Mënyra e mençur për të punuar nga shtëpia në kohë koronavirusi

0
678

“Google”, “Microsoft”, “Twitter”, “Hitachi”, “Apple”, “Amazon”, “Chevron”, “Salesforce”, “Spotify”.

Nga Britania e Madhe deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej Japonisë në Korenë e Jugut, këto janë vetëm disa prej kompanive më të mëdha në të gjithë globin që, gjatë disa ditëve të fundit, kanë lëshuar udhëzime të obligueshme për zbatimin e politikave të punës nga shtëpia si pasojë e përhapjes së COVID-19.

Dhe është goxha real supozimi se ndryshimi i ritmit të punës nga “zyra në shtëpi” do të shndërrohet në një normale të re për shumëkënd për një kohë të konsiderueshme, duke e pasur parasysh shpalljen e së mërkurës së shkuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, se koronavirusi ka mbërritur zyrtarisht në pikën që të konsiderohet “pandemi”.

Disa punëtorë kësisoj do të punojnë nga shtëpia për të parën herë ndonjëherë, gjë kjo që do të thotë se duhet të gjejnë mënyrën se si të qëndrojnë në krye të detyrës përbrenda një mjedisi të ri që mund të mos jetë fort produktiv. Por në vijim janë disa mënyra se si të prodhohen rezultate dhe të shmanget furia e shkaktuar, duke nisur prej krijimit të një mjedisi të përshtatshëm për punë deri te mënyrat se si të komunikoni me pjesën tjetër të ekipit.

Krijoni linja të komunikimit

Me apo pa koronavirus, çelësi për të punuar nga shtëpia qëndron qartazi te komunikimi me shefin tuaj, si dhe te të diturit saktë se çfarë pritet prej jush.

“Përgatituni saktësisht për komunikim të përditshëm”, ka thënë Barbara Larson, profesoreshë e menaxhmentit të Universitetit Verilindor në Boston, që i studion bazat e të punuarit nga distanca. “Pyeteni (menaxherin tuaj) nëse nuk e kanë hall që ta keni një bisedë telefonike dhjetëminutëshe për ta organizuar dhe përmbyllur ditën. Të shumtën e rasteve, menaxherëve nuk u ka shkuar kjo gjë në mendje”.

Shumica e njerëzve i kalojnë ditët në një distancë të afërt me shefat, që do të thotë se komunikimi është i kollajshëm dhe jo fort problematik. Por e gjithë kjo është e largët kur punoni nga distanca dhe këputja e kanaleve të komunikimit është edhe më e mundshme në rast se fuqia juaj punëtore nuk është mësuar që të funksionojë nga distanca. Menaxheri juaj mund të mos jetë i mësuar që t’i koordinojë njerëzit virtualisht, për shembull, apo kompania juaj mund të mos ketë pajisje të gatshme për t’u ofruar punëtorëve nga distanca, siç është aplikacioni i komunikimit “Slack” apo aplikacioni për video-konferencë “Zoom”, ka thënë Larson.

Por edhe për ata që janë mësuar me këtë mënyrë, puna nga shtëpia mund të duket si e pastrukturuar dhe izoluese. Vitin e shkuar, një studim i bërë me 2.500 punëtorë nga distanca të agjencisë së zhvillimit “Buffer”, ka treguar se vetmia ishte sfida e dytë më e madhe e raportuar, e të cilën e kanë përjetuar rreth 19 për qind e të anketuarve. Vetmia mund t’i shtrëngojë njerëzit që të ndihen më pak të motivuar dhe më të padobishëm.

Kështu që, kur komunikoni me shefin dhe ekipin nga hapësirat shtëpiake, kjo gjë ndihmon andaj rekomandohen komunikimet “sa më të pasura” virtuale, sesa ato ballë për ballë dhe atypëratyshme, ka thënë Larson. “’Video-konferenca’, ‘Skype’ dhe ‘Zoom’”, ka shtuar ai.

“Larg syve, larg mendjes… kjo gjendje mund të shndërrohet në një problem real për punëtorët nga distanca”, ka thënë Sara Sutton, shefe ekzekutive dhe themeluese e “FlexJobs”, një uebfaqe e listimit të vendeve të punës që funksionon nga distanca. “Edhe punëtorët më të mirë që punojnë nga distanca, i kontaktojnë kolegët dhe menaxherët rregullisht përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit”, ka shtuar ajo.

Leave a Reply