Shqipëria përgatitet për stërvitjen më të madhe ushtarake, marrin pjesë 28 mijë trupa

0
348

Shqipëria është duke u përgatitur për stërvitjen më të madhe ushtarake në 30 vjetët e fundit. Fjala është për “Defender Europe 21”, një ushtrim i rëndësisë së lartë. “Defender Europe 21” është një stërvitje e organizuar nga ushtria amerikane në Evropë dhe Afrikë. Në të parashikohet të marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere.

Drejtori i Marrëdhënieve me publikun në Ushtrinë e SHBA-së për Evropën dhe Afrikën, kolonel Joseph Scrocca, dha detaje në një takim virtual me gazetarët. Sipas kolonel Scrocca, “Defender-Europe 21” do të ushtrojë aftësitë e komandës për të integruar 28 mijë ushtarë amerikanë e aleatë që vijnë nga 26 kombe, përfshirë Shqipërinë.

“Ata do të përfshihen në ushtrime të ndryshme në më shumë se 30 zona trajnimi që shtrihen që nga Baltiku në Afrikë dhe që nga Deti i Zi në rajonin e Ballkanit. Shqipëria po luan një rol mjaft të rëndësishëm në këtë ushtrim. Ky mision historik demonstron aftësinë tonë për të shërbyer si një partner kyç strategjik për Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e Detit të Zi”, ka thënë ai.

Koloneli shtoi më tej se operacioni do të ketë trajtë mbrojtëse dhe do të testojë një sërë aftësish që lidhen me teknika të ndryshme të ndërtimit të kapaciteteve ushtarake.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përveç pjesëmarrjes me rreth 1000 trupa, kanë përgatitur edhe infrastrukturën ndihmëse për pritjen e kolegëve të tyre nga vendet aleate.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka inspektuar të enjten në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” infrastrukturën e përkohshme për pritjen e trupave, duke respektuar edhe masat kundër përhapjes së COVID-19. Peleshi e konsideroi stërvitjen “Defender Europe 21” si shumë të çmuar për rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe rolin që vendi luan si anëtar i NATO-s.

“Bëhet fjalë për një ngjarje historike sepse është stërvitja më e madhe e ndodhur ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon. Është një stërvitje e cila jep mesazhe të rëndësishme për rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe për rolin që vendi ynë ka dhe do të ketë në të ardhmen në të gjitha zhvillimet gjeopolitike duke pasur në krah aleatë shumë të fortë. Partneri ynë më strategjik që, le të themi janë Komanda Evropiane e SHBA, është organizatore e kësaj stërvitjeje, natyrisht në kuadrin e NATO-s, me pjesëmarrje të madhe të trupave amerikane, por edhe të vendeve të tjera pjesë e Aleancës.

Ne jemi vend pritës dhe do të marrim pjesë me rreth 1000 efektivë aktivë. Unë sot kam ardhur me shefin e Shtabit të FA, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për të parë pikën hyrëse të trupave që do të ulen në pistën e Rinasit. Këtu janë facilitetet e nevojshme për të pritur edhe më pas sipas planit, vazhdon stërvitja. Do të kemi vizita shumë të rëndësishme në ditët në vazhdim nga NATO-ja, nga Komanda Evropiane e SHBA-së, Komanda Supreme Operacionale e NATO-s, që siç e thashë puntojnë tek rëndësia dhe mesazhet strategjike të kësaj stërvitje për vendin, rajonin por edhe për gjithë Evropën”, u shpreh Peleshi.

Shqipëria do të jetë një nga 16 vendet që do të mirëpresin zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake, e cila ka për qëllim ndërveprimin e aleatëve dhe reagimin në raste krizash. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrë pjesë në stërvitjen e koduar “Defender Europe 21” që do të zhvillohet në Shqipëri në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021. Si forcë aleate e NATO-s, Forcat e Sigurisë së Kosovës do të jenë pjesë përbërëse e 28 mijë trupave pjesëmarrëse në stërvitje, krah atyre të SHBA-së, Kanadasë, Britanisë së Madhe, Turqisë, Rumanisë, Greqisë, Bullgarisë, Çekisë, Hungarisë, Kroacisë, Shqipërisë Maqedonisë Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës e Gjeorgjisë.

Leave a Reply