Urdhërohet Policia e Kosovës të njoftojë lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Veselit, Selimit e Krasniqit

0
275

Në rastin ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka urdhëruar Policinë e Kosovës (PK) të sigurojë informacione në lidhje me autorizimet dhe kapacitetet e saja, ndër të tjera, për të zbatuar kushtet që kanë të bëjnë me lirimin (e mundshëm) të përkohshëm të tre të lartpërmendurve.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), PK duhet t’i ofrojë këto informacione brenda periudhës prej dy javësh, nga njoftimi i përkthimit të këtij urdhri në gjuhën shqipe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Duke pasur parasysh kushtet e propozuara nga të akuzuarit në lidhje me kërkesat e tyre për lirim të përkohshëm dhe pa paragjykuar çdo vendim që do të merret nga gjyqtari i procedurës paraprake në lidhje me vendimet e kthyera nga Gjykata e Apelit, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëron Policinë e Kosovës, siç specifikohet më tej në Shtojcën e këtij Urdhri, të sigurojë informacion”, thuhet në urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake.

Aty thuhet se informacioni nga gjyqtari paraprak është kërkuar në lidhje me: (i) autoritetin dhe aftësinë e Policisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjet e individëve që i nënshtrohen lirimit me kusht, të monitorojë dhe kufizojë komunikimin e këtyre individëve, të administrojë arrestin shtëpiak dhe zbatueshmërinë e kushteve që lidhen me lirimin e përkohshëm; dhe (ii) rastet e mëparshme të zbatimit të kushteve që lidhen me lirimin e përkohshëm ose ndalimin e personave të akuzuar për krime të rënda.

“Përveç kësaj, Policia e Kosovës mund të japë çdo informacion shtesë që konsiderohet i rëndësishëm në lidhje me zbatimin e lirimit me kusht. 9. Policia e Kosovës do të lidhet me çdo departament dhe/ose autoritet tjetër në Kosovë nëse është e nevojshme për të siguruar informacionin e kërkuar. Çdo pengesë teknike, logjistike ose tjetër që pengon ekzekutimin e duhur të Urdhrit do të ngrihet menjëherë te Gjyqtari i Procedurës Paraprake”, thuhet në urdhrin e gjyqtarit Guillou.

Ndryshe, vendimi i gjyqtarit të procedurë paraprake erdhi pas vendimit të panelit të Gjykatës së Apelit lidhur me apelet e mbrojtjes së Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kundër vendimeve të gjykatësit në fjalë për rishikimin e mbajtjes së tyre në paraburgim.

Në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply