A njeh dikë që ka koronavirus?

0
145

Numri i të infektuarëve dhe të shtruarve në spital me Covid-19 po vjen duke u rritur çdo ditë dhe çdo ditë e më dendur dëgjon pyetjen: a njeh ti njeri me koronavirus?

Njerëz publikë janë infektuar dhe kanë folur për rreziqet e virusit të panjohur. Por kjo nuk mjafton për të mos bërë pyetjen më pa kuptim për momentin.

Ushqim për këtë pyetje nuk janë vetëm teoritë e konspiracionit, por dhe mesazhet kakofonike që vijnë nga mjekët, ekspertët dhe institucionet, është papërgjegjshmëria e liderëve politikë që në kushtet e pandemisë shpërfillën logjikën, ligjin dhe rregullin e vendosur për të mos patur grumbullime, dhe mbi të gjitha është dhe fakti se spitalet publik dhe privat po kthehen në vatra infeksioni.

Fqinji ynë, Maqedonia e Veriut vendosi sot gjendjen e jashtzakonshme edhe për 8 ditë të tjera. Teorikisht dhe zyrtarisht deri më datën 23 Shqipëria në gjendje të jashtëzakonshme, praktikisht me heqjen e karantinës dhe hapjen graduale e ekonomisë janë harruar këshillat për distancën fizike, larjen e duarve, dhe së fundmi përdorimin e maksave.

Mosbesimi për praninë e virusit shfaqet edhe si sfidë ndaj autoriteteve. Nëse me hapjen i kërkohet çdo individi përgjegjësi indiviuale, e njëjta gjë vlen edhe për autoritetet dhe institucionet.

Rritja e numrit të infektuarve dhe shtrimeve në spital po përcillet me indiferencë nga opinioni, ndërsa frika për valën e dytë të koronavirusit duket se është më shumë në portale dhe emisione televizive.

Virusi nuk ka ikur, është mes nesh. Bashkëjetesa me të (deri në daljen e vaksinës) do të varet nga ajo çfarë bëjmë secili prej nesh dhe nga ajo çfarë bëjnë autoritetet.

Mjetet e fazës së parë të pandemisë duket se nuk i rikthejmë dot më. Askush nuk e pranon më izolimin, kurse distancimin social e kemi zëvëndësur me afrimin e përmalluar. Lutjet dhe kërcënimet nuk po funksionojnë? Ka rënë autoriteti apo ka sosur durimi dhe jemi bërë moskokëçarës?

A ka zgjidhje kjo situatë?

A e shpëtojmë dot edhe njëherë pa kosto dhe pa rrezikuar jetën e njerëzve?

Pyetja është: a ka dalë situata jashtë kontrollit?

Shkruan: Lutfi DERVISHI

Leave a Reply