(Ba)analistët politikë

0
268

Çdo profesion e ka kohën e aktualitetit dhe rëndësinë e vet. Në kohën e epidemive aktualizohen mjekët. Në kohën e rrezikimit të sigurisë, policët, oficerët, ushtarët.

Në kohën e burgosjeve masive avokatët. Në kohën e seminareve të gjuhës, gjuhëtarët. Në kohën e festivaleve të filmave dhe muzikës, regjisorët, kompozitorët, artistët… Në kohën e orëve letrare shkrimtarët dhe poetët… Kur të prishen makinat, automekanikët… Në kohën e zgjedhjeve, politikëbërjes, politikanët dhe politikologët. Politikanët që merren me politikëbërje, ndërsa politikologët me studimin dhe analizën e politikës dhe proceseve të politikëbërjes. Shpesh barazohet profesioni i politikanit me atë të politikologut. Pa ditur se shkenca politike procedon sipas argumenteve, ndërsa politikanët kryesisht argument e kanë pushtetin, përmes të cilit instrumentalizojnë mbështetësit për qëllimet e veta…

Dilemë nuk ka, shkencat sociale kanë lidhmëni mes vete. Është shumë mirë që para fushatës, gjatë fushatës, pas fushatës, ekziston një aktivizim analitik-politik. Por, nuk është mirë, që ky aktivizëm po tentohet, pa kritere profesionale, të ngrihet në nivelin e kompetencës politike. Të gjithë kanë të drejtë të merren me politikë, por vetëm ata që e kanë shkencën politike si profesion janë kompetentë për të analizuar dhe gjykuar për politikën dhe politikëbërjen, meqë politikologët studiojnë politikëbërjen.

Nuk më ka ndodhur në jetën time të më thërras dikush që më njeh si politikolog, t’ia mjekoj fëmijën, të jap vlerësime për – siguri, drejtësi, gjuhë, të riparoj veturën, të gjykoj për art, muzikë, poezi… Por, jemi dëshmitarë se shumë individë që nuk kanë kryer studimet e politikës dhe politikëbërjes po pretendojnë të bëhen kompetentë për analiza të zhvillimeve politike ! Prandaj, vlerësimet për politikëbërje shpesh po banalizohen.

Tregu politik dhe medial, në mungesë të kritereve dhe standardeve të mirëfillta, është stërmbushur me analistë.

Fillimisht, politikanët që e makiavelizuan politikëbërjen në Kosovë po prodhojnë analistë serikë për ta arsyetuar makiavelizimin e skenës politike. Soji serik i analistëve është në funksion të arsyetimit të politikës makiaveliste. Në vend se të gjykohet dhe ndëshkohet politika e krimit, ajo po mbështetet dhe arsyetohet!

Së dyti, prodhimi serik i kuazi-analistëve e ka rrezikuar hapësirën dhe ndikimin e analistëve kompetentë. Ofensivat e kuazi-analistëve të mbështetur nga strukturat politike e kanë shtyrë në defensivë kompetencën analitike. Kështu duke i dëgjuar këta kuazi-analistë po krijohet bindja në opinion se politikanët më të suksesshëm janë ata që manipulojnë më së miri, ata që nuk e zgjedhin mjetin, as formën, për të realizuar qëllimin!

Por pavarësisht fuqizimit të vazhdueshëm të kësaj simbioze, konsideroj, me plot bindje, se nuk ka profesione të marra, por më duken të marrë ata individë që nga fushat e kompetencave të tjera eventuale pretendojnë të bëjnë analiza profesionale kompetente politike!

Është fakt se politika është veprimtari universale me të cilën mund të merret çdokush, por studimi dhe analizimi i politikës dhe proceseve politike është çështje e kompetencës profesionale. Mjerisht, skena aktuale politike në Kosovë po krijohet si pasojë e bashkëveprimit mes politikanëve që politikëbërjen e kanë kuptuar si profit dhe këshilltarëve, analistëve politikë që kënaqen me thërrmijat e profitit që politikanët ndajnë për ta!

Politikanët dhe analistët i kanë pushtuar televizionet, ngase ka kaluar koha kur fitoret janë siguruar duke pushtuar kalatë dhe kështjellat e kundërshtarëve dhe armiqve. Sot, betejat kryesore politike po zhvillohen në media dhe përmes mediave. Fatkeqësisht orteku i kuazi-analistëve duke lajthitur opinionin po i rrezikon analistët që po mundohen për t’i ruajtur dinjitetin dhe profesionalitetin e studiuesve dhe analizuesve të politikëbërjes. Për kuazi-analistët, politikat e liderëve politikë janë të arsyeshme. Ata politikat e liderëve politikë i kanë të shenjta, ngase nuk i besojnë vetes. Ndërsa, për analistët profesionalë vetëm të vërtetat dhe drejtësia janë të shenjta, e jo liderët politikë! Aktualisht në fushatën, parafushatën zgjedhore, gjatë dhe pas fushatës, në beteja të pabarabarta janë apologjetët e rrenave, lajthitjeve dhe manipulimeve me apologjetët e së vërtetës, drejtësisë dhe kompetencës, për aq sa kanë mbetur të vërteta, drejtësi dhe kompetenca në politikë. Për aq sa ka të interesuar sot për to! Ngase, e vërteta, drejtësia dhe kompetenca profesionale mbeten shtylla kryesore nga të cilat varet edhe vlera e shoqërisë kosovare. Analistët kompetentë u përmbahen kërkesave të objektivitetit dhe bindjet i krijojnë dhe i ndryshojnë varësisht nga faktet dhe të dhënat shkencore, e jo sipas kërkesave të liderëve politikë! Analistët kompetentë janë neutralë, vëzhgues dhe analizues të zhvillimeve politike, të gatshëm për t’i dhënë mendimet dhe vlerësimet për audiencën dhe politikanët rreth politikëbërjes si ekspertë e jo si mbështetës politikë.

Pasi nuk po vijnë në shprehje ata që duhet, po detyrohemi t’i durojmë ata që me ndihmën e politikëbërësve po dominojnë… Ky është paralajmërim ogurzi se zhgënjimi ynë për politikëbërësit dhe politikën kosovare do të jetë i pafund nëse vazhdon të udhëhiqet dhe të mbështetet politikëbërja nga inkompetenca!

Shkruan: Belul BEQAJ

Leave a Reply