Serioziteti i fshatit Korishë dhe puna e Qeverisë, për Haskukën janë shembuj të mirë në luftimin e Covid-19

0
640
Mytaher Haskuka - Kryetar i Prizrenit

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se fshati i kësaj komune, Korisha, është shembulli më i mirë se si me disiplinë dhe seriozitet mund të arrihet një rezultat i mirë në luftën me pandeminë Covid-19.

Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, Haskuka ka thënë se fshati qysh të enjten mund të dalë nga karantina dhe kjo sipas tij, është rezultat i bindjes së banorëve për të respektuar rekomandimet e Qeverisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe Komunës.

Me këtë, ai lidhi edhe masat e reja që ka marrë Qeveria nën detyrë, të cilat nisin të aplikohen sot në mëngjes (e mërkurë).

Nga e mërkura, qytetarët do të kenë vetëm 90 minuta në dispozicion gjatë ditës për dalje jashtë shtëpive, bazuar në numrin e parafundit personal.

Haskuka, ndryshe nga disa kryetarë tjerë komunash, tha se vendimi i Qeverisë është i duhuri, meqenëse ai është marrë nga ekspertët dhe bazuar në përvojën e shteteve tjera.

“Ne kemi pasur një takim me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, dhe ai na ka treguar gjithë skenarët e mundshëm. Tregoi se aktualisht Kosova ka lakoren e sheshtë, por do të ndryshojë dhe më pas duhet të merren masa rigoroze. Andaj është më mirë që tash janë marrë masat, meqë e kemi parë në shumë vende që kur nuk janë marrë masat me kohë, ka pasur rritje eksponenciale dhe kanë çuar sistemet e shëndetësisë para kolapsit”, ka thënë i pari Prizrenit. “Është e pamundur që në kohë pandemie të shtjellohet çdo mendim e të kontaktohet çdo person. Masat janë marrë nga ekspertët më të mirë dhe i pranojmë ato”.

Qyteti që udhëheq ai është në karantinë që nga e diela, ndërkohë fshati Korishë shumë më herët. Së fundi në karantinë është futur edhe fshati Skorobishtë.

“Kemi dy fshatra në karantinë dhe qytetin. Deri më tash në Prizren janë 21 raste pozitive me koronavirus dhe 50-60 raste po presin të testohen, pasi janë raste kontakti. Korisha qëndron mirë dhe qysh të enjten mund të dalë nga karantina, ndonëse do ta zë përfshijë karantina e qytetit. Gjithsesi Korisha është shembull i mirë se si mund të kalohet më lehtë kjo pandemi, ka pasur seriozitet nga banorët dhe u janë bindur rekomandimeve të ekspertëve. Por ndryshe qëndron puna në Skorobishtë. Aty nuk ka markete të mëdha e barnatore sikur në Korishë, andaj sot jemi takuar me Shtabin e fshatit dhe kemi marrë kërkesat për furnizim me ushqim dhe barna”, ka thënë Haskuka.

Ai ka paralajmëruar se të mërkurën në mëngjes kur nisin masat e reja të kufizimit të daljes do të ketë pak huti, por sipas tij, banorët do të mësohet dhe do të ketë edhe shpjegime.

“Ne sot gjatë gjithë ditës përmes mediave lokale u kemi shpjeguar mënyrën. Është mirë, pasi kjo ndalon edhe daljet në grup të familjeve, nuk mund t’i kenë të gjithë numrat e njëjtë dhe të dalin përnjëherë”, ka thënë ai.

Haskuka ka folur edhe për Muajin e Ramazanit dhe ka ftuar qytetarët e Prizrenit që këtë ta kalojnë ndaras kësaj here, pa iftare të përbashkëta dhe pa dalje për syfyr.

“I gjithë furnizimi duhet të bëhet brenda orarit të lejuar. Sivjet Ramazani nuk do të jetë në frymën siç ka qenë më herët, edhe Pashkët kaluan kështu, duhet të kemi mirëkuptim”, ka shtuar ai.

Haskuka ka folur edhe për pikat turistike në qytete dhe rrethinë dhe sipas tij, janë marrë të gjitha masat që më të mos ketë tubime, sikur vikendin e shkuar kur u desh që Policia të intervenojë.

Prizreni, si qytet në karantinë, ka venë pesë post-blloqe në hyrje-daljet kryesore. Dy nga autostrada “Ibrahim Rugova”, një nga Suhareka, një nga Dragashi dhe një nga Gjakova.

E si zyrtar i lartë i Vetëvendosjes, ai ka folur edhe për paralajmërimet e LDK-së se së shpejti mund të krijojë Qeveri të re. Ai tha se kjo është e pamundshme pa zgjedhje të reja.

“Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese para 3-4 vjetëve e tregojnë qartë se kjo nuk mund të bëhet. Qeveria po bën punë shumë të mirë, po i kryen detyrat dhe nuk duhet të pengohet. Masat ekonomike janë të mira, ndoshta më të mirat në rajon. Çfarëdo skenari tjetër do të krijojë probleme. Këshilloj opozitën të shohë nga vendet evropiane se si kanë vepruar opozitat atje në kohë pandemie”, ka vlerësuar Haskuka në “Interaktiv”.

Leave a Reply