Çrregullimet e Spektrit të Autizmit / Të gjithë jemi spektër, është koha ta pranojmë!

0
556

Le të fillojmë me shkaktarët dhe çfarë janë çrregullimet e spektrit të autizmit?

Çrregullimet e spektrit të autizmit janë çrregullime me natyrë neurozhvillimore, të cilat shoqërohen me disa vështirësi gjatë procesit të zhvillimit të fëmijëve që këto çrregullime prekin. Në këtë spektër të çrregullimeve bëjnë pjesë: Sindroma Asperger, çrregullimi disintegrativ, çrregullimi i papërcaktuar pervaziv dhe Sindroma Rett. Prindërit e këtyre fëmijëve janë të mërzitur dhe shumë të shqetësuar dhe shpeshherë e mendojnë ose pyesin “a është fëmija im i sëmurë? “dhe përgjegjia është “JO”, sepse çrregullimet e spektrit të autizmit nuk janë sëmundje. Autizmi apo çrregullimet e këtij spektri janë gjendje që sipas të gjitha hulumtimeve të deritanishme mendohet që do ta shoqëroj fëmijën gjatë gjithë jetës, por hulumtimet në këtë fushë janë të vazhdueshme dhe kjo situatë mund të ndryshojë. Fëmijët e prekur me këto çrregullime, siç u tha dhe më lart, hasën me disa vështirësi gjatë procesit të zhvillimit. Këto vështirësi kryesisht janë kognitive-aftësitë njohëse, emocionale, komunikative, vështirësi në ndërveprim dhe socializim. Ndërsa shkaktarët e çrregullimeve të këtij spektri janë akoma të paqartë apo akoma nuk është gjetur shkaktari konkret që shkakton këto çrregullime.

Le t’i shqyrtojmë më me hollësi shkaktarët e mundshëm dhe shenjat treguese të këtij spektri. 

Ndër shkaktarët që mendohet se ndikon në shfaqjen e këtyre çrregullimeve tek fëmijët është GJENETIKA. Në të gjitha shqyrtimet e literaturës si faktorë ndikues, gjenetika renditet e para dhe shumë studime janë përqëndruar në zona specifike të kromozomeve (7-të dhe 15-të) duke i llogaritur si përgjegjëse për shfaqjen e çrregullimeve të spektrit të autizmit. Por akoma nuk është shumë e njohur se si gjenetika apo kromozome specifike (nëse ka) ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të këtij spektri. Kjo nënkupton që akoma nuk kemi një “shkaktar gjenetik” të konfirmuar, prandaj jo domosdoshmërisht gjenet e mamit ose të babit e kanë fajin!

Tjetër faktor që mendohet se ndikon në shfaqjen e këtyre çrregullimeve është edhe mosha e madhe e prindërve, veçanërisht disa studime e kanë parë si faktor më ndikues moshën e madhe të babait. *Nga eksperienca jonë klinike janë të shpeshta rastet kur fëmijët e prekur nga ky spekter kanë prindër me moshë të madhe (40 plus), por nuk mund të themi që janë të rralla rastet e fëmijeve me autizëm me prindër me moshë të re, dhe në disa raste me moshë shumë të re (20, 25 vjeç).

Shpeshherë gjenetikës dhe moshës së prindërve, studiues të ndryshëm i kanë dhënë rëndësi me të madhe, por ndër faktorët e tjerë që mund të kenë ndikim në shfaqjen e këtij çrregullimi janë faktorët mjedisorë ku përfshihen toksinat e ndryshme që mund të hasë nëna gjatë shtatëzanisë (p.sh. pesticidet e ndryshme që përdoren në bujqësi dhe që bashkëshortët i marrin me anë të ushqimit), prania më e lartë se normalja e metaleve të rënda që mund të vijë nga konsumimi i tepërt i ushqimeve që përmbajnë metale të rënda (duhet pasur kujdes nga ushqimet e detit), ndotja e ajrit, infeksione të ndryshme virale gjatë periudhës së shtatzënisë, abuzimi me substancë narkotike dhe me medikamente të ndryshme, më konkretisht medikamente të natyrës psikiatrike, ekspozimi i tepërt në valët elektromagnetike.

