Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nevojë për përkrahje më të madhe

0
444

Me rishikimin e buxhetit dhe për shkak të krizes ekonomike, SHKK-së i është shkurtuar buxheti në shumë prej 750.000 eurosh e që, sipas KMDLNj -së kjo do të reflektohet në mbarëvajtjen e punës së këtij Shërbimi, stafit korrektues dhe personave të privuar nga liria.

Në raportet e mëparshme monitoruese të KMDLNj-së, njëri ndër problemet kryesore që e vështirëson punën e SHKK – së ishte pikërisht buxheti i pamjaftueshëm dhe i centralizuar prandaj si rekomandim i KMDLNj – së ishte rritja e buxhetit, decentralizimi i buxhetit dhe ngritja e kapaciteteve ekonomike brenda hapësires së institucioneve të paraburgimit dhe korrektuese. KMDLNj – e ka parasysh gjendjen e vështirësuar ekonomike si pasojë e pandemisë të shkaktuar nga COVID-19 mirëpo shkurtimi i buxhetit nuk duhet të zbatohet ndaj disa shërbimeve me peshë të veçantë e që paraqesin interes edhe për sigurinë e vet shtetit në ndërkohë që SHKK-ës është hallkë shumë e rëndësishme e këtij zinxhiri të sigurisë.

Stafi korrektues duhet të përtërihet me kuadro të reja dhe duhet të investohet në ngritjen profesionale të tyre përmes trajnimeve brenda dhe jashtë vendit si dhe vizitave studimore në vendet që kanë përvojë dhe ekspertizë të dëshmuar në këtë fushë. Sidomos duhet të shkollohet dhe profesionalizohet një gjeneratë e re e oficerëve dhe oficereve korrektuese që punojnë me të mitur, femra të privuara nga liria dhe të privuar nga liria të grupeve të margjinalizuara. SHKK – ës ka nevojë imediate të përmirësojë shërbimet shëndetësore sikur edhe të krijojë vende të reja pune për personat e privuar nga liria në mënyrë që më lehtë ta kalojnë programin e risocializimit. Në këtë kontekst, KMDLNj – vlerëson se shkurtimi i buxhetit për SHKK- ës është veprim që e bënë këtë shërbim të vendnumërojë në vend se ta përcjellë dhe përshpejtojë trendin e përparimit dhe zhvillimit sikur edhe të përafrojë zbatimin e standardeve ndërkombëtare për stafin korrektues dhe personat e privuar nga liria.

KMDLNj pret dhe shpreson se do të gjindet ndonjë mënyrë e kompensimit të buxhetit të shkurtuar për SHKK që të mos rrezikohet dinamika dhe cilësia e punës së SHKK -së në të kundërtën do te destimulohej stafi korrektues e që pasojat do t’ i bartnin pikërisht personat e privuar nga liria.

Leave a Reply