Shtyhet seanca fillestare ndaj ish-drejtorit të Administratës së Komunës së Prizrenit

0
391

Ka dështuar  seanca fillestare ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Ilir Baldedaj, e cila ishte e paraparë të mbahej të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Para fillimit të seancës fillestare, mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Baldedaj, avokati Engjëll Rexhepi theksoi se prokuroria nuk ka përmbushur obligimin e vetë, pasi që nuk i kanë pranuar provat në të cilat thirren prokuroria në propozimin e aktakuzës, duke shtuar se kërkon shtyrjen e seancës së sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria e shtetit nuk e ka përmbushur obligimin e vetë sa i përket zbulimit të provave dhe se bashkangjitur aktakuzës nuk i kanë pranuar edhe provat në të cilat thirret prokuroria në propozimin e aktakuzës”, tha avokati Rexhepi.

Pas kësaj, prokurorja Ervehe Gashi deklaroi se më 29 dhjetor 2020, i ka dorëzuar në postë së bashku me listingun e provave tek i pandehuri Baldedaj.

“Unë më 29.12.2020, i kam dorëzuar në postë së bashku me listingun e provave në akt të veçantë të futur në kovert, në mungesë të mbrojtësit të akuzuarit janë dërguar provat në fshatin Dedaj, Komuna e Prizrenit, te i pandehuri Ilir Baldedaj, të njëjtat janë kthyer me vërejtje se është adresa e pasakt”, u deklarua prokurorja Gashi.

Në këto rrethana, prokurorja Gashi i dorëzoi avokatit Rexhepi, procesverbalin e marrjes në pyetje të pandehurin Baldedaj dhe dëshmitarët.

Gjykatësja Ajser Skenderi tha se pasi që prokurorja Gashi i dorëzoi provat avokatit Rexhepi, ky i fundit do të deklarohet se a janë të gjitha provat të cilat janë të cekura në aktakuzë.

Pas kësaj, gjykatësja Skenderi tha se aprovohet propozimi i mbrojtësit të akuzuarit Baldedaj, avokati Rexhipi, që seanca e sotme të shtyhet dhe caktohet për 19 shkurt 2021, në ora 13:30 minuta.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 29 dhjetor 2020, i pandehuri Ilir Baldedaj akuzohet për veprën keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas pikës një të aktakuzës, thuhet se prej muajit mars, e deri në fund të vitit 2016, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i akuzuarit Baldedaj ka vepruar në atë mënyrë që, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, e cila është kompetente për shqyrtimin e kërkesave, propozimin, buxhetin për realizimin e kërkesës dhe implementimin e kërkesës, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, paraqet kërkesë për shpalljen e  tenderit për projektin “furnizim me Softëer digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.

Vlera e tenderit ka qenë 24.735.00 euro, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, duke mos respektuar procedurat e parapara me Ligjin nr. 04/L-145, për organet qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, përkatësisht paragrafin 4 dhe 5 të nenit 8 të këtij ligji, me të cilin përcaktohen kushtet e bërjes së investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, projekt ky që prej ditës së implementimit nuk është funksional, me ç’rast komunës së Prizrenit i shkakton dëm në shumën prej 28.000 euro, thuhet në aktakuzë.

Në pikën dy të aktakuzës thuhet se gjatë vitit 2017, në Prizren, i akuzuari Baldedaj, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së  Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Kështu që në atë mënyrë, duke ditur se ekziston Arkiva qendrore, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, paraqet kërkesën për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”.

Vlera e këtij projekti ka qenë 72.898.98 euro, duke mos respektuar procedurat e Ligjit nr. 04/L 145, projekt ky jo funksional që nga dita e implementimit, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkaktohet dëm në vlerën prej 72.898.98 euro, ku shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar është 100.898.98 euro, thuhet në aktin akuzues.

Me këto veprime, i pandehuri Ilir Baldedaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Leave a Reply