Meqenëse çrregullimet e spektrit të autizmit janë edhe me natyrë metabolike, mendohet që disbalanca të ndryshme biologjike gjatë periudhës së shtatzënisë shpeshherë përmendet mungesa e vitaminës D dhe jo vetëm, mund të ndikojë në shfaqjen e këtyre çrregullimeve. Asnjë nga këta faktorë nuk dihet se si konkretisht ndikon në shfaqjen e Autizmit dhe nuk njihen si shkaktarë konkret ndikues.  Nga puna klinike me procesin e diagnostikimit të këtyre çrregullimeve, gjatë këtij procesi shumë profesionist të kësaj fushe, peshën e “fajit” e vendosin mbi gruan-nënën, prandaj duhet theksuar që të gjithë faktorët mjedisorë që u përmendën ndikojnë po njëlloj tek të dy prindërit (tek të dyja gjinitë) gjithashtu edhe meshkujt-burrat mund të kenë infeksione dhe disbalanca të ndryshme biologjike që mund të ndikojnë në shfaqjen e këtyre çrregullimeve. 

Cilat janë shenjat e hershme të çrregullimeve të spektrit të autizmit?

Është menduar se shenjat e autizmit apo simptomat e këtyre çrregullimeve fillojnë të shfaqën nga mosha 3-vjeçare, por me studimet e vazhdueshme është parë që fëmijët fillojnë të shfaqin shenja të këyre çrregullimeve shumë më herët, por më të konsiderueshme janë ato shenja që shfaqen pas gjashtëmujorit të parë të jetës. Para kësaj periudhe mund të kemi të qarat të tejzgjatura.

*Nga eksperienca jonë klinike prindërit kanë raportuar që fëmija i tyre në ketë periudhë mund të ketë qarë në mënyrë të vazhdueshme deri në tetë orë dhe kjo e qarë ka qenë konstante, gjithashtu kemi raste që kanë raportuar që fëmija i tyrë në këtë periudhë ka qenë shumë i heshtur dhe në disa raste nuk ka qarë as për të shprehur nevojat e veta (urinë, parehatinë etj), por ka dhe shumë raste ku periudhën e parë të gjashtëmujorit, prindërit e kanë vlersuar si totalisht normale dhe gjithashtu këta fëmijë në të ardhmen janë diagnostikuar me njërin nga çrregullimet e këtij spektri*.

Mos ndjekja e objekteve me sy dhe fokusimi i shikimit në një pikë të caktuar për më shumë se tre minuta ( duket sikur shikim i përhumbur) dhe kontakt shumë i pakët me sy përfshirë dhe nënën. Ky shqetësim në periudhën e para gjashtëmujorit është raportuar shpesh nga prindërit dhe mund të konsiderohet si një shenjë shumë e hershme e çrregullimeve të spektrit të autizmit. Pas gjashtë mujorit të parë mos mbajtja e kontaktit me sy vazhdon të jetë e pranishme, nuk e kthen kokën kur e thërrasim në emër, reagon vetëm ndaj stimujve të caktuar (p.sh. reklama të caktuara, tinguj të caktuar), mbindjeshmëri e madhe ose indiferentizëm ndaj zhurmave dhe dritës, fëmija nuk qan për mamin kur del nga dhoma, nuk i bën përshtypje nëse në dhomë ka njerëz të rinj, nuk i kupton dhe nuk u përgjigjet mimikave, nuk përgjigjet me buzëqeshje (nuk ka buzëqeshje sociale) përdorimi i lodrave nuk është kontekstual (nuk përshtatet loja me lodrën) p.sh: fëmijët me zhvillim tipik makinat lodër i shtyn, ndërsa fëmijët që kanë predispozitë për të zhvilluar këto çrregullime mund të fokusohen te rrotullimi i gomës së makinës. Është parë që në këtë periudhë kemi një mungesë të inciativës apo mosdëshirë për të eksploruar ambientin në të cilin fëmija është, qoftë shtëpinë, lodrat e tij, apo ambiente të tjera ku mund të gjëndet dhe fokusohet-fiksime në objekte të caktuara dhe detaje jo të zakonshme, vazhdon të qëndrojë mungesa e vëzhgimit vizual, nuk e dëgjoni fëmijën duke bërë tinguj me zë të vogël. Në disa raste fëmija në mënyrë konstante bën vetëm një tingull të caktuar. Me kalimin e muajve ne shohim që këto shenja vazhdojnë të jenë të pranishme, mund të ndodhë që disa të zbehen disa të përforcohen dhe shpeshherë prindërit thonë që pas gjashtëmujorit të parë dukej sikur fëmija dita-ditës po mbyllej në vetvete. 

