Ministria e Kulturës me 20 zyrtarë në Bienalen e Venecias

0

Deri në 11 kishte shkuar numri i zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës para tre vjetësh në Festivalin e Cannes. Por në Bienalen e Venecias, ku Kosova merr pjesë për të katërtën herë e që prezantohet me “Family Album” të Alban Mujës, “familja” e MKRS-së arrin në 20 veta. Bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe një këshilltar të tij, shpenzimet vetëm për udhëtim e akomodim arrijnë në së paku 25 mijë euro. Gati çerek milioni euro është kostoja e prezantimit të vendit në këtë ngjarje botërore

Udhëtarëve të Ministrisë së Kulturës drejt qytetit italian u ka prirë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, me bashkëshorte. Është përcjellë nga shefi i kabinetit, Samir Hoxha, me bashkëshorte, Frederika Morina, këshilltare e ministrit, Saranda Xhuraj, zyrtare e lartë e protokollit, Edona Spahiu, asistente ekzekutive e ministrit, Granit Shosha, zyrtar për media, Gëzim Gashi, asistent i ministrit, Ylber Kryeziu, zyrtar sigurimi i ministrit. Sipas sqarimeve që ia ka dhënë gazetës MKRS-ja, bashkëshortet e zyrtarëve kanë udhëtuar me shpenzime vetjake, shkruan sot Koha Ditore.

Por Ministrisë së Kulturës nuk i ka mjaftuar ky përfaqësim.

Nga MKRS-ja kanë marrë pjesë edhe Feim Hoxha, ushtrues detyre i Departamentit të Kulturës, Brikena Mulliqi, drejtoreshë e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Genta Kryeziu, zyrtare e personelit, Dhurata Ramosaj, koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës e Drilona Belallari, zyrtare ligjore në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Delegacion në vete ka qenë ai i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Anëtarët e Këshillit Drejtues të këtij institucioni, Arjeta Miftari, Lorik Sylejmani e Malbora Krajku kanë shkuar në Venecia. Bashkë me ta kanë udhëtuar edhe sekretari i Këshillit Drejtues, Taulant Balaj, njëherësh udhëheqës i personelit në MKRS, Lirije Buliqi, zyrtare e lartë administrative e Mexhide Maxhuni, zyrtare e financave.

E sipas Kuvendit të Kosovës në Bienalen e Venecias nga ky institucion ka marrë pjesë vetëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga këshilltari për protokoll. Veseli atje është shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij.

Ekipi i Kosovës në Bienale është përbërë nga Arta Agani, komisioneve, Engjell Berisha, asistent komisionar, Alban Muja, artisti përfaqësues, Vincent Honore, kurator, Anya Harrison, asistent kuratore, Arlinda Hajrullahu, koordinatore për media, Khuroum Ali Bukhari, përgjegjës për marketing ndërkombëtar, Jeta Dobranja, disenjatore, Ilir Gorani, inxhinier i zërit dhe videos, Arben Llapashtica, fotograf dhe Liridon Metushi, editues i videos.

Ministria e Kulturës tashmë e ka shndërruar në traditë dërgimin e zyrtarëve nëpër ngjarje ndërkombëtare të kulturës.

Shuma totale e pagesave të realizuara deri më tani nga MKRS-ja për pjesëmarrje në Bienale është rreth 220 mijë euro, thonë në MKRS.

Ministria e Kulturës deri më tash s’ka dhënë arsyetime konkrete për rolin e 20 zyrtarëve, të cilëve me taksa u janë mbuluar shpenzimet në Venecia.

Leave a Reply