Zhgënjim i madh i PSD’së: Nga 12 deputetë në zero

0
38

Partia Socialdemokrate, që udhëhiqej nga Shpend Ahmeti e pasuar tani nga Dardan Molliqaj, nuk pati performancë të mirë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, që u mbajtën më 6 tetor, transmeton Gazeta Metro.

PSD’ja befasoi qytetarët kur lidhi koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të cilës i prin kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, që dikur e akuzonin si parti e haraçit dhe korrupsionit.

Rrjedhimisht, dy partitë hynë me një listë të përbashkët, me Haradinajn si kandidat për kryeministër.
Koalicioni AAK-PSD, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, ka arritur të sigurojë 13 vende në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Metro.

E PSD’ja nuk ka arritur ta sigurojë asnjë vend në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, kur dikur kishte dhe përfaqësohej nga 12 deputetë, të cilët në Kuvend kishin hyrë si anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, para se ta braktisnin atë.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Shpend Ahmeti mori më së shumti vota nga PSD’ja – 5.508, shkruan Gazeta Metro.

Pas tij renditen Visar Ymeri me 5.069, Dardan Sejdiu me 4.339, Natyra Kuçi me 4.264, Dardan Molliqaj me 3.825, dhe Frashër Krasniqi me 3.762 vota.

Ndonëse kreu i PSD’së, i cili është edhe kryetar i Prishtinës, kandidoi për deputet, ai nuk pritej që të linte kreun e Prishtinës edhe nëse do t’i siguronte votat e mjaftueshme.
Madje pas këtij dështimi, Shpend Ahmeti dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë, kështu duke e liruar vendin Dardan Molliqajt dhe një kryesie të re të PSD’së.

Leave a Reply