Me kalimin e kohës, shohim gjithashtu që fëmija nuk bën tinguj të kordinuar vokal (Mam, mamm, bab, babb, buu, duu etj), nuk tregon me gisht për gjërat që do, mungojnë veprimet treguese (nuk tregon ose nuk shpreh me gjeste të ndryshme gjërat që do dhe nuk do) dhe kur arrin 16 muaj nuk thotë asnjë fjalë teke, në disa raste mund të thotë vetëm një fjalë p.sh: “mam”, “bab”, “uji” etj, dhe kur arrin 24 muaj fëmija nuk ndërton fjali me dy fjalë p.sh: “dua ujë”, “dua mamin” etj. Në shumë raste, në këtë fazë fëmija mund të vazhdojë të thotë vetëm një fjalë të vetme p.sh: “mam”, etj., dhe në raste të tjera pas 24 mujorit nuk e thotë më. Gjithashtu ndodh në disa raste që fëmijët pas gjashtëmujorit të parë të zhvillojnë pak më shumë ndërveprimin me mjedisin dhe përpiqen më shumë për të komunikuar, por në periudhën e 24-mujorit e lart këto aftësi zbehen intensivisht.  

Simptomat e çrregullimeve të spektrit të autizmit për moshat më të rritura 

Vështirësi në aftësi Kognitive-njohëse, shpeshherë mungesë komunikimi, por kemi raste kur fëmijët mund të kenë zhvilluar komunikimin duke përdorur një numër të kufizuar fjalësh. Në disa raste fëmija ndërton komunikim me këtë numër të kufizuar fjalësh, në disa raste i përdor këto fjalë vetëm kur do. Mund të ndodhë që fëmija të thotë nga një fjalë të re çdo ditë dhe nuk e thotë më, ose mund ta thotë pas një kohe të gjatë, dhe në disa raste fëmija nuk ka thenë asnjë fjalë dhe befas mund të thotë “ama topin” etj. Ekolalia apo përsëritja e fjalëve që dëgjojnë, e komplet fjalisë ose vetëm fjalën e fundit të fjalisë, është e zakonshme te fëmijët e prekur nga ky spektër dhe përdoret për të komunikuar dhe ndërvepruar me mjedisin p.sh: fëmija dëgjon mamin duke e pyetur “a do ujë” dhe kur fëmija është i etur thotë “a do ujë” etj, gjithashtu dhe përseritja e vazhdueshme e reklamave televizive ose frazave të caktuara është e njohur si ekolali jointeraktive.

Përdorimi i ekolalisë tregon që këta fëmijë mund të kenë vështirësi me “gjuhën ekspresive-shprehëse” por  të dy tipet e ekolalisë tregojnë që nëse punohet dhe trajtohet në mënyrën e duhur në të ardhmen ky fëmijë mund të zhvillojë komunikim normal. Duhet theksuar që: jo çdo fëmijë që nuk komunikon, përdor ekolalinë, apo ka vështirësi të ndryshme me komunikimin është me Autizëm.

Vështirësi me shprehjen e emocioneve, fëmijët e këtij spektri kanë vështirësi në shprehjen e emocioneve dhe refuzojnë të përgjigjen ose përshtaten me emocionet e të tjerëve, dhe zakonisht përdorin steriotipitë vokale (tinguj të caktuar që fëmija bën herë pas here, ose fraza të caktuara etj) për menaxhimin e situatave me ngarkesë emocionale për ta. Në disa raste fëmijët me autizëm në situata të ndryshme me ngarkesë emocionale shtrëngojnë dhëmbët,. Shpeshherë prindërit thonë “I bën dhëmbët si sharrë kur është në siklet” dhe kjo lidhet me nivelet e larta të ankthit që kanë këta fëmijë. Shtrëngimi i dhëmbëve mund të jetë dhe i vazhduëshëm. Vështirësi në ndërveprim dhe sjellje përsëritëse, fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit nuk ndërveprojnë me mjedisin, nëse i dërgon te lodrat, preferon të luajë vetëm ose tërhiqet dhe ndërtojnë ritual sjellore-sjellje perseritëse që nëse ndërpritet gjatë realizimit ose pengohet, fëmija shqetësohet dhe mund të kalojë në “tantrum” të qara të mëdha, agjitim, shtrëngime etj.

