Çka pas vendimit të kushtetueses!?

0
75

Shkrimin e sotëm do e filloj me deklaratën e Albin Kurtit pas vendimit të kushtetueses; “Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten,…ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm”.

Arsyeja e të menduarit logjik

Arsyeja e thjeshtë e të menduarit logjik e thotë, nëse LVV-ja dhe Albin Kurti nuk kanë pasur besim  në Gjykatën Kushtetuese, atëherë pse e kanë dërguar ankesën e tyre në gjykatë, për t’u tallur me të apo për t’i zgjatur jetën vetes në pushtet!?
Po ashtu logjika e shëndosh e parashtron edhe pyetjen tjetër për VV-në dhe liderin e saj, Albin Kurti, meqë nuk e pranoni vendimin e kushtetueses dhe e konsideroni të padrejtë, pse nuk i drejtoheni sërish Komisionit të Venedikut (Commissione di Venezia) apo “Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit” dhe gjykatave tjera ndërkombëtare për ta kuptuar të vërtetën dhe të drejtën e pakontestuar të organit më të lartë juridik në vend.

Respektimi i verdiktit të kushtetueses, obligim për të gjithë

Pse vendimi i kushtetueses ishte objektiv, e tregon mbështetja në Kushtetutë  dhe në realitetin e krijuar pas shkarkimit të ‘Qeverisë Kurti’ në Kuvend.
Pse vendimi i kushtetueses ishte i drejtë, e tregon kushtetuta dhe sistemi ynë parlamentar, gjegjësisht roli dhe kompetencat e patjetërsuara të Kuvendit në sistemin parlamentar.
Pse vendimi i kushtetueses ishte i paanshëm dhe i guximshëm, e tregon  mosnënshtrimi nga shantazhi dhe presioni i kërcënimeve me protesta.
Pse vendimi i kushtetueses ishte profesional, e dëshmon integriteti profesional i gjyqtarëve të kushtetueses, i vlerësuar me nota të larta pozitive nga Komisioni i Venedikut dhe  mekanizmat tjerë ndërkombëtar.
Në rrethana normale do të ishin të mjaftueshme thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe vendeve tjera mike të Kosovës drejtuar të gjitha institucioneve dhe partive politike që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Edhe pas humbjes së betejes, lufta politike për pushtet vazhdon…

Nëse LVV-ja e ka humbur një betejë, betejën tjetër për ndryshime politike duhet ta provojë në zgjedhjet e radhës (të parakohshme apo të rregullta kurdo që mbahen ato), e jo të kërcënoj stabilitetin e vendit me protesta dhe trazira për realizimin e qëllimeve politike.
Për t’u thirrur në emër të sovranit (popullit) duhet pasur mbështetjen e shumicës së qytetarëve të këtij vendi (mbi 51 %), e jo një shumicë të thjeshtë prej vetëm 26 % të votave të më pak se 45 % e qytetarëve të dalë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.
Formën e legjitimitetit të plotë ‘Qeveria Kurti’ e mori me bashkimin në koalicion me partinë e dytë, të barasvlefshme me fuqi të votave. Siq dihet rënja e kësaj qeverie erdhi si produkt i mosrespektimit të kësaj baraspeshe dhe balanci politik nga kryeministri Kurti.
Nëse duhet kërkuar shkaktarët për rënjen e ‘Qeverisë Kurti’ apo ‘qeverisë së shpresës’ siq e kemi quajtur dhe trajtuar një kohë të gjatë, atëherë ajo duhet filluar nga Albin Kurti i cili e nënçmoi partnerin e koalicionit deri në poshtërim.

Respektimi i vullnetit të shumicës në kuvend, normë demokratike

Në këto rrethana, ashtu siq e ka konstatuar edhe kushtetuesja, pas mocionit të suksesshëm të (vet) shkarkimit të ‘Qeverisë Kurti’ në Kuvend, të drejtën e formimit të qeverisë se re, e ka partia apo koalicioni i shumicës në Kuvend e jo pakica si fituese e zgjedhjeve me legjitimitet të cunguar.
E quajta legjitimitet të cunguar, për faktin e thjeshtë, se për t’u thirrur në legjitimitetin qytetar duhet fituar besueshmërinë apsolute të qytetarëve e jo të një shumice të thjeshtë.
Fundja, respektimi i vullnetit të shumicës është rregull i demokracisë parlamentare. Eshtë detyrë e secilit qytetar dhe çdo subjekti politik në këtë vend për ta mbrojtur shtetin nga anarkia, duke respektuar rregullat e demokracisë.
Protestat dhe shprehja e pakënaqësisë janë të lejuara me kushtetutë dhe ligjet që burojnë prej saj, deri në atë masë që nuk cenojnë rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve.
Shtetin e fituar me mund e sakrifica të panumërta, paraprakisht vendimeve të organeve kompetente shtetërore duhet ta ruaj dhe mbrojë secili qytetar i këtij vendi me sjellje civilizuese dhe demokratike.
Republika e Kosovës nuk është pronë e asnjë partie politike dhe politikani, as e Hashim Thaçit dhe as e Isa Mustafës, as e Albin Kurtit dhe as e Ramush Haradinajt, por është pronë e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.
Andaj, secili prej nesh duhet të vihemi në mbrojtje të shtetit pa pasur nevojë t’i shesim patriotizëm njëri-tjetrin, se kush e don më pak e kush tjetër më shumë Republikën e Kosovës.
Aq më pak, nuk kemi të drejtë t’i vihemi në qafë Gjykatës Kushtetuese për verdiktin e saj të drejtë në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjshmërisë në vend.

Janë veprat ato që i bëjnë njerëzit e mëdhenjë, e jo fjalët

Përfundimisht Albin Kurti duhet ta pranojë në mënyrë të civilizuar verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, për arsye se, pas shkarkimit më 25 mars 2020 në Kuvendin e Republikës së, as kushtetuesja dhe askush tjetër nuk mund ta mbajë në pushtet me 29  deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Veprimi më i mençur për Albin Kurtin dhe LVV-në do të ishte që, para largimit nga qeveria, në vend të protestave të kota për mbajtje të pushtetit, të shkojnë në Veri të vendit, dhe në mënyrë simbolike t’i vendosin flamujt Kosovës përkrah flamujve serb ose të paktën, për nder të 4 vjetorit të vendosjes së shtatores së mbretit serb, me ja vënë në dorë Car Lazarit një flamur t’Kosovës, për t’i treguar se jemi shtet apo t’ia vendosin peshkopit serb Sava Janjiq një flamur në derë të Manastirit, për t’ia kujtuar se ndodhet në Kosovë e jo në Serbi!
Kësaj radhe Albin Kurti duhet të reflektojë më shumë se asnjëherë më parë për t’u dëshmuar para qytetarëve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare si lider i përgjegjshëm dhe pragmatik që respekton ligjet dhe që e don shtetin më shumë se veten e tij.
Pas largimit nga qeveria, Albin Kurti duhet t’i nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e shumta dhe të njëpasnjëshme në qeverisjen e shkurtër, në radhë të parë, sesi duhet përzgjedhur, ruajtur dhe respektuar partnerin qeverisës, për arsye edhe në të ardhmen Albin Kurti do të ketë nevojë për partner qeverisës në koalicion para ose pas zgjedhor, për shkak se në rrethanat e krijuara në Kosovë, do të jetë e pamundur që një subjekt i vetëm politik t’i fitoj mbi 51 % të votave.

Shkruan: Albin KURTI

Leave a Reply