As themelet e shtëpive të rrëzuara nuk e tundin Mytën

0
483

Katër vite më parë u zhvillua një protestë në sheshin e Prizrenit, ku kërkohej dorëheqja e kryetarit të komunës Prizrenit Ramadan Muja dhe përgjegjësve të tjerë komunal, të cilët “lejuan” ose më saktë nuk parandaluan vdekjen e paralajmëruar nga rrënimi i një shtëpie historike të lënë në harresë.

Dhe katër vite më vonë, opozita që organizonte protesta për të ndëshkuar fajtorin e asaj drame të paralajmëruar, sot në pushtet sillet me të njëjtën papërgjegjësi dhe arrogancë si pushteti i kaluar ndaj çdo gjëje dhe veçmas ndaj objekteve historike që rrezikojnë të shemben.

Deklaratat shfajësuese të kreut të komunës dhe zarëve të tij për të drejtuar gishtin gjetiu janë shokuese. As pushteti i kaluar i 1001 të zezave në rastet si ky i rrëzimit të shtëpisë ku mbetën të lënduar dy qytetarë nuk ka pasur kurajo dhe as guxim për të shkarkuar fajin te dikush tjetër.

Nuk e di se çka duhet të ndodhë më shumë që kjo qeverisje lokale të heq dorë nga kjo logjikë e mospranimit të përgjegjësisë dhe trajtimit të rasteve me indiferencë. Dhe sa shtëpi duhet të zënë përfundi, largqoftë qytetarët tanë që ky kryetar të zërë mend?
Janë me dhjetëra shtëpi në çdo rrugicë të zonës historike që mezi rrinë në këmbë dhe teksa kalon të ftojnë të vesh dorë mbi ta.
Mos ndoshta ky kryetar po pret ndonjë tragjedi si ajo e katër viteve më parë që të zërë mend, se nuk ka shpjegim tjetër? Në dy deklarimet e tij, kryetari i Komunës së Prizrenit shpërfaqi vetëm mospërfillje.

Mesa duket akoma nuk e ka kuptuar se ai është kryetar, se po ta kishte kuptuar nuk do të ishte akoma duke na folur për pengesat që i kanë dalur për të kthyer në jetë shtëpitë në zonën historike të qytetit.
Ai mesa duket nuk e ka mësuar se një kryetar ka për detyrë të luaj krejt kartat për të parandaluar tragjeditë e paralajmëruar.
Kushedi, këtë herë ndoshta mos po përvesh mëngët, jo për t’iu hedhur tastierës për të gjetur justifikimin dhe shënjestruar fajtorin e radhës por për të bërë zgjidhje për gjithë ato banorë që jetojnë me shpresën që themelet e shtëpive të tyre të rezistojnë, të paktën dhe një natë.

Shkruan: Bashkim RAKAJ

Leave a Reply