*Nga eksperienca jonë klinike dhe bazuar në shumë studime, siç u përmend dhe më lart, steriotipitë motorike, vokale ose sjellore zakonisht këta fëmijë i përdorin për të stabilizuar gjendjen emocionale të tyre dhe për të shprehur emocione të ndryshme si gëzim, hidhërim, gjendje të ndryshme emocionale “si euforia” etj. Tek disa fëmijë steriotipitë më shumë i provokon gëzimi, tek disa të tjerë mërzitja, pra varësisht nga temperamenti i tij fëmija shfaq steriotipi në gjendje të caktuara emocionale.

Personaliteti dhe temperamenti i fëmijëve me autizëm, edhe këtu duhet theksuar që jo çdo gjë që kalon apo bën fëmija lidhet me autizmin, edhe këta fëmijë kanë temperamentin dhe personalitetin e tyre që duhet respektuar dhe nxitur të zhvillohet, prandaj në qoftë se sot nuk dëshiron të dalë të luajë në oborr, thjesht nuk dëshiron dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar!   

Vështirësi në socializim, fëmijët me autizëm zakonisht hezitojnë të ndërveprojnë me fëmijët e tjerë gjithashtu dhe me individ të ndryshëm. Nga vëzhgimet tona klinike kemi vënë re që ky hezitim vjen si pasojë e ankthit që shpeshherë kanë fëmijët me autizëm. Disa studime pohojnë që tek këta fëmijë mungojnë dëshirat dhe aftësitë për socializim, por nuk jemi plotësisht dakord. Fëmijët me autizëm kërkojnë një ambient më të qetë dhe më të sigurt social, kjo u mundëson atyre që të kenë kontrollin e situatës dhe duke pasur kontrollin e situatës nivelet e ankthit nuk rriten dhe gjendja emocionale e tyre është e qëndrueshme. Me hapa të vegjël fillojnë të përshtaten dhe ndërveprojnë. Në mënyrë graduale këto shprehi ndërveprimi bëhen spontane dhe automatike. *Këtë e kemi parë në shumë raste që i kemi trajtuar dhe vëzhguar!*  

Procesi i diagnostikimit të çrregullimeve të spektrit të autizmit

Diagnostikimi i hershëm është thelbi i trajtimit të suksesshëm. Procesi i diagnostikimit duhet të fillojë me identifikimin e hershëm të shenjave treguese, evidentimin e këtyre shenjave nga pediatri i fëmijës dhe referimi i fëmijës tek specialisti për këto çrregullime. Procesi i diagnostikimit është një proces i shtrirë në kohë dhe realizohet me disa takime me fëmijën. Në këtë proces duhet të shihen dhe vlerësohen të gjitha sferat zhvillimore të fëmijës dhe veçanërisht fëmija duhet të vëzhgohet edhe në ambientin e tij natyral (shtëpi, kopsht, oborr etj), nëse njëra nga këto etapa anashkalohet, procesi i diagnostikimit është i  mangët dhe rrjedhimisht diagnoza mund të jetë e paqëndrueshme. Pas përmbylljes së procesit të diagnostikimit, kërkoni nga profesionisti raportin e detajur në lidhje me gjendjen e fëmijës tuaj, raport në të cilin duhet të përfshihet konkluzioni për çdo aspekt të vlerësuar, cilat janë pikat e forta zhvillimore të fëmijës dhe ku paraqet më shumë vështirësi, të gjitha instrumentat e standartizuara që janë përdorur dhe diagnoza konkrete, se cilin nga çrregullimet e spektrit të autizmit ka fëmija. 

Raporti i detajuar, sidomos diagnoza konkrete ndihmon në ndërtimin e ndëryrjes terapeutike, dhe kjo ndërhyrje mund të rezultojë e pasuksesshme nëse bazohet në raport të pjesshëm dhe diagnozë të “përgjithshme”.  

