Adoleshenca, një fazë delikate e zhvillimit fizik dhe mendor të njeriut

0
965

Problematika e moshës adoleshente diskutohet pothuajse në të gjitha literaturat e Psikologjisë, madje në Evropë janë bërë edhe shumë hulumtime në lidhje me këtë temë.

Adoleshenca paraqet një nga periudhat më kritike të zhvillimit të njeriut dhe se thyerjet që mund të ndodhin në këtë moshë lenë gjurmë të thella në personalitetin e njeriut, andaj mënyra se si duhet të sillemi me adoleshentët që mos të pësojnë kriza të tilla është shumë e rëndësishme. Adoleshenca është një temë e rëndë për t’u trajtuar në këtë zhvillim dinamik të jetës moderne, por në të njejtën kohë është dhe shumë atraktive për tu studjuar dhe hulumtuar. Kur përmendet fjala ‘’adoleshencë’’ në komunikimin e përditshëm, prindërit, profesorët, dhe njerëz tjerë të rritur gjithmonë në kokat e tyre kanë të krijuara harta kognitive që kanë të bëjnë me llastimet e adoleshentëve, rëndësin që ata u japin veshjes dhe pamjes, dëshirës për të marrë vet vendime.. etj. Mirëpo, pa u menduar për thellësin dhe rëndësin e asaj se ç’farë e bën një adoleshent specifik për moshën në të cilën është. Asnjërën nga këto sjellje nuk duhet ta injorojmë dhe mos ta zbërthejmë ngase çdo injorim i tyre mundet t’i kushtojë shumë adoleshentit dhe prindërve. Nëse neve do t’i kuptojmë ata, do t’i respektojmë vendimet e tyre, do t‘i përkrahim në çdo aspekt që të marrin vendime të drejta, atëher gjasat që ata të gabojnë do të jenë minimale.

Natyrisht, egzistojnë shumë faktorë të cilët ndikojnë në formimin e një personaliteti të mirëfilltë, por si një prej faktorëve të rëndësishëm dhe kyq është padyshim familja, veçanërisht prindërit e adoleshentëve. Ata duhet të kuptojnë që fëmijët e tyre tashmë janë rritur dhe se kanë deshirë të marrin vet vendime. Në mënyrë që mos të shkaktojnë konflikte mes vete ata duhet të mundohen tu sqarojnë ato gjëra fëmijëve të tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, kështu që do të krijohet besimi i ndërsjelltë mes tyre dhe se nuk do të kenë probleme. Faktor tjetër është shkolla, si institucion edukativ dhe arsimor, ku pedagogët duhet të kenë konsideratë për këtë moshë dhe të tregohen të kujdesshëm me sjelljet e tyre ndaj adoleshentëve, ata duhet të përdorin metoda të ndryshme të avansuara që mos të krijojnë monotoni në procesin arsimor. Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm i cili ka një rëndësi të veçantë në formimin e adoleshentit është edhe shoqëria e adoleshentit pasiqë kohën më të madhe adoleshentët e kalojnë me shoqëri. Ekzistojnë edhe shumë faktorë tjerë, mirëpo këto theksohen si më të rëndësishëm pothuajse në një pjesë të madhe të literaturës së Psikologjisë.

Meqë e tërë periudha e adoleshencës konsiderohet si kritike, ajo gjithashtu ka edhe problemet e veta serioze që janë karakteristikë për këtë grupmoshë. Adoleshentët përjetojnë probleme të natyrave të ndryshme, ku më të brengosura janë vajzat adoleshente, tek të cilat kjo brengosje shfaqet në fazën kur ato përjetojnë papritur ciklin e parë menstrual. Një prej sferave shumë shqetësuese për adoleshentët e të dyja gjinive është edhe pamja e jashtme ose dukja e tyre, ku në këtë moshë ata i kushtojnë shumë rëndësi dukjes, veshjes dhe janë tepër të preokupuar me çështjen se si i perceptojnë të tjerët ata. Derisa për një pjesë të prindërve këto gjëra nuk duken si problem ose as që vërehen fare nga ana e tyre, për vet adoleshentët këto sa vijnë e bëhen probleme të rëndësishme personale.

Një problematikë tjetër për adoleshentët paraqesin edhe arritjet akademike, ku adoleshenti duke qenë shumë i preokupuar dhe i brengosur për botën e tij të brendshme, ka shumë pak kohë që të mirret me angazhimet shkollore dhe në këtë mënyrë bie niveli i suksesit në shkollë, ndërkohë që rriten kritikat e pedagogëve ndaj tyre, si dhe ashpërsohen raportet me prindërit e tyre. Orientimi profesional poashtu paraqet problem për adoleshentët, ku mungesa e përvojës dhe e pjekurisë krijojnë konfuzion në lidhje me përzgjedhjen e profesionit dhe me krijimin e mardhënieve të punës në të ardhmen. Kështu që prindërit duhet të tregojnë kujdes të veçantë në këtë aspekt duke u marrë me këtë çeshtje qysh në moshën e hershme të adoleshencës, në mënyrë qe t’ia lehtesojnë orientimin profesional.

Rrezik tjetër sa i përket kësaj moshe paraqet edhe fakti se kohëve të fundit është rritur numri i adoleshentëve të cilët abuzojnë me narkotik dhe vazhdimisht po lobohet që të tregojmë kujdes të veçantë ndaj tyre. Poashtu kemi dhe rreziqe tjera sa i përket sëmundjeve të ndryshme seksualisht të trnasmetushme, siç është virusi i Sidës (AIDS ), për shkak të marrëdhënieve të pakontrolluara seksuale, mungesës së njohurive të transmetimit të këtyre infeksioneve etj. Gjithashtu viteve të fundit është në rritje edhe fenomeni i kriminalitetit, dhe adoleshentët shumë lehtë mund të bien pre e kësaj dukurie negative si pasojë e rrëmujave të ndryshme ekonomike dhe sociale.
Sigurisht që ka edhe shumë çështje tjera të cilat janë karakteristikë për moshën adoleshente por unë i përzgjodha disa prej tyre të cilat konsiderohen si më aktuale.

Një gjë është e sigurtë, që me përfundimin e kësaj faze të zhvillimit çdo gjë do bie në vendin e vet por për t‘i tejkaluar gjithë këto probleme ose sfida, adoleshentëve u duhet më shumë ndihmë, besim, mirëkuptim nga ana e prindërve dhe e pedagogëve, e pse jo edhe vizita tek psikologu për të mësuar se si t‘i qasemi fëmijëve gjatë kësaj moshe delikate ose si t’i mirëkuptojmë më mirë ata!

Shkruan: Kaltrina SKORO – MURTEZAJ
Psikologe

Leave a Reply