ndaj grave, për t’i mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit”, thuhet në konventë.

Dokumenti e përshkruan dhunën ndaj grave si “shkelje të të drejtave të njeriut” dhe si “formë diskriminimi”.Konventa e hartuar nga Këshilli i Evropës është hapur për nënshkrim në vitin 2011, në Stamboll të Turqisë.Turqia ka qenë vendi i parë që e ka ratifikuar.Deri më tani, kjo konventë është nënshkruar nga të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.

Fushata 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore

Fushata 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore është një fushatë ndërkombëtare për të sfiduar dhunën ndaj grave dhe vajzave.Fushata zhvillohet çdo vit nga 25 Nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, deri në 10 Dhjetor, Dita e të Drejtave të Njeriut. Ajo u iniciua në 1991 nga Instituti i parë i Lidershipit Global të Grave, mbajtur nga Qendra për Lidershipin Global të Grave (CWGL) në Universitetin Rutgers.Që nga viti 1991, më shumë se 6,000 organizata nga afërsisht 187 vende kanë marrë pjesë në fushatë.

Institucionet e Kosovës, organzatat ndërkombëtare dhe vendore janë bashkangjitur fushatës për të sfiduar dhunën ndaj grave dhe vajzave përmes organizimit të aktiviteteve të ndryshme dhe hapjen e fushatës 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave anembanë botës e cila do të zjgasë deri më 10 dhjetor.Simboli i fushatës është kordelja e bardhë, ndërsa ngjyra zyrtare e fushatës është portokallia me moton ‘Ti jepet fund dhunës ndaj grave’

Komuna e Prizrenit ka bërë ndriçimin e Shtëpisë së Bardhë në ngjyrë portokalli, në këtë mënyrëështë bashkëngjitur fushatës “16 ditë aktivizimi kundër dhunës në baza gjinore.

Ndërsa, Qendra e Strehimit të Grave dhe Fëmijëve në Prizren ka bërë hapjen e fushatës 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore përmes disa aktiviteteve, një nga aktivitetet ishte edhe hartimi dhe shpërndarja e fletushkave me informacione rreth kuadrit ligjor për mbrojtjen nga dhuna, me moton JO Dhunës në Familje, Denonco Rastet e dhunës në familje në të cilën janë përfshirë edhe numrat e thirrjeve pa pagesë, Policia 192, dhe 080011112.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme, diskriminuese dhe duhet të dënohet, si dhe të luftohet dhe parandalohet me çdo kusht. Kështu që, u bëj thirrje të gjithë burrave dhe djemve që të angazhohen plotësisht dhe të marrin përgjegjësinë për arritjen e barazisë gjinore.

Shkruan: Erolina MORINA – Psikologe Klinike dhe aktiviste e shoqërisë civile

Leave a Reply