Ekzaminimet mjeksore që përfshihen gjatë procesit të diagnostikimit

Nuk ka ekzaminime konkrete mjekësore (analiza, skaner, etj) që tregojnë nëse një fëmijë është i prekur ose jo nga çrregullimet e spektrit të autizmit. Nëse profesionistët kërkojnë analiza të caktuara gjatë këtij procesi, duan të kuptojnë më shumë në lidhje me gjendjën e përgjithshme shëndetësore të fëmijës dhe mund të kenë vënë re shenja të ndryshme klinike për shqetësime të ndryshme shëndetësore, që jo domosdoshmërisht janë të lidhura me autizmin. Nga të gjitha ekzaminimet mjekësore që bëhen për të kuptuar më shumë për këto çrregullime gjatë proceseve të diagnostikimit gjithashtu dhe atyre kërkimore, në të gjitha rastet kanë rezultuar normale përfshrirë CT-n, MRI-n etj. Në raste të veçanta janë vënë re detaje diferencuese, por zakonisht konsiderohen rastësore dhe jo shumë mirë të studiuara.

Ndër ekzaminimet më të famshme në lidhje me këtë spektër janë intolerancat ushqimore, metalograma-mineralograma, lidhja e aminoacideve. Rezultatet e këtyre ekzaminimeve varijojnë nga një fëmijë tek tjetri, janë ndihmuese por jo domosdoshmërisht vendimtare për procesin e trajtimit. Mendohet që me PET-scan (positron-emission tomography) janë parë diferenca ndërmjet trurit të një fëmije me zhvillim tipik dhe trurit të një fëmije me autizëm, por kjo mënyrë ekzaminimi për këto çrregullime është akoma në fazë hulumtuese-studimore, prandaj akoma nuk duhet që të kërkojmë për fëmijet e spektrik një ekzaminim të tillë. 

Trajtimi i çrregullimeve të spektrit të autizmit?

Trajtimi apo ndërhyrja terapeutike e fëmijëve me autizëm duhet të ndërtohet duke u bazuar në raportin e vlerësimit dhe duke mbajtur parasysh të gjitha karaktersitikat dhe specifikat e fëmijës. *Nga eksperienca jonë kemi parë që nuk ka një program të përgjithshëm trajtimi që mund të jetë i sukseshëm për të gjithë fëmijët e prekur, prandaj duhet që çdo ndërhyrje terapeutike të jetë specifike.*  

Me çfarë duhet të fillojë kjo ndërhyrje terapeutike? 

Pas përmbylljes së fazës së vlerësimit, shqyrtohen deficitet e mundshme që mund të ketë fëmija, duke përfshirë edhe defiçite apo disbalanca të ndryshme biologjike, gjithashtu dhe shqetësime të ndryshme shëndetësore. Është e zakonshme që fëmijët e këtij spektri, përfshirë edhe fëmijët me autizëm të të gjitha trojeve shqiptare kanë probleme gastrointestinale. Shumë shpesh fëmijët që diagnostikohen me këto çrregullime kanë anomali-probleme me sistemin imunitar, ka disa raste të shpeshta që kanë alergji të ndryshme, infeksione, intoleranca ushqimore ku më të zakonshmet janë gluteni, kazeina, laktoza, dhe në disa raste kemi nivele të larta të metaleve të rënda në gjak dhe jo në të gjitha rastet është mërkuri!

Këto shqetësime shëndetësore janë të pranishme pothuajse tek të gjithë fëmijët e diagnostikuar (jo të gjitha njëherësh) dhe me të drejtë të gjithë ne profesionistët e fushës e kemi ngritur pyetjen “a janë çrregullimet e spektrit të autizmit çrregullime të trurit apo janë një sërë problemesh shëndetësore që afektojnë trurin?” Akoma nuk kemi përgjigje, por nga eksperienca jonë klinike kemi parë që pas rehabilitimit të gjendjes shëndetësore të fëmijës së diagnostikuar, simptomat e autizmit zbuten ose zbehen por vazhdojnë të qëndrojnë.

Prindërit e fëmijëve të këtij spektri shpeshherë janë të informuar se autizmi mund të lidhet me mungesa elementësh të ndryshëm dhe nuk hezitojnë të provojnë suplemente apo shtesa të ndryshme ushqimore. Kur këto suplemente i jepen fëmijës pa vlerësimin e profesionistëve të kësaj fushe, rezultatet janë zhgënjyese (nuk ka asnjë rezultat) prandaj për fëmijët me autizëm është vendimtar vlerësimi multidiplisinal (ku përfshihen: pediatri, psikologu klinik, specialisti  për çrregullimet pervazive, punonjësi social klnik) që trajtimi të japë efekte maksimale. Suplementet dhe ilaçet e ndryshme tregohen efektive vetëm kur jepen nga profesionisti, duke u bazuar në nevojat specifike të fëmijës, nevoja të cilat asnjëherë nuk janë të njëjta! 

