Vjosa Osmanit i duhet edhe një kundërkandidat në garën për president

0
390

Që nga 5 nëntori i vitit 2020, Vjosa Osmani është ushtruese e detyrës e Presidentit të Kosovës pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga ky post si pasojë e arrestimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Partitë kosovare ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje politike se kush duhet të jetë shef i shtetit për 5 vitet e ardhshme.

Ndërkaq në garë për postin e presidentit ka mbetur vetëm një emër.

Vjosa Osmani, u.d. e Presidentit, e mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, është politikania që po synon të bëhet gruaja e dytë pas Atifete Jahjagës shefe e Presidencës.

Ndonëse gjatë zgjedhjeve Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kishte shfaqur ambicien e tij për t’u bërë president, ai tanimë ka dhënë sinjale se ka hequr dorë nga synimi për ta marrë postin e presidentit. Kjo për shkak edhe të rezultatit të dobët të partisë së tij në zgjedhje.

Pas takimit me Kurtin e Osmanin në Kuvend, ish-komandanti i UÇK-së tha se AAK nuk i ka votat për të krijuar dy të tretat e nevojshme për t’u zgjedhur presidenti.

Ndërsa Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani nuk kanë paraqitur ndonjë emër si kandidat për president.

Por në mënyrë që të zgjidhet presidente e Kosovës, Osmani do të duhet ta ketë në garë si kundërshtar, të paktën formalisht një kandidat tjetër kjo sepse procedura e zgjedhjes së Presidentit obligon që gjatë votimit për të parin e vendit, në Kuvend, të jenë dy kandidatë për President.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se nuk mund të procedohet me votim me vetëm një kandidat.

”Nuk mund të procedohet vetëm me një kandidat. Është kriter i domosdoshëm dhe e kemi sqaruar në rastin e Pacollit me aktgjykim”, tha Hasani për Reporteri.net.

Se kandidimi i dy personave në ditën e votimit për president është kriter i domosdoshëm procedural e thotë edhe profesori i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Florent Muçaj.

Profesori universitar thotë në bazë të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Behgjet Pacollit procedimi me vetëm një kandidat mund të shpallet kundër kushtetues.

”Fryma dhe shkronja e Kushtetutës, që pasqyrohet në nenin 86 të Kushtetutës përbën domosdoshmërinë që në garën për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës të jenë më shumë se një kandidat/e. Kështu e ka interpretuar këtë çështje edhe Gjykata Kushtetuese. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, KO 29/11 (Rasti Pacolli) duke interpretuar nenin 86.5 të kushtetutës, vjen në përfundim që garë për pozitën e Presidentit duhet të jenë të paktën dy (2) kandidatë, përndryshe procesi mund të shpallet kundër kushtetues”, tha Florent Muçaj.

Muçaj tërheq vërejtjen se presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të tij.

Por, eksperti i Kushtetutës ka një sqarim për këtë çështje.

”Kushtetuta përcakton se Presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë, para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Gjithsesi, afati prej tridhjetë (30) ditësh, nuk nënkupton që Presidenti i ri nuk mund të zgjedhet edhe më herët se kjo periudhë. Afati 30 ditor, i caktuar me Kushtetutë e obligon Kuvendin, që në afat maksimal prej 30 ditësh para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, të përfundojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit të ri. Në kontekstin e rrethanave aktuale, ky afat 30 ditor nënkupton 30 ditë para përfundimit të afatit 6 mujor të UD Presidentit”, tha Muçaj të martën për Reporteri.net.

Gjykata Kushtetuese në paragrafin 68 të rastit K029/11, i njohur në opinion si rasti i Pacollit, kishte përcaktuar se duhet të ketë më shumë se një kandidat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës me qëllim që procedura e votimit të vihet në lëvizje.

Ndërsa Rregullorja e Kuvendit të Kosovës thotë se për president mund të shpallë kandidaturën secili qytetar i vendit që siguron nënshkrimin e së paku 30 deputetëve.

Për t’u bërë president, kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit.

Në rast se dështon zgjedhja e presidentit në të tria raundet, atëherë parashihet shpërndarja e Kuvendit dhe organizimi i zgjedhjeve brenda 45 ditëve nga dita e shpërndarjes së Kuvendit.

Kujtojmë që në aktgjykimin në rastin e Pacollit, Kushtetuesja ka përcaktuar se është përgjegjësi kushtetuese e deputetëve të qëndrojnë në sallë në seancën kur votohet për President.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk kishte paraparë ndonjë sanksion në rast se deputetët nuk qëndrojnë në sallë.

Leave a Reply