Si do të zhvillohet fushata zgjedhore në kohë pandemie

0
247

Kanë mbetur edhe pak ditë për të filluar fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale, por ende nuk është vendosur se si do të zhvillohet kjo fushatë, kur e dimë që vendi po kalon në një situatë të rëndë pandemike. Partitë opozitare kanë propozuar shkurtim të fushatës, po partia në pushtet Vetëvendosje nuk komentuar asgjë nëse është për, ose jo, shkurtimin  e fushatës.

Ende s’ka vendim se si do të zhvillohet fushata zgjedhore e cila është e paraparë të fillojë me 16 shtator dhe të zgjasë një muaj. Javët e fundit vendi po përballet më shifra të larta të të infektuarve me COVID-19, dhe për këtë partitë opozitare në vend kanë propozuar shkurtim të fushatës në 10 ditë. Por njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se më e rrugës është që fushata të zhvillohet në formë digjitale duke shmangur tubimet elektorale.

Për  njohësin e çështjeve politike Mazllum Baraliu, partitë politike mund të arrijnë një marrëveshje konsensuale për të shkurtuar fushatën. Sipas Baraliut,  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të marrë një vendim formal për shkurtim të fushatës për shkak të pandemisë, por assesi nuk mund të preket ligji mbi zgjedhjet.


“Do të duhej të marrë një vendim formal KQZ-ja, mirëpo nuk prekën dispozitat e ligjit, pasi ligji është në fuqi dhe ekzistojnë procedurat për plotësim ndryshimin e ligjit. Prandaj do të duhej që ligji të mos preket dhe të mos cenohet në të njëjtën kohë dhe  të realizohet një fushat e një modeli tjetër.”
 

Baraliu ka thënë se fushata mund të mbahet  ashtu siç e parasheh ligji, duke shmangur tubimet elektorale por të mbahet në formë digjitale.
“Të mos mbahet farë në mënyrën klasike, por në formën digjitale dhe forma të tjera të cilat nuk e rrezikojnë përhapjen e pandemisë.”

Edhe Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik, i Kosovës mendon që partitë politike duhet të dakordohen që të mos organizojnë tubime publike, por të përdorin forma digjitale për fushatë.
 

“Në vend që të tentojmë të shkurtojmë fushatën zgjedhore, unë besoj që do të ishte me e udhës që partitë politike të dakordohen që të mos zhvillojnë tubime publike me qytetarët. E kjo mund të zëvendësohej qoftë me debate televizive apo forma të tjera të bërit fushat në formate digjitale të tilla si përdorimi i rrjeteve sociale, sesionet e pyetjeve dhe përgjigjeve me kandidatët.”


Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor 2021, kurse fushata është paraparë të nisë më 16 shtator dhe të zgjasë deri me 15 tetor.
 

Leave a Reply