Vihet në rrezik konstituimi i Kuvendit

0
426
Deri tash, vetëm 4 nga 10 deputetët që përfaqësojnë partitë e komuniteteve pakicë joserbe, janë përcaktuar të jenë pjesë e qeverisë. Për pasojë, ende nuk janë marrë vesh për grupin parlamentar e as për të nominuarin për nënkryetar të Kuvendit, i cili u takon në bazë të Kushtetutës. E bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, legjislatura nuk konsiderohet e konstituuar, pa u zgjedhur edhe nënkryetarët e Kuvendit.

Është vënë në pikëpyetje konstituimi të hënën i legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet deputetëve që u takojnë komuniteteve pakicë joserbe, shumica prej të cilëve ende nuk janë përcaktuar se a do të jenë pjesë e Qeverisë apo e opozitës.

Duke e pasur këtë paqartësi, ata ende nuk kanë një marrëveshje për emrin që do ta propozojnë për nënkryetar të Kuvendit, i cili u takon në bazë të Kushtetutës.

E bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, legjislatura nuk konsiderohet e konstituuar, pa u zgjedhur edhe nënkryetarët.

“Gjykata vëren se seanca konstituive e Kuvendit nuk mund të konsiderohet se është realizuar plotësisht, nëse Kuvendi nuk e ka zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”, thuhet në pikën 109 të një aktgjykimi të 2014-s, me të cilin ishte shpallur jokushtetuese zgjedhja e Isa Mustafës kryeparlamentar.

Kryesia e vjetër e Kuvendit e ka caktuar për të hënën në orën 10 seancën konstituive, në të cilën është paraparë të bëhet betimi i deputetëve dhe të zgjidhen kryetari e nënkryetarët.

Mbështetur në procedurë, votimi për kryetarin e kuvendit bëhet veçmas. Ndërkaq, një proces votimi zhvillohet në pako për nënkryetarët e propozuar nga partitë e komunitetit shumicë, kurse i dyti për dy nënkryetarët e tjerë – atë serb dhe nënkryetarin që propozohet nga komunitetet e tjera.

Emilja Rexhepi, deputete nga radhët e komunitetit boshnjak që përfaqëson partinë Nova Demokratska Stranka, i ka thënë KOHËS se gjatë ditës ka mbërritur dakordimin për të qenë bashkë me tre deputetë të tjerë: Elbert Krasniqin e Iniciativës së Re Demokratike, me Erxhan Galushin e Lëvizjes Përparimtare të Romëve, si dhe me Bekim Arifin e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim.

Por, ky nuk është numër i mjaftueshëm, meqë grupi parlamentar duhet t’i ketë së paku 6 deputetë.

“Sot jemi takuar dhe katër veta jemi në bashkëpunim. Deri nesër-pasnesër ndoshta kemi një rezultat. Ndoshta e bëjmë para seancës konstituive, sepse duhet dhënë emrin e kandidatit për nënkryetar nga komunitetet”, thotë Rexhepi, emri i së cilës është përmendur si ministre në Qeverinë e re.

Pas takimeve që ka zhvilluar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, parti që i ka fituar zgjedhjet, Rexhepi thotë të ketë parë qëllimin që grupi parlamentar i komuniteteve joserbe të përbëhet nga të gjithë deputetët e partive që përfaqësojnë këto komunitete.

“Vetëvendosje e ka qëllim që 10 veta të jenë në grup. Pra të gjithë”, thotë ajo. “Deri tash jemi katër, që do të marrim pjesë në qeveri”.

Albin Kurti, që pritet ta drejtojë Qeverinë, ka takuar përfaqësuesit e të gjitha partive. Meqë partia të cilën e drejton i ka fituar 50.28 për qind të votave, ai është përcaktuar të mos ftojë në koalicion ndonjë nga tri partitë shqiptare, sikurse as Listën Serbe, shkaku i ndikimit të saj nga Serbia.

Deri tash, ai e ka siguruar shumicën. Përpos 58 deputetëve të Vetëvendosjes, ka mbështetjen edhe të 4 deputetëve nga radhët e komuniteteve, të cilëve u ka premtuar edhe pozita shkaku i qëndrimit që ata kishin mbajtur vitin e shkuar kur me mocion qe rrëzuar Qeveria Kurti I.

Partia që më së shumti vota ka fituar nga komunitetet joserbe, është Kosova Demokratik Turk Partisi. Ajo ka dy deputetë: Frikrim Damkën dhe Fidana Jiltan.

Damka i ka thënë KOHËS se pjesëmarrja e tij në grupin e deputetëve nga radhët e komuniteteve, do të varet nga negociatat që pritet t’i ketë me Kurtin gjatë vikendit.

“Tash, nëse e krijojmë një grup, ai duhet të jetë ose grup me deputetë në pushtet ose grup opozitar. Nuk mund të jetë gjysmë të jetë në pushtet e gjysmë në opozitë, e të quhet grup 6+ ose 7+.”, thotë Damka. “Besoj që deri të dielën do të sqarohet kjo çështje, meqë po presim takime të serishme me Albin Kurtin rreth formimit të Qeverisë”.

Ai thotë se propozimi për emrin e nënkryetarit të Kuvendit, do të varet edhe nga këto negociata dhe konsideron që Kurti duhet të mendojë më në afatgjatë, meqë mund të përballet me situatën kur shumica e Kryesisë së Kuvendit do të jetë nga opozita.

“Varet nga ata si donë ta zgjidhin këtë çështje, sepse duhet edhe ndihma e qeverisë. Sepse mandej duhet edhe në kryesi qeveria ta ketë shumicën e nënkryetarëve dhe në këtë mënyrë nuk do ta ketë shumicën e nënkryetarëve”, thotë Damka. “Aty do të figurojë Vetëvendosja me 2 nënkryetarë, PDK-ja me një, LDK-ja me një, Lista Serbe me një dhe me një komunitetet. Ose do të jetë 4 me 2 për opozitën, ose do të jetë 3 me 3, ose 4 me 2 në favor të pozitës nëse edhe Lista Serbe bëhet pjesë e qeverisë”.

Ndonëse partia e tij është më e përfaqësuara në Kuvend, është komuniteti boshnjak ai që e ka përfaqësimin më të madh – tri parti të këtij komuniteti kanë siguruar nga një ulëse.

Duda Balje nga Socialdemokratska Unija, me të cilën deri tash Kurti nuk ka arritur marrëveshje për përfshirje në Qeveri, thotë se zgjidhja për grupin parlamentar ose nominimin për nënkryetarin mund të gjendet pak para seancës, ose edhe të lihet për më vonë.

Madje, ajo thotë të mos ketë qenë pjesë e kurrfarë diskutimi për këtë.

“Ende nuk kemi folur për këtë. Ne kemi pasur vështirësi për t’u takuar bashkë dhe ende nuk kemi biseduar për grupin. Nëse nuk mund të merremi vesh para seancës, duhet ta lëmë për seancën e radhës”, thotë Balje. “Ne do të provojmë të bëjmë grup, sepse kjo është në të mirën tonë, edhe për shkak të pjesëmarrjes në komisione”.

Deputetët pa grup parlamentar nuk kanë të drejtë të jenë pjesë e Komisioneve funksionale. Në shumicën e legjislaturave, shumica e deputetëve nga radhët e këtyre komuniteteve rreshtoheshin në një grup, që njihej 6+. Por, në dy legjislaturat e fundit grupi shpesh ishte shpërndarë, shkaku që deputetë të saj për shkak pakënaqësish, largoheshin nga grupi dhe bashkoheshin me grupe më të mëdha.

Adem Hoxha i Jedinstvena Goranska Partija është nga deputetët që më parë i ishte bashkuar grupit parlamentar të Listës Serbe.

Partia që i ka të 10 deputetët e komunitetit serb është akuzuar se para zgjedhjeve të fundit ka krijuar parti satelite nga radhët e komuniteteve të tjera dhe ka organizuar votën serbe për to. Pas zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor i Ankesave ka anuluar disa nga votat për të tilla parti, meqë numri i tyre që kishin siguruar në disa komuna, ishte në disproporcion me numrin e komuniteteve që jetonin në to.

Romani Inicyativa është nga këto subjekte dhe, përkundër anulimit të shumë votave, ajo do të përfaqësohet në Kuvend me një deputet – Fadil Gashi.

Ndonëse Vetëvendosje ka thënë se nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe e me partitë satelite të saj, në Romani Inicyativa e presin të kundërtën.

“Ne realisht po presim të jemi në qeveri dhe presim të flasim me z. Kurti. Nuk po e shohim si opsion të rrimë në opozitë, pasi që komuniteti joshumicë të jetë në opozitë është problem, kështu që ne jemi për bashkëpunim me z. Kurti dhe që të jemi në qeveri”, thotë Sunaj Garipi nga kjo iniciativë. “Ne jemi në dispozicion edhe për të bashkëpunuar me komunitetet e tjera për ta formuar grupin parlamentar”./Koha

Leave a Reply