Zemaj: Masat anti-COVID do të mbesin në fuqi edhe për disa javë

0
428

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë pas mbledhjes së komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me COVID-19, ka sqaruar pikat të cilat u diskutuan aty.

I pari i shëndetësisë, për lirimin apo shtrëngimin e masave anti-COVID ka thënë se “duke qenë në një fazë delikate në prag të fillimit të vitit shkollor dhe neve na duhet ta ulim lakoren e infektimeve dhe rastet e vdekjeve, së paku edhe për disa ditë apo javë, masat e njëjta duhet t’i mbajmë në fuqi”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndër pikat e diskutuara ka qenë fillimi i vitit të ri shkollor. Ai ka thënë se MASH dhe komunat duhet sa më parë të fillojnë fushatën vetëdijësuese për prindërit dhe nxënësit për mënyrën e mbrojtjes dhe parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Ai shton se masa të tjera shtesë do të merren sipas situatës epidemiologjike që do të zhvillohet në terren.

Zemaj ka përmendur edhe vaksinat kundër gripit sezonal, me afrimin e stinës së dimrit. Sipas tij, për to dhe për vaksinat anti-COVID ka marrë zotimin nga donatorët se do të sigurohet numër i konsiderueshëm.

Ai ka thënë se objekti në ndërtim i Klinikës Emergjente do të mund të kthehet në hapësirë për trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus. Aty, sipas tij do të futen 500 shtretër, që do të ndihmojnë në menaxhimin e pandemisë.

Leave a Reply