Zemaj paralajmëron rikthim gradual të të gjitha shërbimeve në institucionet shëndetësore

0
435

Komiteti për koordinim dhe vlerësim të situatës emergjente me COVID-19 ka zhvilluar sot një takim, nga ku është thënë se gjendja epidemiologjike në vend është stabile.

Pas takimit është bërë e ditur se do të bëhet rikthimi gradual i të gjitha shërbimeve në institucionet shëndetësore, ndërsa u tha se do të vlerësohen edhe masat tjera në kufizimin kohor edhe në gastronomi.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se rënia e numrit të rasteve të reja me koronavirus, tregon se zbatimi i masave antiCOVID ka dhënë rezultate.

“Rekomandimet lidhen edhe me aspektin e riorganizimit të mëtutjeshëm të institucioneve tona shëndetësore. Do të bëjmë rikthimin gradual të të gjitha shërbimeve në institucionet tona shëndetësore, ato të cilat janë në ambulancat specialistike edhe kërkesat për operacione. Kjo është domosdoshmëri, kështu që me këtë siguri do të ecim edhe në vlerësimin e masave të reja, qoftë në kufizimin kohor, por edhe në disa aspekte në gastronomi, disa lirime në aktivitete sportive që ndërlidhen me garat ndërkombëtare dhe disa aktivitete kulturore… Do të jap vlerësimin ligjor dhe teknik për bartjen e maskave dhe udhëzuesve të tjerë, dhe protokolleve të tjerë që ndërlidhen me zbatimin e këtyre masave dhe njëherësh  do të tregojmë edhe aspektin tonë të fuqisë ligjore për të gjithë ata të cilët nuk i respektojnë këto masa. Ju e dini që të shtunën jam detyruar të marr një vendim që në një shkollë të Kosovës të kalojmë nga mësimi A në mësimin C për shkak të situatës së krijuar të një infeksioni”, tha Zemaj.

Sa i përket lirimit të masave, ministri Zemaj ka bërë të ditur se ka pasur një takim me përfaqësues të gastronomisë, hotelerisë dhe bizneseve të ndryshme, për çka u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

“Lirimi i masave ka të bëjë me vlerësimin e situatës, personalisht dhe në emër te MSh jemi pak konservativ në ecjen apo në lirimin e tepruar. Nuk do të lejojmë që asnjë gabim, i cili mund të na shkaktojë ndonjë problematikë që të mos lejojmë të na ndodhë gjatë ecjes sonë të përgjithshme. Njëherësh, kisha ftuar edhe përfaqësuesit e gastronomisë, hotelerisë dhe bizneseve të ndryshme, dhe ata shprehën pakënaqësitë dhe nevojën për lirinë e lëvizjes dhe shtimin e orarit. Unë e ftoj Qeverinë e Kosovës, deputetët, që ta votojnë Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike dhe t’iu mundësojmë të gjithë këtyre që sado pak t’ia zbusin humbjet dhe neve të na lehtësojnë ecjen e mëtutjeshme me mbikëqyrjen e masave, të cilat e ruajnë shëndetin publik. Pa këtë koordinim institucional dhe pa këtë front të përbashkët, mendoj që problemet që do t’i bartë Ministria e Shëndetësisë do të jenë tendencioze nga të gjithë ata që mund të sabotojnë këto procese”, tha ai.

Zemaj tha se gastronomet kanë paraqitur një plan se si do të operojnë gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, për çka tha se janë duke i vlerësuar me të gjitha akterët. Ai tha se duhet të jenë të kujdesshëm sa i përket gjendjes me COVID-19.

“Evropa është duke u përballur me një valë të re të infeksionit, vendit e rajonit janë dyfish më keq se Republika e Kosovës, por kjo neve duhet të na tregojë qartë që duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe bashkërisht të vazhdojmë ta luftojmë pandeminë”, tha Zemaj.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë fatmirësisht nuk është raportuar asnjë raste me përfundim fatal me COVID-19, derisa janë regjistruar 66 raste të reja.

Leave a Reply