Virusi që po prek vetëm fëmijët përhapet me të madhe në Kosovë

0
486

Sëmundja e gojës, duarve e këmbëve(Virusi Coxsacki)  ka filluar të përhapet edhe këtë vit në mesin e fëmijëve në Kosovë. Në dy javët e fundit thuhet se është rritur shumë numri i fëmijëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor. Në shumë raste simptomat e këtij infeksioni janë si ato të gripit sezonal, megjithëse ky infeksion shkakton edhe flluksa të kuqe në duar, këmbë e rreth gojës.

Në dy javët e fundit në Kosovë është rritur numri i fëmijëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të një infeksioni bakterial që po i prek ata.

Pediatri Ramush Beiqi, ka thënë për Express se një numër i madh i fëmijëve me ndryshime në duar, gojë, fytyrë e pjesë të tjera të trupit kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Ai ka treguar se numri më i madh i fëmijëve kanë qenë parashkollorë.

“Në kohët e fundit, në dy javët e fundit është lajmëruar një numër i madh i fëmijëve me këto ndryshime në duar, në shuplaka, përreth gojës, në fytyrë, në pjesën gjenitale dhe në gishtat e këmbëve. Më shumë kemi pasur fëmijë parashkollor deri në moshën 9-10 vjeç. Ai nuk përngjan shumë më infeksionin viral, është më shumë infeksion bakteror për shkak se shumica e ndryshimeve kanë edhe qelb që tregon që është infeksion bakteror i kontaminuar”, ka deklaruar ai.

Beiqi ka thënë se ky virus është shumë lehtë i transmetueshëm.

Sipas tij, fëmijët që infektohen me të duhet të izolohen për tre-katër ditë në mënyrë që mos të rrezikojnë edhe fëmijët tjerë.

“Mendoj që nuk duhet të bëhet panik, duhet që fëmijët prej qëndrimit kolektiv të izolohen, të mos vizitojnë qerdhet e shkollat tre-katër ditë derisa të shërohen. Trajtimi është shumë i lehtë për tre-katër ditë ato hiqen. Mendoj se nuk duhet të bëhet panik sepse është infeksion që shtrihet shpejtë ndërmjet fëmijëve, por me një trajtim tre-katër ditorë fëmija është i shëndoshë. Fëmijët që janë të prekur duhet të izolohen prej shkollës e prej qerdhes, e të trajtohen në mënyrë që fëmijët që janë të shëndoshë mos i ekspozohen infeksionit”, ka shtuar ai.

Tutje Beiqi ka thënë se ky infeksion është bakteror dhe jo sezonal.

Foto e marrë nga interneti. Flluskat e paraqitura te fëmijët në duar dhe këmbë.

Ndërsa, u.d. drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajqevci, ka thënë për Express se për çdo vit u lajmërohen raste të infektuara me këtë virus të cilat kërkojnë trajtim mjekësor.

Ajo ka thënë se trajtimin këta fëmijë e marrin edhe nga infektologët.

Infeksioni i gojës, duarve e këmbëve shkakton simptoma të lehta te fëmijët të cilat largohen edhe pa trajtim mjekësor. Megjithëse, këto infeksione vlerësohet se në raste të caktuara mund të çojnë edhe në infeksione më serioze.

Ky virus bënë pjesë në familjen e virusëve të quajtur enterovirusë dhe zakonisht gjendet në gojë, stomak, zorrë të hollë e të trash.

Rreth gjysma e fëmijëve që infektohen nuk kanë simptoma. Ndërsa pjesa tjetër, kanë dhimbje të fytit, të përziera, temperaturë, kokëdhimbje, flluska në duar, gojë e këmbë.

Ky virus përhapet përmes ajrit, kur një person pëson teshtinë, kollitet apo frynë hundët.

Fëmijët e vegjël mund ta marrin këtë virus edhe gjatë prekjes së lodrave të ndryshme.

Andaj rekomandohet që fëmijët të mbajnë distancë nga fëmijët tjerë, të lajnë duart shpesh e të mos prekin sytë, hundën e gojën./Express

Leave a Reply