Zafir Berisha kujton 21 vjetorin e masakrës në lagjen “Tusuz” të Prizrenit

0
1021

Ish-Komandanti i UÇK-së në Zonën e Prizrenit, Zafir Berisha, ka shpalosur kujtime nga masakra e ushtrisë dhe policisë serbe në lagjen “Tusuz” të Prizrenit.

Berisha me rastin e 21 vjetorit të masakrës në lagjën “Tusuz” ka thënë se sa herë forcat serbe kanë patur humbje në betejat me UÇK-në, kanë shfaqur barbarinë e tyre në këtë lagje duke u hakmarrë mbi civil të pafajshëm.

“E VËRTETA PËR MASAKRËN SERBE NË TUSUZ
(Në kujtimë të 21 vjetorit të veprimit gjenocidalë serbë mbi shqiptarët në Tusuz-Prizren)

Tusuzi (Lagjeja e Trimave) si lagje dihet se para dhe gjatë gjithë luftës ka dhënë kontribut shumë të çmuar për çlirimin e Kosovës dhe ishte istikam i pathyeshëm i rezistencës kombëtare dhe baza e organizimit ilegal dhe celulave të para të UÇK-së të udhehequr nga mësuesi tash Heroi Xhevat Berisha.
Kjo lagje dha shumë dëshmorë të kombit dhe luftëtarë të pushkës e të pathyeshëm ndaj kërcënimeve të armikut serb.

Prandaj barbaria serbe, ashtu edhe si herëve tjera, pas çdo humbje që i pësonte në përleshje me forcat e UÇK-së, ashtu siç vepruan kudo në Kosovë edhe në Tusuz e përdorën të njëjtin skenar të krimeve u hakmorën në popullatën civile, që u gjendën nëpër shtëpitë e tyre në lagjen Tusuz të Prizrenit.

Masakra ndodhi më 26 maj 1999. Në fillim forcat serbe e rrethuan këtë lagje e pastaj i ekzekutuan të gjithë ata që i gjetën nëpër shtëpitë e tyre, pra gra, pleq e plaka e fëmijë. Në mesin e të masakruarve kishte edhe persona me të meta fizike, pra thjesht në këtë masakër, nuk u kursye asgjë shqiptare, e cila mjerisht u arrit edhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe kolaboracionistëve, të cilët i ndihmuan armikut edhe në djegien e 250 shtëpive të kësaj lagjeje, kuptohet të selektuara. Të vrarët në masakrën e Tusuzit janë: Neki Gashi, Hesat Xhemshiti, Bejam Xhemshiti, Rafet Abdylmexhiti, Sami Abdylmexhiti, Shefik Abdylmexhiti, Behar Abdylmexhiti, Mirsat Osmani, Hyrmet Sylejmani, Bislim Çengaj, Selvinaze Çengaj, Salih Elshani, Ymer Thaqi, Avdi Berisha, Refki Berisha, Hajrim Arifi, Sani Bajrami, Selim Berisha, Feim Berisha, Xhemajli Poniku, Halil Poniku, Fazile Maqkaj, Njazi Muja, Rexhep Maqkaj, Fadil Ramadani, Ramadan Muja dhe dy të vrarë tjerë një javë përpara në lagjen Bylbyldere: Enes Muharremi dhe Fatmir Muharremi.

Edhe përkundër masakrës që e bënë forcat e armiku serb mbi qytetarët e pafajshëm shqiptarë në lagjen Tusuz, ne luftën e vazhduam me taktikën tani më të luftës guerile të ushtruar dhe të praktikuar konformë pozitës gjeografike që e kishte tereni dhe aksionet tona asnjëherë nuk u ndërprenë deri me 12 qershor 1999 ku përfundimishtë Prizreni dhe Kosova filloj të frymaj lirishtë dhe forcat e UÇK-së me ndihmën e Aleancën e Nato-s marshuan kudo në Kosovë!
Lavdia ju takon gjuthë atyre që u flijuan për Kosovë!”, ka thënë Berisha./04 Online

Leave a Reply