VV-ja s’i beson Hotit për çështjen e Asociacionit

0
311

Lëvizja Vetëvendosje nuk beson se tema e Asociacionit të Komunave Serbe në dialogun me Serbinë nuk do të hapet në tavolinën e bisedimeve. Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, konsideron se ndërrimi i shpeshtë i qëndrimeve të kreut të qeverisë Avdullah Hoti e bën të pabesueshëm atë.

Ajo thotë se tema e themelimit të Asociacionit duhet të jetë e mbyllur, teksa është shprehur e shqetësuar për deklaratat se në vend ka pasur pajtueshmëri për implementim të tij.

“Hoti nuk është një njeri që nuk i ka ndryshuar qëndrimet e tij. Kemi parë jo nga muaji në muaj, por nga dita në ditë ndryshim të deklaratave. Çfarë thotë sot nuk e thotë nesër dhe kjo nuk është gjë e mirë. Në anën tjetër, edhe në lidhje me Asociacionin ka përdorur deklarata që është temë e mbyllur, por ka thënë edhe se ne kemi marrëveshje të vitit 2013, të vitit 2015, dhe kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E vendimi i saj e bën të pazbatueshme marrëveshjen e 2015-s dhe atë të 2013-s. Por ai i ka përmendur të gjitha. Kështu që nga e kaluara e tij dhe këtu duhet të kemi parasysh se s’mund t’u besojmë fjalëve që thotë”, ka thënë Nagavci për KP. “Në këto rrethana është e qartë se nuk mund të kemi një marrëveshje të mirë për Kosovën. Vetë deklaratat e Hotit në vazhdimësi duke u ikur pyetjeve të drejtpërdrejta apo përgjigjeve që i kërkojnë deputetët me të drejtë, e tregon që këta kanë ardhur në pushtet duke tentuar të shtyjnë përpara projekte të cilat presidenti Thaçi tashmë i ka negociuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq”.

Nagavci, ka kërkuar kujdes nga ekzekutivi, derisa i cilëson të papranueshme deklaratat e emisarit Mirosllav Lajçak, për ndryshime kushtetuese.

Ajo ka kritikuar edhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për letrën e publikuar të cilën e kishte marrë para pesë vitesh nga Bashkimi Evropian se Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive. Sipas Nagavcit, është shqetësuese pse kjo letër është mbajtur fshehur si dhe ka ngritur pyetje se a i është prezantuar ajo Gjykatës Kushtetuese.

Pamundësisë për të proceduar në Kuvend mocionin e mosbesimit për të rrëzuar qeverinë Hoti, Nagavci ia adreson Partisë Demokratike të Kosovës.

Leave a Reply