Lufta e UÇK-së është krenaria jonë

0

Nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, Bekim Jashari, ka reaguar pas nisjes në Hagë të Sami Lushtakut e Rrustem Mustafës, duke thënë se si çdo sfidë tjetër që është tejkaluar, edhe kjo do të tejkalohet pasi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.

Ai në një postim në Facebook shkruan se do të jetë gjithmonë në mbështetje të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sa herë që është folur dhe shkruar, është dëshmuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e shenjtë për popullin shqiptar, ka qenë e drejtë. Edhe gjykimet madje kanë nxjerr pastërtinë e luftës së drejtë të popullit shqiptar. Në çfarëdo aspekti që gjykohet lufta e shenjtë për lirinë e popullit tonë të vuajtur me shekuj, nga pushtuesi më barbarë që ka njohur historia e njerëzimit, secili luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa asnjë mëdyshje, do ta ketë mbështetjen time dhe të mbarë popullit shqiptar. Ushtria Çlirimtare e Kosovës krenaria jonë!”, shkruan Jashari.

Ndryshe, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, sot është nisur për në Hagë, me ç’rast do të intervistohet nga Prokuroria Speciale.

Mustafa i njohur si komandant Remi, ka thënë para mediave se ata janë të pafajshëm. Ai ka thënë se do të intervistohet në cilësinë e ‘dëshmitarit të dyshuar’.

Ish-komandanti Mustafa do të intervistohet nesër, më 14 janar nga Prokuroria Speciale në Hagë, kurse më datën 16 janar do të intervistohet bashkëluftëtari i tij, ish-komandanti Sami Lushtaku.

Përndryshe, Gjykata Speciale në Hagë do të veprojë me ligje të Kosovës dhe po heton për krimet që supozohen të kenë ndodhur ndaj civilëve në Kosovë gjatë periudhës 1998-2000. Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës.