Zhvillime para pushimeve të fundvitit në Speciale, publikohen oraret e seancave

0
309

Ditëve në vijim pritet që të mbahen disa seanca në Speciale lidhur me të akuzuarit që tashmë kanë dalë para Dhomave të Specializuara, raporton Gazeta Express.

Kjo është bërë e ditur në kalendarin që e kanë publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Në këtë njoftim bëhet e ditur se sot para Speciales do të paraqitet nënkryetari i organizatës së veteranëve, Nasim Haradinaj.

Një ditë pasi iu konfirmua aktakuza, ai do të dalë para prokurorëve të Speciales. Seanca pritet të fillojë sot në ora 15:00.

Kjo nuk do të jetë seanca e vetme që mbahet këtë javë. Me datë 17 dhjetor do të mbahet konferencë për ecurinë e çështjes në rastin e ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve.

Kjo seancë do të fillojë në ora 17:00.

Një ditë pas konferencës në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veselit, ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqit dhe shefit të deputetëve të LVV-së, Rexhep Selimi do të mbahet seanca e parë pas konfirmimit të aktakuzës për Hysni Gucatin.

Kryetari i organizatës së veteranëve do të dalë para gjykatësit dhe prokurorëve të Speciales me datë 18 dhjetor në ora 11:00./GazetaExpress/

Leave a Reply