Rehabilitimi i gjendjes së përgjithshme shëndetësore është një pikë e rëndësishme, por gjithashtu duhet të analizohen dhe punohet me të gjitha defiçitet që ka fëmija edhe nga ana kognitive, emocionale, komunikuese, sociale. Nga eksperienca jonë kemi parë që kur fëmija fillon të ketë përmirësime në aftësitë kognitive, rrjedhimisht ka përparime edhe në fushat e tjera, prandaj çdo teknikë terapeutike që është duke ndjekur fëmija i juaj sigurohuni që nxit ose stimulon zhvillimin e  aftësive kognitive të tij dhe jo të mësuarin mekanik. Gjithsesi nuk ka “teknikë terapeutike jo të mirë” por është e rëndësishme që këto teknika të aplikohen nga profesionistë të specializuar për teknikën specifike.  

“A ka shpresë?”  Padyshim që “PO”, të gjithë fëmijët të cilët kanë ndjekur një ndërhyrje specifike terapeutike që ka plotësuar të gjitha nevojat e tyre, kanë pasur rikuperim të jashtëzakonshëm të gjendjes së tyre. 

“A shërohet Autizmi?”, “ JO” sepse nuk është sëmundje. Autizmi është një gjendje specifike që me terapinë e duhur, mund të vazhdosh jetën dhe të jesh produktiv për veten dhe shoqërinë. “Kur do të flasë fëmija im?” Kur ai mendon që është koha e duhur dhe mendon që ia vlen, prandaj dedikojuni fëmijëve sa më shumë kohë cilësore, kini qasje normale me ta sikur ai nuk ka asnjë vështirësi, dhe tregoni mbështetje dhe dashuri pa kushte e pa pritur asgjë në këmbim, dhe sigurisht që do të Flasë! 

Punonjësi social klinik në procesin terapeutik

Gjatë gjithë procesit terapeutik të fëmijës me autizëm, është pjesë edhe punonjësi social klinik, një profesionist tjetër tejet i rëndësishëm. Në të gjithë hapat e procesit terapeutik të fëmijës, ai është aty duke dhënë të gjithë kontributin e tij si profesionist i fushës së shëndetit mendor. Gjithashtu gjatë realizimit të të gjitha qëllimeve të tij në raport me fëmijën, një pikë kyçe e tij është edhe terapia familjare, apo thënë ndryshe, terapia me prindërit e fëmijëve, takime terapeutike të cilat realizohen gjatë të gjithë shtrirjes së terapisë së fëmijës së tyre. Këto takime në mes punonjësit social klinik dhe prindërve në këtë rast, janë shumë ndihmuese dhe të rëndësishme në mbarëvajtjen e gjithë procesit terapeutik që zhvillohet gjatë të gjithë kohës së përcaktuar.

Në momentin që terapia e individit apo fëmijës mbaron pranë institucionit të shëndetit mendor, lind një frikë e re për prindërit e fëmijëve me spektrin e autizmit se ‘si do ta integrojmë fëmijën në shoqërinë tonë’, apo ‘a do arrijë fëmija im ta përballojë integrimin në komunitetin që atë e rrethon’ (çerdhe, kopsht, shkollë apo qoftë edhe në lagjen ku ai është pjesë). Duke e analizuar shoqërinë tonë, fatkeqësisht ndodhin edhe shumë paragjykime përkundrejt fëmijëve më të veçantë, dhe normalisht që mund të arsyetohet edhe shqetësimi apo pikëpyetjet që ngrenë në kokë prindërit në momentë të tilla. 

Në momentin që prindërit hasen në këtë udhëkryq apo ngrenë në kokë këto pikëpyetje, një profesionist, i cili u vjen në ndihmë, është punonjësi social klinik. Marrëdhënia e klientit me punonjësin social klinik komunikon pranimin, respektimin, kuptimin dhe ndarje eksperiencash. Ky profesionist arrin ta realizojë shumë mirë – trajtimin e personit në mjedis – ( aty ku personi bën pjesë). Punonjësi social klinik harton një plan në bazë të të gjithë qëllimeve të arrira pranë Instiutit të Shëndetit Mendor, dhe duke vazhduar mbarimin e procesit terapeutik drejt rezultatit final.

Është vetëm një profesionist si punonjësi social që arrin ta përpilojë të gjithë programin ndërhyrës në adekuat, se si do jenë urat lidhëse të fëmijës me të gjitha hallkat e komunitetit ku ai bën pjesë. 

Si fillim është shumë e rëndësishme që prindërit e fëmijës ta kenë kaluar fazën e mohimit, nëse kjo gjë nuk është arritur atëherë duhet të ndiqet terapia familjare, sepse në të kundërt kjo përbën një ngecje të vazhdimit të përbylljes finale të trajtimit të fëmijës, dhe nuk mund të arrihet një integrim i mirë i fëmijës në të gjithë hallkat e komunitetit ku ai bën pjesë. Më pas është shumë e rëndësishme lidhja e fëmijës më institucionet edukative-arsimore, një lidhje e cila duhet të jetë shumë e shëndoshë dhe pa asnjë lloj paragjykimi përkundrejt njërës palë apo tjetrës. Në momentin e vendosjes së fëmijës në një institucion edukativ-arsimor, planifikohet një plan PIA (plani individual i arsimit)  gjithmonë në varësi të pikave të forta dhe të dobëta të fëmijës, plan i cili realizohet më së miri nga terapisti apo profesionisti, i cili e ka ndjekur fëmijën në të gjithë hapat e zhvillimit të tij deri në atë moment që i është dorëzuar punonjësit social klinik.

Është shumë e rëndësishme që punonjësi social klinik të hartojë një kërkesë për të kërkuar një mësues ndihmës, kërkesë e cila i adresohet bashkisë/komunës gjithmonë nëse përfshihet në pikat mbuluese të saj. Mësuesi ndihmës kërkohet vetëm në rastet kur fëmija paraqet nevoja apo është një dëshirë të cilën e kërkojnë kujdestarët apo prindërit e fëmijës, ai e ndihmon fëmijën deri në momentin që ai është plotësisht gati për të funksionuar si një tërësi me grupin ku ai bën pjesë. Specifikojmë se punonjësi social klinik gjithmonë do jetë i pranishëm në të gjithë hapat që fëmija do hedhë. 

Punonjësi social klinik është i përkushtuar në lidhjen e fëmijës me secilën hallkë që përbën komunitetin. Gjithashtu ai është tejet ndihmues edhe për prindërit e fëmijës në mbështetjen emocionale apo në të gjitha vështirësitë që do kenë në të gjithë rrugëtimin e bukur blu që ata do kenë.

Nuk duhet të harrojmë se, të gjithë kemi shprehi tona të mira, të këqija, disa shprehi e dëshira ndonjëherë nuk guxojmë t’ia themi as vetes, dikush qan me lehtësi e dikush nuk qan fare, të gjithë tundim këmbët, kafshojmë buzët dhe shtrëngojmë duart tona  kur kalojmë situata jo të këndshme, na merret fryma kur jemi në ankth dhe ndoshta edhe kur shprehim një mendim tonin, e dikush tjetër nuk e ka fare problem të shprehë edhe mendimet e të tjerëve, për dikë flutura është e bukur, e dikush tjetër dëshiron të ketë një gjarpër kafshë shtëpiake.

Të gjithë jemi të ndryshëm dhe kjo na bën unik, përndryshe do të dominoheshim nga një rutinë mbytëse. Të pranojmë ndryshimet e njëri-tjetrit pa i vëzhguar, pa i diskutuar, e aq më pak pa i përqeshur, sepse në të kundërtën të gjithë do të hezitonim të flisnim, të socializohemi dhe ndërveprojmë. Me pak fjalë, bota do ndalonte, veçoritë tona unike qarkullojnë çdo gjë, prandaj larg shkaktimit të vështirësive sepse TË GJITHË JEMI SPEKTËR, ËSHTË KOHA TA PRANOJMË! 

Shkruajnë: Elma MIFTARI –  Neuropsikologe Klinike, Specialiste për Çrregullime Pervazive, M.Sc. Psikologe Klinike & Sara MIFTARIPunonjëse Sociale Klinike

Leave a Reply