Në QKMF-në e Prizrenit rritet për 260% numri i mamografive të kryera

0

Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prizren këtë vit është rritur për 260% numri i kërkesave për kryerjren e shërbimit të mamografisë.

Krahasuar këtë periudhë të vitit 2019, ka rezultuar se në vitin 2018 janë kryer vetëm 35 mamografi. Nga ana tjetër edhe shërbimi për kryerjen e ultrazërit të gjirit është rritur për 80%, dhe gjatë këtyre tre muajve të vitit 2019 janë kryer 191 Echo, duke shënuar rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Këtë njoftim dhe krahasim i ka bërë publike Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ka paralajmëruar se do të investohet edhe më tutje në sektorin e shëndetësisë në të mirë të qytetarëve.

“Diagnostifikimi i hershëm shpëton jetë! Prandaj, Drejtoria e Shëndetësisë ka realizuar projekte të ndryshme për zbulimin e kancerit të gjirit, i cili paraqet llojin më të përhapur të kësaj sëmundjeje te gratë, e po ashtu mund të paraqitet edhe te meshkujt.

Mamografia është mënyra kryesore e cila mund të përdoret në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Duke e ditur këtë, në krahasim me dy muajt e parë të vitit të kaluar, gjatë dy muajve të parë të këtij viti në njësinë radiologjike në Qendrën e Mjekësisë Familjare janë kryer 126 mamografi, duke rritur kështu numrin e mamografive të kryera për 260% në krahasim me dy muajt e parë të vitit të kaluar (35 mamografi të kryera).

Kurse edhe shërbimi i ofruar për kryerjen e Ultrazërit (Echo) të gjirit, i cili është një lloj tjetër i kontrollimit të gjirit, i padëmshëm për pacientë, por me vlera të çmueshme për detektimin e kancerit te gjirit, është rritur për 80%. Gjatë dy muajve të parë të vitit të kaluar janë kryer 105 Echo, kurse në dy muajt e parë të këtij viti ky numër është rritur në 191.

Drejtoria e Shëndetësisë do të vazhdojë me realizimin e projekteve të shumta, me qëllim që t’ia kthejë qytetarëve besimin ndaj institucioneve shëndetësore në nivelin komunal, ndërkaq njofton të gjithë qytetarët që shërbimi i radiologjisë që realizon Ultrazërin e Gjirit dhe Mamografinë punon edhe gjatë ditës së shtunë”, ka thënë Haskuka./04online.info