Selimi viziton depon për mallrat e konfiskuara: Çdokush që tenton të përfitojë jashtëligjshëm do të jetë cak i hetimit

0
328

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të AAPSK-së, Kushtrim Cukaj dhe zëvendëssekretarin, Ardian Bajraktari, kanë vizituar Depon Qendrore për Mallrat e Konfiskuara.

Gjatë kësaj vizite, Selimi tha është njoftuar për së afërmi me kapacitetet e kësaj depoje e cila ka për qëllim administrimin më efikas të pasurive të sekuestruara apo të​ konfiskuara.

“Sot vizituam depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, për të parë nga afër gjendjen aktuale dhe kapacitetet e saj. Vetëm në vitin 2020 vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara ka arritur rreth një milion e gjashtëqind mijë euro”, tha Selimi.

Sipas tij, konfiskimi i pasurisë së paligjshme mbetet prioritet dhe mekanizëm kryesor për luftim të suksesshëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Çdokush që tenton të përfitojë jashtëligjshëm do të jetë cak i hetimit dhe askush nuk do të jetë mbi ligjin. Shteti nuk do të ndalet së sekuestruari dhe konfiskuari çdo pasuri që fitohet në mënyrë të paligjshme”, tha Selimi.

Ai tha se duhet rregulluar infrastruktura e nevojshme në depon e AAPSK-së, në mënyrë që të rritet kapaciteti i konfiskimit.

“Ministria e Drejtësisë, do të bëjë çdo gjë që është e mundur që t’i shtojë kapacitet për të rregulluar infrastrukturën e nevojshme sa i përket kësaj depo, në mënyrë që Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe të Sekuestruar të jenë të gatshëm që kur të rritet kapaciteti i konfiskimit si rezultat i ndryshimeve ligjore, t’i administrojnë pasuritë e konfiskuara edhe të sekuestruar në pajtim me legjislacionin në fuqi”, shtoi Selimi.

Ndryshe, nga periudha kohore qershor – dhjetor 2020, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, ka ekzekutuar gjithsej 92 vendime të dërguara nga gjykatat për administrimin e pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar.

Leave a Reply